TIRANË - Nga marsi kur u shfaq i infektuari i parë në Shqipëri, deri në 11 prill (sot), në Tiranë kanë ndërruar jetë 10 persona me koronavirus (5 në mard dhe 5 në prill). Shifrën e jep drejtoresha e Agjencisë së Shërbimeve Funerale në Bashkinë e Tiranës, Rajmonda Shino, në një intervistë për Report Tv.

Në një përgjigje për deklaratën e rëndë të ish-kryeministrit Sali Berisha se shteti sipas tij po bën një veprim kriminal duke zvogëluar dhe fshehur vdekjet me koronavirus që sipas tij është 10-fish më i lartë, drejtoresha e Agjencisë së Shërbimeve Funerale, Rajmonda Shino tha se në mënyrë kategorike nuk mund të ndodhë të fshihet as një vdekje pasi çdo procedurë për varrosjen bëhet me urdhër nga kjo agjenci.

"E kundërshtoj në mënyrë kategorike, absolutisht nga zyrat e shtetit unë raportoj me përgjegjësi maksimale për këto shifra, dhe këto janë fakt, nuk mund të fshihen, se këta të ndjerë janë varrosur kundrejt një regjistri, dhe për vendin e varrimit bëhet menjëherë azhornimi. Procedura është e tillë: Këtu vihet me skedën e vdekjes dhe me lejen e varrimit, çdo mëngjes bëhet regjistrimi në zyrat tona, pasi bëhet pagesa në bankë për shërbimin që ofrojmë ne bëjmë të gjitha regjistrimet ditore, dhe pastaj nxjerrim statistikat.  Absolutisht nuk mund të ndodhë të fshihet gjë sepse ne nxjerrim urdhrin e punës për të gjithë varrosjet, asnjë varrosje nuk mund të bëhet pa kaluar nga kjo drejtori", u shpreh drejtoresha.

5 viktima ishin gjatë muajit mars dhe 5 në muajin prill, deri më tani me koronavirus. Gjatë muajit mars janë shënuar 308 vdekje dhe vetëm 5 prej tyre me COVID, të përcjellë për në banesën e fundit në varrezat publike në Sharrë dhe në Tufinë.

Ndërkohë në total, nga janari deri në mars 2020 janë shënuar 976, vetëm 4 vdekje më shumë se me të njëjtën periudhë të një vitit më parë, pra janar-mars 2019. 

Mesatarja e vdekjeve në kryeqytet sipas Shinos është në 10 persona në ditë, ndërsa në shumë raste qytetarët zgjedhin që të përcjellin të afërmit e tyre në qytetet apo zonat nga kanë ardhur para se të regjistroheshin banorë të Tiranës.

"Nga 308 vdekjet, 5 janë për muajin mars me COVID të varrosur në territorin e bashkisë së Tiranës. Përfshirë dhe prillin kemi kryer shërbim për 10 raste me COVID-19. Janë të gjitha të dhënat të mirëpërcaktuara në skedën e vdekjes. Piku i vdekjeve është gjithmonë tre mujori i parë i vitit, por një mesatare Tirana të përditshme e ka 10 persona në ditë. Duhet të jemi koshient që mënyra e përcjelljes për në banesën e fundit tashmë ka ndryshuar, si për rastet e vdekjes natyrale dhe për me COVID-19. Kanë qenë vetëm familjarët, 4-5 veta shoqërojnë akt mortit dhe kryhet shërbimi funeral.  Në rastin e sëmundjeve me COVID i ndjeri merret nga morgu dhe diretkt për në varreza, nuk është ajo ceremonia që trupi mbahet edhe në shtëpi", përfundoi zonja Shino.

Të varrosur me Covid-2019

1 Mars 2020-11 Prill 2020, 10 viktima

5 në Varrezat e Sharrës

5 Në varrezat e Tufinës

1- 31 Mars 2020 / 308 të vdekur

Janar – Shkurt- 31 Mars 2020 976 të vdekur

Janar-Shkurt -31 Mars 2019  972 të vdekur