Sali Berisha e pranon dështimin e protestës së 8 majit, në të cilën u regjistrua pjesëmarrja me e ulët në tubimet e thirrur nga Partia Demokratike. Në një komunikim me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha e pranoi se protestat në terren kanë nevojë për një organizim më të mirë.
“Unë mendoj se nuk duhet t’i shohim gjërat bardh e zi. Duhet të refuzojmë propagandën zjarrfikëse të qeverisë. Mund të organizohet më mirë protesta, por protestat kanë pasur efekt të jashtëzakonshëm. Protestat bënë që Edi Rama të jetë në rrethin e kuq, të udhëtojë i plagosur”, tha Berisha.
Kritika mori edhe nga ndjekësit, të cilëve “kilometri i fundit” për rrëzimin e Edi Ramës iu duket se nuk ka të sosur. Kreu i PD nuk dha asnjë përgjigje të prerë, por la të nënkuptohet se fundi nuk është afër.
Liman Lama: Përshëndetje Doktor, a mund të na thoni se sa metra ka kilometri i fundit, se nuk paska të sosur?
Sali Berisha: Objektivi është largimi i Edi Ramës dhe krijimi i qeverisë teknike. A janë hedhur bazat për këtë kërkesë? Po. Janë disa rezoluta, edhe e fundit që u miratua në Zagreb që insiston për qeveri teknike. Por në mënyrë të veçantë damkosja e zgjedhjeve si një proces ku u shua linja midis institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake fakton se me këtë regjim nuk ka zgjedhje dhe duhet një qeveri teknike, një qeveri për të bërë zgjedhje. Dhe këtë e kemi në dorë ne, kjo është në dorën tonë si opozitë, të vazhdojmë kryengritjen tonë paqësore gjer në realizimin e objektivit. Ky është kilometri i fundit. Nuk është kilometër i lehtë ky, jo, e kam thënë dhe e them, por është vendimtar.
Lajmi në përditësim....
Komente










