SHKODËR – Kryeministri Berisha ka ngushëlluar sot nga Velipoja, banorët e përmbytur dhe të padëmshpërblyer nga qeveria: “Ne kemi nxjerrë urdhër që pronari i digave t’ju dëmshpërblejë për dëmet që bën”, - tha ai. – “Po po, t’ju dëmshpërblejë. Por ne e dinim që pronari nuk ishte mundësi financiare për t’ju paguar, ndaj e pritëm një vit e gjysëm. Kështu pra, KESH-i, pasi rregulloi gjendjen e tij financiare, nisi t’ju paguante dëmshpërblimet. Dhe qeveria nuk do t’ia marrë ato para, sepse janë për ju!”
 
Gjithashtu, Berisha sqaroi: "“Arsyeja që Velipoja s’ka drita është se ÇEZ falimentoi dhe nuk bëri investime. Administrimi i ri e përmirësoi gjendjen dhe vuri përparësi absolute, vijën bregdetare nga Velipoja në Ksamil. Unë di, më ka ardhur një mesazh nga Velipoja, nga një qytetar që denonconte se po rrinim me orë pa drita. Unë menjëhërë kërkova shpjegime. Se ju sot keni pak turistë,por ato do shumëfishohen. Ne gjithashtu do bëjmë edhe përgjysmimin e taksave të hotelerisë. Po, por duhet ta dini që këtu po përforcohet rrjeti energjitik. E pra, ne do bëjmë gjithçka për ta garantuar turizmin në këtë zonë”, - deklaroi ai.

VELIPOJE, BERISHA PERURON RRUGEN BAKS - RIOLL

Ndalesa e radhës e kryeministrit Berisha ishte Velipoja, ku u inaugurua rruga Baks-Rioll. Kryeministri tha se kjo rrugë ndryshon thellësisht jetën e banorëve të disa fshatrave në zonë. “Ky segment prej 8 km ndryshon Velipojën, Shkodrën dhe më gjerë sepse kjo rrugë, dyfishon potencialin turistik të Velipojës, që bëhet çdo ditë me e famshme në Shqipëri, rajon e më gjerë për plazhet e bukuritë e saj që u ofron pushuesve”,-tha kryeministri duke theksuar se qeveria do të vazhdojë të investojë në këtë zonë.
Berisha u bëri thirrje siç tha ai, që në 23 qershor shkodranët të jenë në krye të përpjekjes për fitoren më të madhe që PD ka arritur ndonjëherë.

“Keni në dorë të firmosni mandatin e diamantdë, mandatin e tetë të Shkodrës vetëm për Gjok Uldedën. Ju garantoj se me Gjokën, me deputët e PD-së për Shkodrën çdo projekt që ndryshon për mirë, që sjell punësim, zhvillim në Velipojë dhe Shkodër do ta bëjmë realitet gjatë katër viteve që vijnë”,-u shpreh Berisha.

Edhe nga Velipoja, kryeministri sulmoi sërish të majtën, duke thënë se program i PS-së, është fabrikimi i autobusit mavi, që bazohet në përpjekje shumë të pandershme, për të nxirë çdo pikë djerse që qytetarët shqiptarë derdhin në biznesin e tyre.

“Bazohet në mohimin e gjithçkaje që ne kemi arritur. Shoferi i autobusit shkon në Shkodër dhe thotë ku është kryetari i bashkisë që e lë Shkodrën pa rrugë. Shkodra i jep ujë në bisht të lugës atij, se ka ujë 24 orë. Rrugët s’i sheh dot se i ka xhamat të zinj. Shkon në Vlorë dhe u thotë që jetojnë në izolim, mendon se Vlora jeton në autobusin mavi. Vlora jeton në djersën dhe mundin e vlonjatëve, në mbështetjen që i ka dhënë kjo qeveri. Përpjekja e tij për të nxirë Shqipërinë në çdo gjë që është arritur, për të shpallur se Shqipëria është gënjeshtër është përpjekja e një njeriu të papërgjegjshëm, për të mos thënë më keq. Përçmoni çdo mohim që i bëhet djersës suaj”,-theksoi Berisha duke bërë thirrje që të votojnë PD në 23 qershor.

Redaksia Online
(b.y/shqiptarja.com)