Kryeministri Edi Rama ka përgënjeshtruar deklaratat se Shqipëria nuk ka dhënë ndihmë konkrete ndaj Ukrainës, duke thënë se ato bëhen vetëm me qëllim për të sulmuar qeverinë. Në një postim në Twitter ai shkruan se Shqipëria e ka dhënë ndihmën ndër të parët, dhe kjo, jo për të luftuar me me ata që i quan gratanongratat e Tiranës. Report Tv mëson se qeveria shqiptare e ka furnizuar ushtrinë ukrainase me municione.

“'Disa politikanë e analistë mbrojnë Ukrainën për të sulmuar qeverinë, që sipas tyre nuk ka dhënë asnjë ndihmë konkrete! Jo vetëm e kemi dhënë, po e kemi dhënë ndër të parët. Por nuk e kemi dhënë për t'u dukur këtu në Tiranë dhe aq më pak për të luftuar me gratanongratat e Tiranës! Jam shumë krenar që pavarësisht se vend i vogël mes të mëdhenjve të botës kemi ditur të dëgjohemi me respekt në mbështetje të Ukrainës në OKB, kemi ditur të shikohemi me respekt në NATO, kemi ditur të trajtohemi me respekt nga SHBA dhe i jemi gjendur me shumë respekt Ukrainës.'- shkruan Rama.

Vetë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi shton se ndihen krenar për ndihmën e dhënë për Forcat e Armatosura të Ukrainës, si kontribut për mbrojtjen e sovranitetit dhe lirisë. Sipas Peleshit Shqipëria ndër vendet e para në botë me kontribut konkret për Ukrainën.

'Krenar për ndihmën e dhënë Forcave të Armatosura të Ukrainës, si kontribut për mbrojtjen e sovranitetit dhe lirisë. Shqipëria ndër vendet e para në botë me kontribut konkret për Ukrainën.'- shkruan Peleshi.