TIRANE - Kryeministri Berisha i ka paralajmëruar fundin e hidhur të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet PS-së dhe LSI-së për koalicion. "Ne mbjellim pemë, kurse ata në Shkodër firmosin "epitafin" e Rilindjes", ka deklaruar ai. Më pas, për të njëjtën temë, ai ka shkruar në Fb duke komentuar konferencën rajonale të partive socialiste europiane:

"Sot në Shkodër, majtistët firmosën “epitafin” e “Rilindjes mavi”", - tha ai. -"Për koincidencë apo ironi të fatit, pikërisht ata që ua themeluan partinë në nëntor të vitit 1941, ua rithemeluan atë në prill të vitit 2013.

Gazetarët dhe kronikanët e partive te tyre, që po kërkonin me ngulm në çdo qoshe, dhomë, madje dhe tualet të ndertesës, hijet e Dushan Mugoshës apo Bllazho Jovanoviçit si dëshmitarë të aktit të rithemelimit, u qetësuan kur mësuan se në mungesë të tyre, aktin e rithemelimit të Partisë rozë mavi e kishin formuluar me kujdesin atëror Vojo Koshtunica dhe Oliver Mugosha. Ndërsa për hymnin e këtij akti, Rama kishte zgjedhur Marshin mbi Kosovën të Goran Bregoviç, të njeriut që Rama i vari Çelësin e Artë të kryeqytetit të Shqipërisë kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës.  Udhë të mbarë drejt të shkuarës! Ne jemi ndryshimi, përpara!", përfundon Berisha.

Disa prej komenteve rreth PS-LSI, Berisha i bëri gjatë ceremonisë së përurimit të një terreni të ri sportiv në Tiranë, ku ishte sëbashku me kryebashkiakun Lulzim Basha.  "Ne do vazhdojmë kujdesin për jetën e qytetarëve", - tha ai. -"Bashkia ka bërë një investim të mrekullueshëm, jo një pallat në pajë, por një terren në të cilin do zbaviten gjtihë banorët e këtij blloku. Unë uroj që terrene të tilla të bëhën sa më shumë dhe mos harroni se në Tiranë ekzistonin 100 terrene që u katandisën në 6. Kryebashkiaku ka garantuar se do t'i kthejë njerin pas tjetrit. Rivitalizimi i Tiranës, që synon rikthim në sipërfaqe të gjelbërta për të pakësuar ndotjen e ajrit.
Tirana ka mundësi ta përmirësojë edhe më shumë cilësinë e ajrit".

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)