"“Kam edhe një çështje me rëndësi që më detyron fakti i të qënit mjek ta them", - tha Berisha.- "Dua ti kërkoj z.Rama ta tërheqë fjalën shumë pa mend që ka thënë për infermierët. Dua të shprehem këtu se që në ditët e para të punës sime, student dhe më vonë, unë jam frymëzuar nga përkushtimi i detyrës së tyre. Mjeku nuk e ka të lehtë detyrën, por më të vështirë e ka infermierja. I kërkoj në mënyrë të vendosur Ramës të kërkojë publikisht të falur, së pari për kontributin e jashtëzakonshëm që ato japin, së dyti, ato janë vajza, gra, motra.
Nuk kisha dëgjuar kurrë ndonjëherë që spitalet të duken shtëpi publike; nëse e thua këtë, ke rënë në Shqipërinë e gënjeshtër që thua ti. Spitalet kanë të metat e tyre, por në ato spitale bëhet një punë ndër më shkëlqyerat për të shpëtuar jetë”.
Në vazhdim, Kryeministri ka shpjeguar vendimet e rëndësishme që Qeveria do të merrte në mbledhjen e ditës së sotme duke filluar me përgjysmimin e taksës së makinave të përdorura.
BERISHA: DO TE PERGJYSMOJME TAKSEN E MAKINAVE TE PERDORURA
"Taksa e makinave të përdorura do të përgjysmohet. Koeficinëtët e deritanishëm të kësaj takse do të pjestohen për dy". Kështu ka deklaruar sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha duke sqaruar se ndotja e mjedisit shkaktohet nga karburantet.
MINISTRIT RULIT I KERKOHET TE ZGJIDHE PROBLEMET E FERMEREVE TE LUSHNJES
"Një çështje më vete sot do të jenë problemet e fermerëve të Lushnjes, që dëgjuam dje," - tha më tej Kryeministri.-"Duhet të kemi parasysh se ata kanë nevojë t'i bashkojnë tokat dhe t'i regjistrojnë pa burokracira. Kjo duhet të zgjidhet menjëherë".
"DO TE RRISIM PAGAT E GJYQTAREVE DHE PROKUROREVE, JANE NE VENDNUMERO"
Lidhur me rritjen e pagave të gjyqtarëve, Berisha tha se "meqë ato të përcaktuara si përqindje e rrogës së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të ministrave, ato mbeten në vendnumëro ose u rritën me 2% ose nuk u rritën fare. Kjo nuk ka qënë pozitive dhe ministri i Drejtësisë ka sjellë një ligj që i ka dhënë përgjigjen e duhur këtij problemi deri diku, sepse nuk përfshin prokurorët".
SE SHPEJTI, NJE VENDIM EDHE STATUSIN E ARTISTEVE
Kreu i Qeverisë i kërkoi ministrit të Kulturës, z.Bumçi, që të sjellë për diskutim edhe ligjin për statusin e artistëve, që t’i japet zgjidhje sa më shpejt, problemeve të krijuara.
LIGJET TE TJERA NE DISKUTIM, KONCENSIONET E HIDROCENTRALEVE DHE PARTNERITETI PUBLIK-PRIVAT
"Këto janë ligjet më të rëndësishme që miratohen sot", - tha Berisha në përfundim - "Krahas tyre janë dhe një sëri të tjerash, për HEC-et, pasi vazhdon e etshme gara e koncensioneve. Qeveria ka hartuar dhe ka gati një ligj të ri për partneritetin publik privat, që po e diskuton me biznesin dhe do organizojë një mbledhje "taskforce", do të punojë paralelisht që propozimet e saj të pasqyrohen në komisionin parlamentar".
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)