TIRANË - Lajmin për vizitën në Tropojë Berisha e bëri të ditur në emsionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan, përpos njoftimit nga stafi i tij. Priteshin të merreshin masa të forta sigurie, që mbrëmë, ndërkohë në orën 13.00 Berisha do të jetë në mitingun e radhës në Krumë, kryeqendër e Hasit.

Kreu i qeverisë u “akomodua” mbrëmë mes dy këngëtareve, Soni Malaj e Elvana Gjata. Berisha e ka shfrytëzuar gjitha audiencën, duke bërë batuta për pasionet e rinisë, që fillojnë me kalin, mësimin e të shkruarit që 5 vjeç, shijimin që 6 vjeç të këngës së këngëtares franceze Edit Piaf, “Padam, Padam”.

Por që në fillim është bërë humor me akuzat e Ramës se ai mban jelek antiplumb duke detyruar gazetarin të kontrollonte Berishën nëse e mbante. “Rama s'ka gënjyer për anti-plumbin, por e ka fiksim. Është fiksim, s’është legjendë”, hedh batutën Berisha. Ai thotë se “momenti më i lumtur ka qenë kur ka qenë pesë vjeç, kam mësuar të lexoj nga motra”. Ndërkohë që tregon dhe si dëshironte të bëhej shkrimtar, por që pëfundoi në mjekësi.

“Kam rënë shpesh nga kali dhe kam thyer brinjet disa herë. Por i hipi prap kalit kur rrëzohem”, lëshon batutën Berisha. “Standardi im, fjetja në dy të natës, por bëj gjumin më cilësor. Unë shoh ëndra vetëm ditën, me sy hapur, që i bëj realitet”, tha Berisha. Ai s’ka munguar të përgjigjet për politikanët, ku për Kreshnik Spahiun tha se ka një proces të fortë të hapur. Ndërsa paradite ka sulmuar Ramën nga Këneta në Durrës.

“Modeli ynë është ai i vlerave. Sali Berisha, njëlloj si ju, beson te familja e tij, fëmijët e tij te qytetarët e tij. Berisha 20 vjet në politikë ka një apartament 125 metra katror. Modeli i shokut të autobusit mavi, një pallat mbi shpinë, asnjë qindarkë e deklaruar. Modeli i një njeriu të dështuar, i një burri aventurier që ndahet e bashkohet me gra sa herë vijnë zgjedhjet për qëllime elektorale”, akuzon Berisha rivalin Rama.

(Në foto: Berisha me këngëtarët: Genta Ismajli, Elvana Gjata, Ermal Mamaqi, Soni Malaj, Vesa Luma, Vedat Ademi dhe Renis Gjoka tek 'Zona e Lirë'). 

(Shkrimi u botua sot ne Shqiptarja.com)
(sg/mag/shqiptarja.com)