Ish kryeministri, Sali Berisha në një deklaratë për mediat tha se në krye të aferës së inceneratorëve qëndron vetë kryeministri Edi Rama. Sipas tij, kjo faktohet me firmën e jashtëligjshme të Ramës në kontratën për inceneratorët.

"Që Edi Rama është kreu i organizatës kriminale të djegësave kjo faktohet me mënyrën më të pakundërshtueshme me firmën e tij për kontratën e djegësave. Kontratë e cila është negociuar dhe firmosur në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, me praktikat e prokurimeve. Edi Rama ka firmosur një kontratë në shkelje të çdo parimi vetëm sepse ajo është ndërmarrja e tij. Ai zgjodhi plehrat për t’u bërë milioner dhe më shumë se milioner. Ai zgjodhi plehrat për të kryesuar mafian. Ai firmosi pasi autoritetit kombëtar i prokurimeve në mënyrë të përsëritur i dërgojë shkresën ku thuhet se kjo praktikë është anti-ligjore”- tha Berisha.

Ndërsa shtoi se pavarësisht pagesave të marra për djegien e plehrave, mbetjet vetëm sa ishin groposur dhe nuk ishin seleksionuar, duke bërë kështu të njëjtën gjë që bëhej edhe para 20 viteve.

“Sharra është minierë floriri e Edi Ramës dhe Erion Veliajt. Hetimi i investiguar dje faktonte në mënyrën më të pakundërshtueshme se mbetje jo vetëm që nuk seleksionoheshin sipas natyrës së tyre por groposeshin siç janë groposur edhe 20 vite më parë pa asnjë seleksionim dhe pa asnjë djegie”- u shpreh Berisha.

Ndërsa u shpreh se revolucioni është mënyra e vetme për të rrëzuar qeverinë aktuale, Berisha kërkoi që qytetarët të përgatiteshin për protestë pasi sipas tij SPAK-u po heton vetëm ndaj opozitës duke injofruar faktet që Berisha tha se u publikuan ditën e djeshme nga Partia e Lirisë. Duke mos caktuar një datë, Berisha bëri thirrje që qytetarët të ngrihen në protesta të fuqishme.

“Kjo kërkon një përgjigjie dhe këtë mund t’ja japin vetëm qytetarët kur bëhet gjithçka për të mbuluar këtë vjedhje të madhe, kur ai që quhet SPAK është shndërruar në ‘SKAP’ vetëm kundër opozitës. Qytetarë dhe qytetare shpresa e vetme jeni ju, revolucioni dhe fuqia juaj. Kjo qeveri po bllokon çdo mekanizëm të hetimit të saj dhe po hap dyer për vjedhjen tuaj ditë e natë në mnyrë të pandërprerë. Ju bëj thirrje të ngrihemi fuqishëm kundër kësaj organizate kriminale që nuk ndalet para asgjëje dhe mbulohet sot nga ajo drejtësi e cila është shndërruar e tëra në një bashkëpunëtore të rrezikshme në vjedhjen dhe krimet e qeverisë shqiptare”-përfundoi Berisha.