TIRANE - Kryemistri i vendit, Sali Berisha ka reaguar pas deklarateve të liderit të opozitës Edi Rama për uljen e taksave. Sipas tij, modeli i taksës progresive që propagandon Partia Socialiste është një kthim në të shkuarën dhe tenton politikën e rrjepjes së bizneseve të pasurve.

“Foli edhe për agjenci speciale për taksat, për agjencinë speciale të Leninit, për taksat e NEP-it, për politikën e NEP-it. Çfarë ishte NEP-i? Ishte politika e rrjepjes së bizneseve dhe shkatërrimit të tyre”, tha Berisha.

Kryemistri gjatë mbledhjes së qeverisë iu rikthye edhe temës për organizimin e kampionatit të përbashkët të futbollit mes Kosovës dhe Shqipërisë, ku u vu re një tërheqje e tij, pasi theksoi se kjo ligë do shërbejë vetëm për ndeshjet miqësore.

“Ne të bëjmë Ligën Mbarëkombëtare të Futbollit, natyrisht e theksoj edhe njëherë, kjo nuk mund të ketë implikim për përfaqësim ndërkombëtar”, tha Berisha.

Berisha u ndal edhe tek rritja ekonomike, që sipas tij ka shënuar vendi ynë gjatë vitit të kaluar.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)