Berisha: Rama shkrin INUK, shpall
platformën "një shtet një polici”

Berisha: Rama shkrin INUK, shpall<br />platformën "një shtet një polici”
TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar pas deklaratës së kreut të qeverisë Edi Rama për shkrirjen e INUK dhe kalimin e kompetencave tek Ministria e Brendshme. Në postimin e tij në rrjetin social “Facebook”, Berisha akuzon kryeministrin Rama për krime ndaj mjedisit. Sipas Berishës, kreu i qeverisë shpalli në programin e qeverisë platformën "një shtet një polici".
 
“Me vrap drejt shtetit policor! Rama që flet për krime mjedisore ka të drejte, ato janë, por ai vetë është kryekrimineli i mjedisit!!
 
Në modelin e regjimeve diktatoriale, Edvin Kristaq Rama shpalli në programin e qeverisë së tij platformën "një shtet një polici". Ky përbën një rikthim të plotë tek regjimi hoxhist gjatë të cilit nuk ekzistonte asnjë polici tjetër përveç policisë së shtetit. Në zbatim të kësaj platforme, që nuk ekziston në asnjë vend të lirë të planetit, sot Rama njoftoi se brenda një muaji INUK do shkrihet dhe funksionet e tij do kalojnë në Policinë e Shtetit. Burime afër tij bëjnë të ditur se i njëjti fat pret Tatimet, Inspektoratin e Mjedisit, Policinë Pyjore.
 
Kështu pra, policia e PS do bëhet e gjithëfuqishme për qytetarin e thjeshtë, duke filluar nga vija e ujit dhe ndërtimi apo rindërtimi i banesës, tek taksat dhe detyrimet tatimore, lejet e mjedisit dhe të shfrytëzimit të pyjeve. Kjo do sjellë falimentimin total me shpejtësi të policisë dhe kriminaliteti do përpijë tërësisht vendin”, shkruan Berisha.
 
Duke iu referuar viteve kur Edi Rama ishte në krye të bashkisë së Tiranës, Berisha thotë se për 11 vite ai ka dëmtuar mjedisin, duke betonizuar Tiranën. Në reagimin e tij, deputeti i PD-së shkruan se në 2009 Rama “dha 120 leje ndërtimi, betonizimi të Tiranës, madje edhe në trenin sportiv te stadiumi “Dinamo””.
 
“Rama justifikon vendosjen e shtetit policor në Shqipëri ndër të tjera me krimin mjedisor, ndërkohë që vetë ai për 11 vite në Bashkinë e Tiranës është faktuar kryekrimineli mjedisor i Shqipërisë. Ai është njeriu që betonizoi Tiranën, dhe shkatërroi 85% të sipërfaqes së gjelbër të saj, duke reduktuar nga 4.2 m2 ne 0.8 m2 sipërfaqe të gjelbër për frymë dhe zhdukur me beton edhe 103 fusha, parqe dhe terrene sportive, duke gjene leje ndërtimi në to. Betonizimit nga Rama nuk i shpëtuan kolektori i digës së Liqenit Artificial as lulishtet në mes të pallateve apo sheshet për lojërat e fëmijëve. Ai bërtiste sot për krime mjedisore ndërkohë që në kundërshtim me Ligjin e Urbanistikës dhe të Mjedisit ai dha leje ndërtimi në sheshin e pallateve për gruan e tij.
 
Vetëm në prag të zgjedhjeve të vitit 2009, ai dha 120 leje ndërtimi betonizimi të Tiranes, madje edhe në terrenin sportiv te stadiumi Dinamo. Nga 227 pallate të ndërtuara gjatë viteve të tij si kryetar bashkie 97% e tyre kishin shkelur kushtet urbanistike dhe lejen e ndërtimit. Ndërsa përsa i përket zëdhënësit të tij Lame, me të cilin Rama pret gjobat e legalizimeve, ju ftoj të vizitoni Golemin, një vepër horror e tij, për të kuptuar se çfarë përfaqëson Lame.
 
Rama edhe sot është kryekrimineli i mjedisit. Cili të dojë mund të shkoje në Qeparo dhe do gjejë se sarajet Rama - Kokëdhima rriten dhe zgjerohen çdo ditë vetëm 30 metra nga bregu i detit ndërsa sarajet e Gjushit në Durrës ndërtohen direkt mbi rërë!”, shkruan Berisha në reagimin e tij në rrjetin social “Facebook”.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Pagat e reja për Forcat e Armatosura! Nga forcat speciale deri te mjekët e infermierët e ushtrisë, ja shtesat dhe 8 kategoritë që përfitojnë

Pagat e reja për Forcat e Armatosura! Nga forcat speciale deri te mjekët e infermierët e ushtrisë, ja shtesat dhe 8 kategoritë që përfitojnë