TIRANE - Ish-kryeministri Sali Berisha, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se zotëron fakte të reja sipas tij që implikojnë qeverinë në avionin e kapur në Divjakë të dyshuar për trafikimin të lëndës narkotike. Sipas Berishës urdhrin për djegien e zyrës juridike të Albkontrollit e ka dhënë drejtoresha e përgjithshme e këtij institucioni, Belinda Balluku, sipas Berishës me porosi të kryeministrit Rama.
 
Në postim Berisha shkruan se urdhri sipas tij është dhënë 15 min pas kapjes së avionit në Divjakë. Ekzekutimin e urdhrit sipas tij e ka bërë drejtoresha juridike e Albkontrollit Ana Shkëmbi.
 
“Të dhëna të reja për narkotrafikun e Ramës! Të dashur miq, burime direkt nga Albkontrolli njoftojnë se urdhërin për djegien e zyrës juridike të Albkontrolit, dhe së bashku me të të dosjes të narko-avionit që u nis nga Rinasi, e ka dhënë drejtoresha e përgjithshme e Albkontrollit Belinda Balluku me porosi direkte të Ediskobar Ramës (kështu e kanë pagëzuar tani të rinjtë në rrjetet sociale).

Ky urdhër është dhënë 15 min pasi narko-avionit iu thye rrota në plazhin e Divjakës dhe narko-Mitsubishit iu thye disku.

Pas një ngurimi për të djegur zyrën, urdhërin e Belindës e ka ekzekutuar vetë drejtoresha juridike e Albkontrollit Ana Shkëmbi e emëruar aty direkt nga Edivin Kristaq Rama. Pas djegies së dosjeve janë thirrur njësi antizjarri për shuarjen e tij dhe është bërë përpjekje të mbahet i fshehtë ky akt kriminal. Mësohet se, po në funksion të narkotrafikut, me porosi direkte të zotit Rama, është vendosur që t’i merret konçesionarit të aeroportit salloni i VIP-ave dhe të vihet direkt në varësi të Belindës.

Droga me paratë e saj t’i verbon sytë e mendjes. Shqipëria nuk meriton kurrë të kthehet në Kolumbinë e Europës. Protesta është detyrim për të gjithë qytetarët pa dallime partiake që e duan këtë vend. Të gjithë në protestë! sb” shkruan Berisha në Facebook

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)