TIRANË- Lajmin për sasinë prej 10 miliard metër kub gaz natyror nga Azerbajxhani i cili ka hyrë në Evropë, prej të cilave afërsisht 8.5 janë dorëzuar në Itali, Sali Berisha e shfrytëzoi për të treguar rolin e tij kur ishte kryeministër. 

"Ky është gazsjellësi i parë në Europë pa gazin rus. Shqipëria dhe qeveria që unë kryesova luajti një rol përcaktues. Për të pasur të qartë rolin përcaktues të Shqipërisë, TAP-i mund të ishte TAP vetëm nëse kalonte në territorin e Shqipërisë, territor ku gazi rus nuk mund të kalonte", tha ai.

Berisha foli për një ofertë marramendëse nga kompania ruse e gazit Gazprom në atë kohë, duke preferuar të nënshkruaj marrëveshjen me TAP-in që sot është një çlirim i madh për Evropën e përfshirë në ethet e gazit

"Dua të them një mesazh për ata që shpallën Sali Berishën non grata. I them mafies së Goerge Soros se vetëm për TAP-in Berishës i janë ofruar shumë më përrallore, por ai qëndroi në mbrojtje të interesave të popullit të tij", tha Berisha, teksa kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla reagoi pas kësaj deklarate befasuese të ish-kryeministrit, ku tha se minimalisht është moskallëzim krimi, duke uruar që SPAK të ketë dëgjuar ato që tha ai.

Një përshëndetje ka pasur edhe nga presidenti Ilir Meta.

10 miliard metër kub është një arritje simbolike për momentin, por TAP mund dyfishojë kapacitetet duke u zgjeruar në disa faza, deri në 20 miliard metër kub brenda 45-65 muajve, thuhet në njoftim. Përmes pikave të daljes në Greqi, Shqipëri dhe Itali, ofrohet mundësia për transportin e gazit nga Azerbajxhani drejt tregjeve më të mëdha evropiane.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:43
Shqipëria pjesë e projektit, Meta: Përshëndes fillimin e furnizimit me gaz natyror përmes TAP-it

Teksa lufta mes Rusisë dhe Ukrainës ka sjellë krizë në furnizimet me gaz dhe naftë, presidenti Ilir Meta ka përshëndetur fillimin e furnizimit me gaz natyror të Europës Perëndimore përmes gazsjellësit TAP.

"Projekti TAP e përfshiu Shqipërinë në hartën e infrastrukturës energjetike strategjike europiane, veçanërisht e rëndësishme në këtë periudhë sfiduese ndaj arkitekturës së sigurisë europiane dhe euroatlantike, si dhe rriti ndjeshëm pavarësinë e Europës nga gazi rus", shkruan Meta.

"TAP është investimi i huaj më i rëndësishëm strategjik në Shqipëri, frut i bashkëpunimit të suksesshëm dhe strategjik ndërmjet Shqipërisë, partnerëve europianë dhe SHBA-ve me Qeverinë e Azerbajxhanit", shton më tej presidenti.

 

Ora 13:39
Berisha tha se rusët kanë dashur ta blejnë me 'shuma marramendëse', Balla: Minimalisht është moskallëzim krimi, uroj ta ketë dëgjuar SPAK

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, taulant Balla e ka konsideruar 'moskallëzim krimi' deklaratën e Sali Berishës sot se kishte marrë oferta me 'shuma marramendëse' nga kompania ruse e gazit Gazprom në kohën që ka qenë kryeministër. Po në Kuvend Balla deklaroi se kjo është tentativë për korrupsion, duke 'uruar' që SPAK të ketë dëgjuar deklaratën e Berishës.

"Minimalisht është moskallëzim krimi. Është tentativë korrupsioni dhe është krim. Uroj ta dëgjojë SPAK, ta thërrasë drejtësinë meqë Gazprom ka arritur deri aty sa ti afrohet kryeministrit ti ofrojë ryshfet është e rëndë", tha Balla.