TIRANE- Ka vetëm 6 muaj që nuk është më kryeministër i Shqipërisë, por Sali Berisha shpalosi hapur dje në Kuvend sërish ambicien e tj për të qenë në krye të Ekzekutivit. Në debat e sipër me kryeministrin Rama për çështjen e legalizimeve, Berisha fillojë që të bënte premtime elektorale, duke harruar se nuk është më kryeministër, por as kryetar i Partisë Demokratike.
Konkretisht, debati nisi për çështjen e legalizimeve, ku Berisha theksoi se kryeministri Rama kishte mashtruar shqiptarët me legalizimet falas dhe se ai do t’i bënte ato me 1 euro, deklaratë kjo që vë në dukje të gjithë dëshirën e tij për t’u rikthyer sërish në krye të qeverisë. “Deklaruat se shqiptarët kanë paguar për të legalizuar shtëpitë e tyre, ndërsa në fushatë premtuat legalizime falas.

Unë ju thoja që s’mund t’i bëni falas sepse s’mund të falni tokën e tjetërkujt, por ju thonit falas dhe i mashtruat ato njerëz, thjesht e vetëm për t’i marrë votat. Unë po të them këtu se legalizimet do t’i bëjmë me 1 euro dhe mos kujto se janë liliputë ata. Vetëm në periferi të Tiranës kanë krijuar qytetin e 6, 9 dhe 10 më të madh të vendit. Ata janë të ndershëm,shumë më të ndershëm se ti që ke ndërtuar një pallat pa treguar burimin e të ardhurave. Kështu që mbaj premtimin për legalizime falas, se nuk janë burra që gënjehen ata. Tani zgjidh ose bëjua falas legalizimin, ose do ta bëjnë falas”,-theksoi Berisha duke iu drejtuar Ramës.

Qëndrimi i opozitës
Partia Demokratike vijoi dje që të mbante qëndrimin e saj për bojkot alternativ. Siç ka ndodhur në 3 seancat e fundit parlamentare, deputetët e PD-së kanë vijuar që të replikonin që në pikën e parë të rendit të ditës, për procesverbalin. Krahas kësaj, ata nuk ishin regjistruar në asnjë nga diskutimet e Kuvendit, duke lënë të kuptohej se demokratët do të largoheshin sërish nga salla. Por në fjalën e tij para se të iknin nga aula e parlamentit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka bëri një deklaratë të fortë duke theksuar se PD mund të bojkotojë Kuvendin për një kohë të gjatë pasi, sipas tij, qeveria duhet të kthejë ligjshmërinë në punën e saj.

“Prandaj edhe njëherë thirrja jonë është që të ktheheni aty ku duhet, sepse ne nuk mund të vazhdojmë më në këtë parlament. Ne sot do të largohemi nga ky parlament me shpresën që ju, jo para vizitave në kancelaritë perëndimore, jo kur të ketë ndonjë vendimmarrje në Bashkimin Europian, por të bindeni dhe të tregoni vullnet sepse pavarësisht numrave që keni në parlament, jeni të përgjegjshëm dhe jeni, doni apo nuk doni duhet të punoni për shqiptarët”,- tha Paloka.
Ajo që ra në sy gjatë momentit kur PD po bënte zhurmuesen në Kuvend, kohë në të cilën po fliste kryeministri Rama, ra në sy se dy prej zërave kundër tek demokratët, Mesila Doda dhe Astrit Patozi nuk u bashkuan ne protestën e kolegëve të tyre në aulën e Kuvendit. Pavarësisht se të gjithë deputetët e PD-së ishin në këmbë duke godutir tavolina, Doda dhe Patozi nuk u bashkuan me ata.

Shkrimi u publikua sot (28.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)