TIRANË – “Kur qeveria vendos t’i japë përparësi ndonjë sektori, e kuptoj që ndonjë rregull edhe mund të jetë shkelur, por çdo qeveri është e detyruar të marrë masa më të veçanta në të tilla raste”, është shprehur sot Kryeministri i vendit, Berisha, në ceremoninë e përurimit të Projektit PAP në Postën Shqiptare, projekt që synoi shpërndarjen e internetit falas në të gjithë vendin.

Berisha, duke konfirmuar ambicien e tij për ta kthyer Shqipërinë në një superfuqi rajonale të “soft” dhe “hightec”, e konsideroi projektin si “unik në botë për shpërndarjen falas të internetit në gjithë territorin e vendit, në përputhje me një politikë të caktuar të qeverisë shqiptarë, që synon sjelljen e Shqipërisë në moshën dixhitale, si një nga rrugët më kryesore për tu shkëputur nga një prapambetje e madhe e trashëguar.

“Ne shqiptarët”, tha Kryeministri,”jemi një komb shumë kohëhumbur dhe kjo ka lidhje me të shkuarën tonë por edhe me trashëgiminë; infrastruktura jonë më së shumti ta rrëmbente kohën. Në këtë kontesk, 6 vite me parë, qeveria përcaktori dy drejtimet themelore për transformimin e vendit: infrastrukurën dixhitale, virtuale dhe infrastrukturën rrugore: rrugët, ujësjellësat, kanalizimet".

Redaksia Online
(ar.sh/Shqiptarja.com)