TIRANE- Një ditë pasi ndërroi jetë, gjuhëtari dhe ish-kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Prof. Dr. Shaban Demiraj, ish-lryeministri dhe deputeti i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar në profilin e tij “Facebook” një mesazh ngushëllues ndaj familjarëve dhe miqve të të ndjerit.
 
Berisha ngushëlloi familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e Demiraj për humbjen, dhe u shpreh gjithashtu se “me vdekjen e tij bota jonë shkencore në tërësi dhe gjuhësia jonë në veçanti humbi njërin prej kollosve të saj”.
 
Më poshtë postimi i plotë i Berishës në “Facebook”.
 
“Gjuha humbi kollosin e saj!
 
Të dashur miq, dje u nda nga jeta ish-kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, njëri prej studiuesve më të shquar të gjuhës shqipe dhe shkencave të etnogjenezës së shqiptarëve, Prof Dr Shaban Demiraj. Me vdekjen e tij bota jonë shkencore në tërësi dhe gjuhësia jonë në veçanti humbi njërin prej kolosëve të saj.
 
Me këtë rast, së bashku me nderimin tim më të madh për veprën e shquar të të ndjerit Prof. Demiraj, i shpreh familjes, miqve, bashkëpunëtorëve të tij ngushëllimet më të thella. Lutem së bashku me ta që shpirti i tij të gjejë paqen e merituar! Sb”

Redaksia Online
(e.n/e.s/shqiptarja.com)