Tiranë- Ish-kryeministri Sali Berisha, i pandehur për korrupsion pasiv në lidhje me aferën e kompleksit “Partizani”, ka kujtuar sot 300 ditët e arrestit shtëpiak. 

Ai ka sulmuar gjatë fjalimit të radhës nga ballkoni i banesës së tij, nga ajo që e ka quajtur "Rruga e shpresës", kryeministrin Edi Rama, mazhorancën dhe veçanërisht drejtësinë e re, së bashku me ndërkombëtarët.

Teksa shprehu mirënjohjen për mbështetësit e “kauzës së drejtë të lirisë, dinjitetit dhe interesit kombëtar të shqiptarëve” siç e quajti, ai u shpreh se përcjell çdo natë “të vërtetat e narkodiktaturës, por edhe mesazhet e shpresës, frymëzimit dhe fitores”.

“Sot u bënë 300 ditë që Edi Rama urdhëroi Parlamentin dhe mercenarët e tij të Skapit, të vendosin arrestin tim në shtëpi, pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë shkelje ligji, po vetëm e vetëm si kundërshtar politik që i tmerron ata dhe mafien ndërkombëtare. Mafia ndërkombëtare, diplomatë të korruptuar që bënë grushtin e shtetit kundër opozitës shqiptare, vetëm e vetëm që të gjitha pushtetet ti kishte narkodiktatori, vegël e shpifur e tyre, Edi Rama dhe që po me këtë skenar, kërkuan publikisht persekutimin e Sali Berishës sikur Shqipëria të mos ishte një vend sovran, partner, anëtar i NATO-s, por thjeshtë një vend vasal për ta trajtuar atë si një koloni”, tha Berisha.

Por pavarësisht kësaj, ish-kryeministri që tashmë pret t’i nisë edhe procesi, teksa dosja ndodhet në seancë paraprake nëse do kalojë për gjykim dhe vendimi do merret më 5 Nëntor, tha se “Edi Rama dhe mafia ndërkombëtare që shpalli ‘non grata’ Sali Berishën vetëm e vetëm se mbrojti interesin kombëtar, e bënë atë në mënyrë të panevojshme, më krenar për qëndrimet e tij, më shumë se kurrë”.

“Ata bënë gjithçka me Edi Ramën për ta arkivuar Sali Berishën në banesën e harresës, madje shkuan gjer aty sa tu tregojnë atyre që përmbysën diktaturën më staliniste të Europës, barin që u tregonte Enver Hoxha, por me të gjitha këto dështuan në turpin e tyre të thellë”, u shpreh ai ndër të tjera.