Dy pyetjet e para për Sali Berishën nga demokratët në bashkëbisedimin e së shtunës ishin për dështimin e protestave të PD. Ndjekësit e pyetën se pse me protesta nuk po arrihet asgjë, dhe pse po vërdallisen kot nëpër Tiranë.
“Kilometri i fundit do të thotë që kemi vetëm një betejë, dhe kjo betejë është armiku Edi Rama, për ta përmbysur nga pushteti dhe për të shkuar drejt zgjedhjeve të lira”, tha Berisha.
Kreu i PD, i cili mbante në dorë një stilolaps të EPP-së, akuzoi Marta Kos si të paguar nga kryeministri Edi Rama. Berisha i referohet deklaratës së Kos se vendet që duan të hyjnë në BE duhet të ndërtojnë institucione demokratike, por nga ana tjetër korrupsionin duhet ta heqin nga mendja, të cilën e quan një deklaratë raciste.
“Pra, imagjino pak Fatos sikur të mos kishim dalë ne në protesta, a nuk do të ishte kjo një argument për ato racistë që siç i dëgjove dhe ju, të lobuar dhe të paguar nga Edi Rama duhet të paraqesin korrupsion si një fenomen të gjeneve të shqiptarëve”, tha Berisha.
Pas një jave të tensionuar tek demokratët me përjashtime të zyrtarëve lokal, dhe me ndalime për të kandidauar në zgjedhjet e brendshme, Sali Berisha foli për hapje të partisë.
“Hapja e PD u siguroj se do jetë një nga qëndrimet më të vendosura dhe të palëkundura të miat dhe të PD. Pra, do bëjmë gjithçka që sa më shumë vajza, zonja, të marrin vendet më të rëndësishme. Kam kënaqësi t’u informoj se në këto zgjedhje të degëve të PD për kryetar, kanë dalë më shumë se kurrë ndonjëherë zonja të nderuara në krye të këtyre degëve dhe kanë fituar besimin e merituar të anëtarësisë”, tha Berisha.
Kryedemokrati lajmëroi se protesta e radhës e PD-së, e teta me kërkesën për dorëheqje të Ramës dhe qeveri teknike, do të jetë me 17 prill.
Komente












