TIRANE- Ish-kryeministri Sali Berisha, përmes një postimi në rrjetin social “facebook” kërkoi sërish që shqiptarët të dalin në protesta kundër qeverisë. Duke marrë si shkak protestën e artistëve dy ditë më parë, Berisha shkroi se Rama është si Janukoviçi i Shqipërisë dhe për këtë, shqiptarët duhet të dalin në protestë kundër tij. “Protesta dhe vetëm protesta për t'i treguar vendin Janukoviçit të Shqipërisë! Të dashur miq, Piktori dështak Edvin Kristaq Rama me dy-tre mercenar të tij, kanë nisur sulmin hakmarrës skizoid kundër Operës dhe institucioneve të tjera artistike kombëtare të vendit.

Në një akt urrejtjeje primitive dhe poshtëruese ndaj artistëve të mrekullueshëm të Operës dhe Baletit dhe në kundërshtim të plotë me ligjin, ai ka urdhëruar që kontrata e tyre kolektive 5 vjeçare të griset dhe atyre t'u ofrohet në vend të saj si lëmoshë, një kontratë individuale 2-3 mujore sikur të ishin njerëz të papunë dhe jo artistë të shquar.

Anëtarët e trupës së Operës dhe Baletit, në kushtet dhe kohërat e vështira, nuk e braktisën vendin po me talentin dhe aftësitë e tyre të spikatura artistike, nën udhëheqjen e Mjeshtrit të madh Zhani Ciko, shndërruan Operën në institucionin me prestigjioz artistik kombëtar, në skenën e të cilës u interpretuan me nivel të lartë artistik kryeveprat operistike botërore”,- theksoi ish-kryeministri. Në vijim të deklaratës së tij, Berisha akuzoi Ramën si të sëmurë psikik. “Është në detyrën e qytetarëve artdashës të Tiranës të mbrojnë me të gjithë forcën e tyre institucionin e Operës dhe Baletit nga ky Janukoviç shqiptar, nga ky i sëmurë psikik që nuk mjekohet por vërsulet i tërbuar të shkatërrojë me urrejtje institucionet kryesore të kulturës dhe artit kombëtar”- shkroi Berisha.

Shkrimi u publikua sot 26 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)