TIRANE - Ish kryeministri Berisha priti ambasadorin e BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, në një takim lamtumire në mbyllje të detyrës së tij në Shqipëri. Në fjalën e tij Berisha i shprehu Ambasadorit Sequi falenderimet për dedikimin e tij në asistencën që Delegacioni i BE-së i ka dhënë Shqipërisë në përmbushjen e prioriteteve të vendosura nga Komisioni si ndërsa e uroi atë në detyrën e re në Ministrinë e Jashtme italiane.

Ish Kryeministri shprehu gjithashtu kënaqësinë që tashmë Shqipëria do të ketë një mik dhe një avokat të saj në Farnesina.

Ambasadori Sequi e falenderoi nga ana e tij Berisha për mbështetjen dhe bashkëpunimin e përgjatë tre viteve të shërbimit në krye të Delegacionit të BE-së.

Ai shprehu kënaqësinë që një pjesë të madhe të karrierës së tij e kishte kaluar në Shqipëri duke kontribuar për një vend mik.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se Shqipëria e meriton marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor, bazuar në meritat dhe arritjet e saj.

Ish kryeministri Berisha konfirmoi qëndrimin e opozitës në favor të integrimit evropian, ndërsa theksoi se “statusi është përmbyllja me sukses e një rruge të gjatë reformash të ndërmarra ndër vite, veçanërisht gjatë qeverisjes së PD-së.”

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)