Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha në një takim me të përndjekurit politikë në PD , tha se sot në Shqipëri nderohen banditët dhe kriminelët.
“Sot në Shqipëri nderohen, për fatin më të keq, xhelatët. Nderohen banditët dhe kriminelët. Kohë identike në rrafshin moral me atë të diktaturës së Enver Hoxhës”, tha Berisha.
Berisha vijoi akuzat ndaj mënyrës së vlerësimit të figurave publike, duke e lidhur atë me, atë që sipas tij janë ‘një rikthim të praktikave të së kaluarës në planin moral dhe politik’.
“Ka rrugë të Tiranës, që kanë emra kriminelësh të damkosur të kombit shqiptar. Tani së fundmi, siç keni konstatuar, nderimet u shkojnë kriminelëve ordinerë. Nderohet i ati i Ergys Agasit, si fisniku i PS për Durrësin. Për hir të vërtetës, i biri është një nga mafiozët më të rrezikshëm, jo të Shqipërisë, por të Evropës. Nderohet Jurgen Çyrbja, deputeti që shërbente si informator për Altin Hajrin, vrasësin mizor. Del dhe dekorohet me dekoratë, me firmë të Edi Ramës”, tha Berisha.
Berisha ka bërë thirrje dhe për mobilizim e për mbështetje të protestës qytetare, duke e cilësuar atë si një përpjekje për mbrojtjen e demokracisë dhe të ardhmes së vendit.
“Një protestë e madhe qytetare rinore është në vazhdim. Duhet të bëjmë gjithçka që të finalizohet me sukses misioni i saj. Kontributi i gjithsecilit është i jashtëzakonshëm. Edi Rama para gjithë botës tashmë është një tiran. Por tiranët kurrë nuk ikin vetë. Ndaj dhe çdo shqiptar dhe shqiptare duhet të jetë i përgatitur për betejën vendimtare me këtë regjim, për të shpëtuar Shqipërinë”, tha Rama.
Komente











