TIRANE - Kryeministri Sali Berisha mirëpriti pasdite e sotme Kryeministrin e Federatës së Bosnje Hercegovinës, Nermin Niksiç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në vendin tonë, me ftesë të Kryeministrit. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Berisha u shpreh se “pakica shqiptare në Bosnje dhe ajo boshnjake në Shqipëri janë urat lidhëse mes Tiranës dhe Sarajevës”.

Më tej Kryeministri vlerësoi vizitën e Kryeministrit Niksiç si tepër të rëndësishme dhe e konsideroi atë një nxitje të madhe në bashkëpunimin e mëtejshëm midis dy vendeve.

“Me Kryeministrin Niksiç identifikuam fusha të një interesi të madh të përbashkët bashkëpunimi. Fusha të tilla si turizmi, agrobiznesi, energjia paraqesin realisht mundësi shumë të mëdha bashkëpunimi midis dy vendeve. Prej shekujsh në Bosnje Hercegovinë ka një prani shqiptare, e cila është e përfillur dhe e vlerësuar në vendin ku jeton. Në Shqipëri ekziston një pakicë boshnjake e vendosur kryesisht në zonën e Shqipërisë së mesme, në Shijak, dhe që gëzon të gjitha të drejtat. Ne diskutuam mbi lehtësimin më të madh të lëvizjes midis dy vendeve dhe plotësimin eventual të kuadrit ligjor”, u shpreh Berisha.

Nga ana e tij Kryeministri i Bosnje Hercegovinës, Nermin Neksiç u fokusua tek bashkëpunimi në fushën e energjetikës, agro-biznesit dhe turizmit po nënvizoi edhe nevojën e thellimit të bashkëpunimit edhe në fusha të tjera. Neksiç tha se Bosnja e ka marrë Shqipërinë si shembull në ndërtimin e infrastrukturës rrugore.

“Shfrytëzoj rastin, edhe njëherë, të shpreh që bashkëpunimi midis dy shteteve tona, sidomos të flas për entitetin e Federatës, mund të ecë edhe në mënyrë më kualitative. Për këtë, një nxitje të madhe jep ambasadori i Shqipërisë në Bosnje Hercegovinë. Unë shpresoj që së shpejti dhe Bosnje Hercegovina të ketë ambasadën e saj në Tiranë. Bosnje Hercegovina dhe Shqipëria do të vazhdojnë bashkëpunimin midis tyre”, u shpreh Neksiç.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)