TIRANË – Kryeministri Berisha ka mbledhur sot Këshillin e Ministrave duke miratuar vendimin për decentralizimin e përdorimit të fondeve të BE-së në përputhje me standartet e KE-së, duke u bërë kështu vendi i parë në rajon që kualifikon administratën e vet për të marrë përsipër prokurorimet e fondeve të BE-së.

Por, sipas Berishës, “tenderi i fshesës” së qeverisë "Rama" mbi administratën shton rrezikun se "Shqipëria, pavarësisht se mund të marrë statusin, mund të mos përfitojë fondet që rrjedhin nga marrja  e statusit dhe kërcënimi është shumë serioz."

Po ashtu, kryeministri iu ka dhënë një këshillë me humor, gazetarëve që do të ndjekin mbledhjen e Qeverisë së ardhshme "Rama" në Vlorë: "Unë ju këshilloj të niseni për në Vlorë, po të mos harroni të merrni me vete edhe rrobat e banjos."
 
Lidhur me vendimin, Berisha tha se "Shqipëria bëhet vendi i parë në rajon nga vendet që janë me status që krijon institucionet  e veta të përdorimit të ndihmës së BE. Kjo përbën një arritje të madhe për administratën shqiptare.

Një dokument prej mbi 6 mijë faqesh i është paraqitur KE, si dokument bazë për akreditimin e këtyre strukturave dhe certifikimit të tyre nga BE, ndihma këto të cilat prej tre vitesh i bllokojnë në qindra e qindra milionë dollarë qytetarëve shqiptarë me bllokimin e statusit nga zoti Rama, duke u bërë direkt një faktor i thellimit, i rëndimit të problemeve ekonomike të qytetarëve shqiptarë. Por më në fund, në maj ligjet u votuan, statusi  besojmë dhe urojmë që të merret në dhjetor dhe thirrja jonë është që Shqipëria e meriton plotësisht statusin, ti jepet, në mënyrë që Shqipëria të përfitojë qindra, milion euro të tjera në të gjitha fushat.

Në këtë kontekst mbetet një problem serioz faktori kushëri, e cila drejton tenderin e fshesës ndaj administratës. Është zgjedhur me përparësi të madhe dhe imagjinoni ju, një investim kolosal që është bërë të futet në rreth të kuq pa u ulur akoma, dhe të zëvendësohet me njerëz të cilët, nuk kanë dëgjuar ndonjëherë kurrë për këtë projekt. Kjo do të thotë që Shqipëria pavarësisht se mund të marrë statusin mund të mos përfitojë fondet që rrjedhin nga marrja  e statusit dhe kërcënimi është shumë serioz.

Por e rëndësishme është që kjo përbën një arritje të madhe për Shqipërinë, për të gjithë bashkëpunimin e Shqipërisë me BE, në interesin më të mirë të  vendit dhe të zhvillimit,"- përfundoi Kryeministri.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)