TIRANE - Thyerja e embargos ndaj Iranit duke eksportuar naftë krudo në Shqipëri ka ndezur sallën e seancave plenare në debate të forta mes opozitës dhe mazhorancës. Kryeministri Rama ka hedhur poshtë të gjtiha akuzat e ngritura nga paraardhësi Berisha, i cili tha se me thyerjen e embargos po cënohen marrëdhëniet me dy aleatët e Shqipërisë, SHBA dhe BE. 

Sipas Ramës kjo ngjarje ka ndodhur, por në vitin 2013 kur në pushtet ishte qeveria Berisha. Ai tha se janë 5 raste të dokumentuara ku në doganat e Kapshticës dhe Qafë-Thanës në mars të 2013-ës është eksportuar nga Irani mbi 100 mijë kilogramë naftë.“Kaq për sot, fillo hetimin se do të dëgjosh të tjera”, tha kreu i qeverisë nga foltorja e Kuvendit duke iu drejtuar ish-kryeministrit Berisha pasi lexoi 5 deklaratat hyrëse në doganat e Kapshticës dhe Qafë Thanës për rastet eksportuese të naftës krudo nga Irani  në Shqipëri.

ORA 12:40 KOKËDHIMA: BERISHA KËTU NUK ËSHTË NË KUVEND, POR NË MITING
Deputeti i PS, Koço Kokëdhima ka akuzuar Berishën se kërkon të kthejë Kuvendin në një miting. Kjo sjellje e parlamentarëve sipas Kokëdhimës, ka çuar vendin në situatën e vështirë në të cilën ndodhet.
 
“Saliu nuk flet dhe nuk dëgjon sinqerisht. Ai këtu nuk është në Kuvend, por në miting. Ai kërkon ta kthejë kuvendin në një gjyq. Ai e di se e udhës për një vend e parlament normal do të ishte që politikanët të mos e kthejnë atë në një parlament e komedi, ku bëhet gjyqi i parlamentareve përmes akuzave e shpifjeve të pafundme. Kjo që bën Saliu nuk është një ngatërresë e vogël. Me këtë strategji parlamenti arratiset nga përgjegjësitë e parlamentarëve, që e çuan vendin në këtë situatë që është sot, pa para, pa ekonomi, pa shëndetësi, pa treg konkurrues. Diskutimi i ideve sesi mundtë dilet nga katastrofa ku e zhyti Saliu këtë popull. Mashtrimet tuaja janë kaq të paskrupullta. Këto mijëra viktima që bëri Berisha e Fatosi, bëhen skena humori për qindra të papunë që krijuat ju në këtë vend”, tha Kokëdhima.
 
Në replikë Berisha tha se “Konferenca e këtyre sanksioneve është e nëntorit që kaloi. Sa i përket atyre operacioneve ato përbëjnë një krenari të shërbimeve inteligjente në bashkëpunim me partnerët”.
 
RAMA: JA 5 DEKLARATA HYRESE NE DOGANA TE MARSIT 2013
Kreu i qeverisë shqiptare tha se nga shtatori i vitit 2013 dhe në vazhdin nuk ka asnjë dekalratë dhe asnjë fakt që të lidhë Shqipërinë me eksportin e naftës nga Irani. Ai paraqitit nga foltorja e Kuvendit deklaratatt për 5 rastet eksportuese nga Irani ku doganë hyrëse është Kapshtica dhe Qaf Thana.

"Kisha vendosur ta kurseja këtë sqarim, në respekt të shtetit shqiptar, por edhe duke u përpjekur të mirëkuptoj paraardhësin në detyrë, dhe pa dashur, në asnjë mënyrë, që çka do të them të shfrytëzohej në dëm të Shqipërisë dhe të bëhej spekulim politik. Mirëpo nuk ma dhatë këtë mundësi. Më detyruat që të dal këtu dhe t’ju them: Po, ka ndodhur! Fatkeqësisht, ka ndodhur! Ka ndodhur! Ka ndodhur ekzaktësisht kështu siç do t’ju them, bazuar në dokumentacionin që disponohet, qoftë prej atyre që e kanë publikuar, qoftë prej nesh. Më vjen keq për ata që ju besojnë kur ju shfrytëzoni publikimet ndërkombëtare, siç paturpësisht e filluat që me deklaratën e Sekretarit të Shtetit në dhjetor, për të fajësuar qeverinë tonë, ndërkohë që të gjitha publikimet e sotme i përkasin vitit të shkuar.

Publikimi që lidhet me këtë çështje i përket në 5 raste, vendi eksportues është Irani dhe dogana hyrëse është Kapshtica dhe Qafë Thana. Artikulli i importuar është vaj bazë, në sasinë 108 110 kilogram, si mëposhtë vijon:

1-Dogana hyrëse Qafë Thanë, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri  i deklaratës, 11721; kodi 42710; datë 04/03/2013. Pesha neto, 21 470 kg.

2-Dogana hyrëse Qafë Thanë, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri  i deklaratës 12718; kodi 42710; datë 08/03/2013. Pesha neto, 21 500 kg.

3-Dogana hyrëse Kapshtica, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri  i deklaratës 14752; kodi 42710; datë 18/03/2013.

Për të qenë i saktë, se është në bashkëpunim me partnerët kjo dhe ata datat i vendosin ndryshe nga ne datat, këto i përkasin datave 4 mars 2013, 8 mars 2013, 18 mars, 2013, 25 mars 2013. Janë parterët këta, Sali.

4-Dogana hyrëse Qafë Thanë, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri  i deklaratës 16211; kodi 42710; datë 25/03/2013. Pesha neto, 21 820 kg.

5-Dogana hyrëse Qafë Thanë, dogana Tirana. Vendi eksportues, Irani. Numri  i deklaratës 16196; kodi 42710; datë 25/03/2013. Pesha neto, 21 780 kg.

Kaq për sot. Fillo hetimin se do të dëgjosh të tjera", tha Rama.

BERISHA: DO KERKOJME KOMISION HETIMOR PER THYERJEN E EMBARGOS
Lidhur me thyerjen e embargos me Iranin, Berisha ka kërkuar raportimin në Parlament të kreut të Kuvendit Ilir Meta, ndërsa theksoi se opozita do të kërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar të shqyrtojë këtë rast.

“Qeveria ka thyer embargon me Iranin, me blerjen e naftës, një akt i rëndë kombëtar e ndërkombëtar.. Qeveria ka heshtur, Irani e ka mohuar. Potenciali i Iranit rrezik për paqen. Në Iran janë bërë vizita të fshehta. Cenohen marrëdhëniet me 2 aleatët tanë. Opozita nuk ka asnjë lloj mëdyshje në qëndrimin e saj të prerë për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, nuk mund të pranojmë që interesat kombëtare të shiten në këtë mënyrë dhe të bashkëpunohet më armiqtë e kombit shqiptar. Ç’është kjo dashuri në një kohë të papërshtatshme. Kam respekt për qytetërimin europian, por vendet e gjirit janë shtete të gjithë tmerrësisht të kërcënueshëm. Ilir Meta të vijë të raportojë në Kuvend”, tha Berisha.

TOPALLI-DULE PERPLASJE PER DREJTIMIN E SEANCES
Pas fjalës së kryeministrit Rama, kryeparlamentarja Topalli fillojë të debatojë, ndërsa nënkryetari i Parlamentit Vangjel Dule ia ktheu duke i thënë se seanca tashmë drejtohet prej tij, dhe jo më nga Topalli.
 
“Çfarë ka ndodhur zonja Topalli, ju lutem shumë respektoni. Nuk keni asnjë të drejtë të shpjegoni veç vetes suaj. Ju lutem shumë. Gjerat kanë një rregull dhe një rend. Po bëheni kolegji më problematike për zhvillimin e seancave. Nuk do të jetë parlamenti që do të drejtoni ju, harrojeni ju”, tha Dule.
 
Situata u përshkallëzua edhe më shumë kur pas fjalës së kryeministrit Rama, deputeti demokrat Sali Berisha kërkoi sërish të marrë fjalën, çka nuk u lejua nga nënkryetari i Kuvendit.
 
“Fjalën e ka deputetit Kokëdhima dhe pas tij deputeti Braçe”, tha Dule, ndërsa opozita u ngrit në mes të sallës së Kuvendit ku në foltore vijonte të qëndronte ende në foltore.
Kjo situatë detyroi nënkryetarin Dule të caktojë 5 minuta pushim të seancës.
 
PROJEKTLIGJET QE PRITET TE DISKUTOHEN
Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në seancë plenare për të shqyrtuar disa projektligje.

Në fillim të seancës, deputetët e Kuvendit mbajtën një minutë heshtje në nderim të shkrimtarit dhe përkthyesit të njohur, Amik Kasoruho, i cili u nda nga jeta disa ditë më parë, më 6 maj 2014.
 
Në axhendën e sotme u shqyrtua i projektligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” të ndryshuar.

Më pas në rendin e ditës u vijua me shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” të ndryshuar”.
 
Një tjetër çështje ka qenë shqyrtimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e punës të Këshillit Drejtues të RTSH-së për vitin 2013”.
 
Në seancën e sotme, u bë votimi i projektvendimit “Për një shtesë në vendimin nr. 26/2014 “Për krijimin e komisionit hetimor të Kuvendit për hetimin e akuzave mbi implikimin e forcave të armatosura dhe bazave ushtarake në veprimtari të kundërligjshme, transportin e lëndëve narkotike”.