TIRANE Gjatë një tryeze të rrumbullakët me akademikë, ku u diskutua mbi reformat dhe politikat për punësimin, kreu i qeverisë deklaroi se "qeveria është e vendosur të marrë çdo masë për t’u dhënë mbështetjen më të fuqishme agjencive të punësimit në mbarë vendin.

Jemi të vendosur të bashkëpunojmë me agjencitë private në mbarë vendin për të mundësuar akoma më tepër dinamizmin, kualifikimin, rikualifikimin e krahut të punës”.

"Kriza ekonomike globale faktoi në mënyrë të qartë ndikimin më negativ në papunësi në ato vende ku tregu i punës nuk ishte në epiqendër të reformave. Kriza faktoi se vendet, të cilat kishin reformuar tregun e punës, që kishin proceduar me një seri ndërhyrjesh në tregun e punës, patën pasojat më të vogla, më të pakta sociale nga kriza ekonomike. Ato vende patën papunësi disa herë më të ulët sesa vendet e tjera", tha Berisha.

Sipas Kryeministrit, "është e njohur se e njëjta përqindje në rritje ekonomike, nuk jep të njëjtën përqindje punësimi. Por në rastin konkret, të tregut të punës, kjo bëhet dhe më evidente".

Qëllimi i këtij takimi, vijoi kreu i qeverisë, është të diskutojmë mbi mënyrat sesi mund të bëjmë gjithçka që të sjellim në qendër tregun e punës dhe reformimin e tij.
"Nuk mund të themi se ishte në qendër të reformave tona. Kemi një Ministri që ka proceduar me një seri reformash. Në përpjekjen tonë për zhvillimin e arsimit profesional kemi krijuar një seri shkollash profesionale dhe qëndrash trajnimi profesional shumë të mira. Kemi një sistem të inauguruar pak kohë më parë shumë të mirë të punësimit on-line, "e –punësimi", që bën disponibël çdo vend pune dhe krah pune të lirë, një potencial shumë të mirë menaxhues. Ne kemi një kod pune, i cili lejon kontratën e përkohshme, kemi një sistem të mbështetjes ekonomike shumë të lartë gjatë këtyre viteve", u shpreh Berisha.

 Por, vijoi ai, preokupimi ynë më madhor është si të ndihmojmë më me efiçencë njerëzit e papunë, si të sjellim në epiqedër të veprimtarisë sonë këto çështje, si të përdorim ndihmën për papunësinë dhe ndihmën ekonomike, si ta bëjmë shumë më aktiv rolin e Agjencisë së punësimit, si të dinamizojmë kualifikimin dhe trajnimin.
Duke folur mbi takimin e djeshëm me investitorët e huaj, Kryeministri Berisha u shpreh se "investitorët e huaj shprehën ankesën se nuk gjejnë punëtorë të kualifikuar. Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të sjellë në epiqendër të tregun e punës"

(sg/shqiptarja.com)