Berisha vijon fushatën, reagon PD: Çdo votë për 'shtëpinë e Ilirit' është votë për Ramën! Komisioni i Rithemelimit: Ne përfaqësojmë opozitën! LSI: Deputeti Basha s'është opozitar i vërtetë

Berisha vijon fushatën, reagon PD: Çdo votë për 'shtëpinë e Ilirit' është votë për Ramën! Komisioni i Rithemelimit: Ne përfaqësojmë opozitën! LSI: Deputeti Basha s'është opozitar i vërtetë

Basha,Berisha dhe Kryemadhi

Përjashtimi nga KQZ për zgjedhjet e 6 marsit nuk e ka ndaluar Sali Berishën të vijojë takimet e tij me mbështetës duke prezantuar kandidatët e tij për 6 bashkitë, që pritet të jenë kandidatë të koalicionit që zyrtarisht është LSI dhe PDK e Nard Ndokës. Këto takimi Partia Demokratike i konsideron si manipulim që Berisha i bën demokratëve. Përmes një postimi në Facebook PD thotë se Shqiptarët e dinë shumë mirë që Parti Demokratike është një, dhe LSI një gjë tjetër dhe sipas tyre Sali Berisha dhe kandidatët e tij tashmë janë pjesë e LSI-së.

"Sali Berisha vazhdon të manipulojë demokratët. Kandidatët e shtëpisë së Ilirit sot përfaqësojnë Ilir Metën dhe nuk kanë asnjë lidhje me PD.  Disa njerëz nga Shtëpia e Ilirit e kanë të vështirë të heqin dorë nga e kaluara e tyre, por çdo votë për këtë shtëpi është votë për pazarin e radhës Meta-Rama. Shqiptarët e dinë shumë mirë që Parti Demokratike është një, dhe LSI një gjë tjetër. Sali Berisha dhe kandidatët e tij janë  tashmë pjesë e LSI-së dhe ndonëse duket që u vjen turp nga anëtarësimi në këtë parti, ata nuk i lidh me asgjë me PD, sado mashtrojnë duke përdorur emrin dhe simbolet e saj. Demokratët e dinë se si Ilir Meta ka përdorur pushtetin dhe votat e tyre për pazarin me Edi Ramën ne 2013.  Sot po bën të njëjtën gjë. Prandaj kush zgjedh Metën dhe Berishën, mban Ramën", thuhet në reagimin e PD-së.

Nga ana tjetër Komisioni i Rithemelimit, thotë se kandidatët e 'Shtëpisë së Lirisë' janë të vetmit që përfaqësojnë opozitën. Ndërsa LSI nënvizon se distancohet nga lufta në PD, por megjithatë, ashtu sikurse Berisha e cilëson Bashën si deputeti Basha. LSI thotë se deputeti Basha nuk është opozitar i vërtetë, dhe nuk ka asnjë lidhje me opozitarët e vërtetë, brenda apo jashtë Partisë Demokratike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:29
'Kandidatët e 'Shtëpisë së Ilirit' përfaqësojnë Metën', reagon LSI: Distancohemi nga lufta në PD, deputetin Basha e bëmë kryetar bashkie në 2011

Lëvizja Socialiste për Integrim i është përgjigjur Partisë Demokratike, pas akuzave të kësaj të fundit se kandidatët e 'Shtëpisë së Ilirit' përfaqësojnë Ilir Metën. LSI thotë se distancohet nga lufta në PD, ndërsa i kujton Bashës se e ka ndihmuar për ta bërë kryetar bashkie në vitin 2011.

'LSI distancohet dhe nuk ka asnjë rol në luftën e brendshme që deputeti Basha ka nisur ndaj liderit historik të PD si dhe ndaj deputetëve, drejtuesve e anëtarëve të PD, që kanë votuar shkarkimin e tij. Luftra të tilla përçarëse brenda opozitës, i shërbejnë vetëm Ramës.

Deputeti Basha nuk është opozitar i vërtetë, dhe nuk ka asnjë lidhje me opozitarët e vërtetë, brenda apo jashtë Partisë Demokratike. LSI e ka bërë kryetar bashkie në 2011 deputetin Basha, e më parë Ministër në qeverisjen e suksesshme PD-LSI 2009-2013.

LSI i ofroi bashkëpunim pakushte deputetit Basha në opozitën 2017-2021. Nëse ai do t’i qëndronte fjalës me LSI dhe demokratët e protestave më madhështore që ka njohur Shqipëria, sot ai do të ishte kryeministër. Por, deputetit Basha nuk i intereson largimi i Ramës. Sot interesi i vetëm i tij është të ketë një vulë, që përmes saj të vazhdojë ashtu siç ka bërë para dhe gjatë 25 Prillit, të firmosë marrëveshje financiare me Kryeministrin Rama.

LSI do të vazhdojë të paraqitet para shqiptarëve si një opozitë e vërtetë. Për të gjithë ata qytetarë, të majtë, të qendrës, demokratë apo pa parti, që shohin se si lidershipi i tyre ka tradhëtuar kauzat kombëtare për të pasuruar veten dhe bashkëpunëtoret pranë tyre.

Në zgjedhjet e 6 Marsit, LSI dhe PDK i ka mundësuar anën formale kandidatëve të Komisionit të Rithemelimit të PD, për tu regjistruar. Kandidatët e Shtëpisë së Lirisë janë kandidatë të Komisionit të Rithemelimit, të zgjedhur nga vetë anëtarët e PD përmes primareve të zhvilluara në partinë e tyre.

Demokracia është garë dhe qytetarët meritojnë alternativa të vërteta ndaj qeverisjes, jo kandidatë fallco për një garë me rezultate të paracaktuara, si ajo e 25 prillit. Si në 25 Prill, ashtu dhe në 6 Mars, një gjë mbetet e sigurtë: Një votë për Bashën, është një votë për Ramën Kryeministër që mban me bukë Bashën në opozitë.'- thuhet në reagimin e LSI-së.

 

Ora 16:13
Floriana Garo nga Komisioni i Rithemelimit i përgjigjet PD-së: Boll me Edi Ramën dhe humbësin serial Lul Brava, kandidatët e 'Shtëpisë së Lirisë' të vetmit që përfaqësojnë opozitën

Kandidatët e 'Shtëpisë së Lirisë' janë të vetmit që përfaqësojnë opozitën! Kështu tha në një deklaratë për mediat, Floriana Garo, drejtore e Komunikimit të Komisionit të Rithemelimit, ndërsa shton se në vend të pazareve populli opozitar do të zgjedhë përmbajtjen me Edi Ramën dhe se në vend të humbjes do të zgjedhë fitoren.

'Perballe braktisjes nga demokratet dhe disfates se sigurte qe e pret ne 6 Mars, shoqata Brava - Bardhi per llogari te Edi Rames, vazhdon sulmet ndaj demokrateve dhe partive te tjera opozitare.   Akush nuk perfaqeson opoziten me shume se kandidatet e “Shtepise se Lirise” te cilet ne kontrast te thelle me kandidatet e zarfeve te Lulzim Pazarit, jane zgjedhur per te here te pare nga vetem demokratet me parimin nje anetar nje vote!

Kjo eshte dhe arsyeja qe jo vetem demokratet por i gjithe populli opozitar ne vend te kandidateve te zarfit do te zgjedhe kandidatet e votes se lire. Ne vend te pazareve do te zgjedhe perballjen me Edi Ramen dhe ne vend te humbjes do zgjedhe fitoren.

Boll me Edi Ramen dhe humbesin serial Lulzim Brava! Vota per Lulzim Braven eshte vote per pazar - per humbjen e radhes! Vota per kandidatet e Shtepise se Lirise eshte vote per bashkimin e demokrateve dhe gjithe popullit opozitar! Eshte vote per rikthimin e Shpreses dhe FITORES!'- shkruan Garo.

K.T./M.Q./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale