Berisha ‘zbuloi’ Ramën në ‘ishull’, por ende nuk e ‘di’ ku bie Gerdeci

Berisha ‘zbuloi’ Ramën në ‘ishull’, por ende nuk e ‘di’ ku bie Gerdeci

Mediu dhe Berisha

Zgjedhjet e 14 majit po afrojnë me shpejtësi, ndërkohë që partitë politike kanë dërguar në KQZ listën e kandidatëve për anëtarë të KZAZ-ve, për të konstituuar komisionet që do mbajnë peshën kryesore të nxjerrjes së rezultatit për kryetarë bashkie dhe këshilltarë bashkiakë.

Nëse PS dhe Partia e Lirisë, kjo e fundit ka dalë nga shkrirja e LSI së Ilir Metës, e kanë zgjidhur këtë problem madhor, PD është përfshirë në “cirkuitin’ e radhës të përplasjeve mes grupimit që drejtohet nga Sali Berisha dhe atij që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj.

Ndonëse Berisha nuk e ka për herë të parë që është kontrapedal, këtë radhë me sa duket do të jetë i detyruar sërish si më 6 mars të vitit të kaluar që të hyjë në zgjedhje nën siglën që dëshiron Ilir Meta t’i vendosë koalicionit, pasi në gjykatë figuron Lulzim Basha kryetar i PD, dhe i takon zyrtarisht grupimit të tij dhe Alibeajt që të kenë anëtarë të KZAZ-ve. I kanë çuar emrat në KQZ.

Në pamje të parë, ajo që mund të themi është se një situatë e tillë i volit shumë politikisht Berishës, i cili nuk ka qëllim fitoren në zgjedhje, pasi e di se, edhe sikur e gjithë opozita të jetë bashkë nuk ia del të mundë Edi Ramën, por për të gjetur një alibi për humbjen e radhës. Dhe ka punuar fort për këtë qëllim, teksa akuzon Ramën se ka marrë peng “Alibashën” dhe se duan t’i marrin përmes gjykatës sipas tij, vulën dhe logon e PD, për të shkatërruar opozitën.

Por situata është komplikuar fort me lajmet se PD zyrtare do të dalë në 61 bashkitë e vendit me kandidatët e vet, të cilët do të jenë përballë PS por dhe “Rithemelimit”, dhe në veçanti nga zërat se me PD zyrtare do të bashkohen dhe disa parti që mbledhin vota në zona të caktuara të vendit, më të mundshme PDIU e Shpëtim Idrizit, LZHK e Dashamir Shehut, BD e Astrit Patozit, “Nisma Thurje” dhe parti të tjera që mund t’i bashkangjiten këtij koalicioni në vijim.

Kjo i ka shkaktuar një goditje të fortë Berishës, pasi mund të shkaktojë ndonjë të papritur të madhe më 14 maj, duke e nxjerrë koalicionin e “Rithemelimit” me PL e Metës, në vend të tretë si grupim politik, dhe dhe nxjerrjen jashtë loje si pretendentë për qeverisjen e vendit, dhe opozita reale e partia e dytë në vend pas PS, e që aspiron pushtet. Sado shumë vite të zgjasë kjo opozitë.

Kjo e ka acaruar shumë Berishën, pasi për hir të së vërtetës ai betejën politike nuk e ka me Edi Ramën, por me kundërshtarët brenda partisë në PD zyrtare, për rolin e dyshit politik në Shqipëri. Eshtë në një situatë traumatike dhe për faktin se Berisha vetë është person “non grata” në SHBA e Britani dhe trajtohet si i tillë pa u shpallur dhe në vendet anëtare të BE e të rajonit, sëbashku me Ilir Metën. Pra si person i padëshirueshëm.

E di fort mirë Berisha se elektorati i lëkundur apo ai që quhet “elektorat gri”, që nuk voton qeverinë apo është i lëkundur, por që është dhe kundër dhunës në politikë, jo vetëm që do të dalë nga shtëpia për të votuar më 14 maj, por votën do ta lëshojë pikërisht asaj që i druhet më shumë ai, grupimit “Alibasha” siç ka dëshirë ta quajë Berisha sa herë që acarohet me Alibeajn.

Ndaj ka nisur të dalë nga kontrolli, duke tentuar të kapet pas çdo situate, pas çdo lajmi të rremë në media, të cilin pasi e merr dhe e përpunon si “usta” që është, e degjeneron në atë farë feje, sa dhe nëse ka ndonjë përqindje sado të vogël vërtetësie brenda tij, ia “këput krahët”, duke e bërë tërësisht të pabesueshëm dhe të papërtypshëm. Dhe Berisha këtu është në ‘habitatin’ e vet!

Ndërkohë që partitë politike tashmë janë në përgatitje të ethshme për fushatën zgjedhore të 14 majit, Berisha, për hallin e tij personal, po merret me ‘hetimin’ e ish zyrtarit të FBI amerikane, i cili është para gjykatës për mosdeklarim borxhi dhe çështje të tjera administrative të vendit të tij, pa asnjë lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët. Madje i kërkon dhe ‘armikut’ SHBA të hetojë ‘lidhjet e tij ruse dhe Edi Ramën’. Ua kërkon me lutje të përfshijnë dhe Ramën në hetim.

Pavarësisht se në SHBA ka përfunduar hetimin, për shkelje të rregullave dhe ligjeve amerikane nga ana ish zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles Mc Gonigal, nuk përmendet në asnjë rast fjala “korrupsion” apo lidhje me Shqipërinë, ka zhvilluar takime me kryeministrin, po kush nuk do të priste në takim një zyrtar të lartë të këtij kalibri të shërbimit inteligjent amerikan, Berisha ditë pas dite po bën publike teori konspirative, duke e kthyer Shqipërinë aty ku nuk është, në qendër e botës dhe cilësuar Ramën me pa të drejtë, njeriun që qeveris jo vetëm Shqipërinë por dhe Amerikën. Herë përmes Sorosit dhe herë përmes zyrtarëve të lartë të FBI, sipas Berishës.

Ndërsa vetë Berisha qëndroi në krevat gati dy javë me grip, duke anuluar të gjitha takimet me Metën dhe vartësit e tij në grupimin “Rithemelimi” në PD, madje dhe me mediat, Edi Ramës ia ‘mohon’ të drejtën të sëmuret dhe ai nga gripi, si gjithë të tjerët, përfshirë dhe vetë liderin e “Rithemelimit”.

Berisha nuk ndalet vetëm këtu, por sajon teori të pabesueshme konspiracioni, për nga nga shkalla e fantazisë, duke e “impostuar” kryeministrin e vendit Rama, në “një ishull” të veçuar dhe ku “po pyetet nga agjentët e FBI”. Paçka se ishte në gjendje gripale. Ndërkohë që Rama ditën e sotme që nga zyra në kryeministri, përmes një fotoje duke pirë kafe, sikur i çonte ‘mesazh’ Berishës se është në krye të punëve.

Eshtë aq histori e trashë e trilluar, sa dhe postulati “shpif shpif se diçka do të mbetet” në rastin e Berishës e ka humbur funksionin, dhe nuk mbetet asgjë në memorien e këtij kombi, i mësuar me të pavërtetat që ka servirur Berisha në këto 32 vite të “epokës” së dytë politike të tij.

Ndaj dhe Edi Rama nuk i është përgjigjur asnjëherë Berishës, përpos sqarimit që dha më herët se s’ka asnjë lidhje me atë çfarë po hetohet në SHBA për ish zyrtarin e FBI, e sqaruan dhe mediat në vend ditë pas dite se dosja që ka shkuar në gjykatën amerikane për këtë rast nuk përmend as fjalën ‘korrupsion’ për ish zyrtarin e FBI dhe as Ramën dhe qeverinë shqiptare. Rama do të përgjigjet në interpelancën urgjente në Kuvend për këtë takim me zyrtarin e lartë të FBI, të kërkuar nga PD zyrtare e kryesuar nga Alibeaj, pasi Parlamenti e futi në rendin e ditës.

Ajo që dihet zyrtarisht nga SHBA është se në gjykatë do të gjykohet vetëm fakti që McGonikal nuk kishte deklaruar një borxh të marrë nga një shtetas amerikan, Agron Neza, i cili ka qënë dikur oficer i Sigurimit të Shtetit shqiptar dhe për ironi të fatit nga Tropoja dhe mik i Berishës, si dhe mosdeklarimi i disa takimeve. Kështu funksionon shteti amerikan, dhe një borxh të japësh apo ta marrësh duhet ta deklarosh në organet kompetente.

Por Berisha i mësuar për të marrë 230 milionë euro me një dorë si në rastin e Rrugës së Kombit, apo 500 milionë euro si në aferën e CEZ-DIA, për të marrë prona badihava si në rastin e ish-kompleksit “Partizani” nga dhëndëri i tij, si dhe për të ngritur punishte municionesh si në Gërdec nga djali i tij që shkaktoi dhe 26 viktima, për të vrarë 4 demonstrues në mes të bulevardit e krime të tjera pa i ‘hyrë ferrë në këmbë’, pra i mësuar me këto bëma të pandëshkuara, tenton të krijojë idenë tek shqiptarët se kështu funksion dhe në SHBA. Si tek ne, me ‘kutin’ Berishës.

Dhe kulmin e mbërriti një ditë më parë, teksa referuar qytetarit ‘dixhital’, që në këtë rast është vetë Berisha, deklaroi atë që dhe një njeri që është nën nivelin normal të të menduarit, jo vetëm që nuk e thotë por as e beson një teori kaq të trashë konspiracioni, si ajo e “mbylljes së Ramës në një ishull ku po pyetet nga FBI”. Madje “qytetari dixhital” Berisha e përcakton të detajuar e me pika axhendën e “rrëfimit të Ramës në ishull”.

Aq në hall është Berisha pas shpalljes “non grata” dhe akuzës zyrtare për marrjen e financimeve nga rusët për të rrëzuar qeverinë legjitime të Shqipërisë dhe për të krijuar një vatër destabiliteti në Ballkan, sa kërkon me një mijë e një mënyra që të justifikojë para mbështetësve të vet, se atij ia paskan ‘futur’ që nga Sorosi e deri tek zyrtari i lartë i FBI, pa përjashtuar Edi Ramën këtu, që ai të sanksionohet nga SHBA dhe të quhet pikë kontakti e rusëve në Shqipëri.

Ndaj vazhdon me të njejtin intensitet të shpikë gjithçka që mund t’ia rrokë mendja një njeriu normal, për ta mbushur me lajme sistemin mediatik në Shqipëri, vetëm e vetëm që të shfaqet si një viktimë e një konspiracioni të madh të realizuar nga kryeministri Rama në bashkëpunim me shërbimin e kundërzbulimit amerikan dhe Sorosin, për të dëmtuar sikurse përsërit vetë Berisha, “opozitën dhe demokracinë në Shqipëri”.

Jo se nuk lexon Berisha, por nuk do që ta shohë, as shpjegimin shterrues që dha vetë media amerikane, referuar dosjes së ish zyrtarit të lartë të FBI, i cili pritet të gjykohet nga gjykatat amerikane.

Ka qënë gazeta Nju York Times ajo që në një artikull të publikuar ditë më parë, shkruan se nuk ka asnjë tregues që të provojë se McGonigal punonte për oligarkun rus, Oleg Deripaska gjatë kohës që ishte në detyrë. Pra kjo akuzë e ngritur ndaj Mc Gonigal bie pasi nuk provohet asnjë lidhje e tij me oligarkun rus gjatë kohës që ishte shefi i sektorit të kundërzbulimit në FBI.

Ndërsa përsa i përket Shqipërisë, përkundër akuzave që Berisha dhe opozita shqiptare ka bërë sa i takon korruptimit të Mc Gonigal nga Agron Neza biznesmen shqiptaro-amerikan dhe ish agjent i Sigurimit në kohën e komunizmit për llogari të kryeministrit Rama, në aktakuzën e autoriteteve amerikane nuk flitet fare për korrupsion po për mosdeklarim të të ardhurave nga ish zyrtari i FBI.

“Nuk ka asnjë tregues në aktakuzën e Manhatanit se z. McGonigal punonte për Oleg Deripaska ndërsa ishte ende i punësuar në F.B.I. Çështja ende po hetohet dhe një aktakuzë paralele në Uashington që e akuzonte zotin Mc Gonigal se kishte marrë të paktën 225.000 dollarë pagesa sekrete nga një ish-punonjës i një shërbimi inteligjent shqiptar kur ishte ende në agjenci, ka ngritur pikëpyetje se sa i kompromentuar mund të ketë qenë ai në këtë çështje”, thuhet ndër të tjera në artikullin e gazetës amerikane.

Por Berisha nuk i ‘ka mësuar’ këto elementë të publikuar në SHBA, pasi ai ka në kokë skemën e tij, në shërbim të halleve të tij personale. Nuk njeh as Agron Nezën, të cilin njëherë për pak e futi në burg në qeverisjen e parë, pavarësisht se kishte qënë truprojë dhe për të si vullnetar, dhe që në qeverisjen e dytë për pak e bëri ministër në kabinetin qeveritar, duke i atribuar shumë kontribute të shquara në favor të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ia lyp nevoja ta ketë “tabelë qitjeje”, anipse është një biznesmen dhe shtetas amerikan, anipse është djali i Bajram Nezës, ish zyrtarit të lartë të regjimit të kaluar në Tropojë, të cilin Berisha nuk linte rast pa e takuar. Agron Neza i duhet si armik këtë moment dhe po e sulmon si armik.

Dhe këtu ka një kontraditkë të madhe në ato që thotë Berisha. Nga njëra anë flet me detaje për gjithçka, duke thurur teori të mëdha konspiracioni, sikur ka qënë në “ishullin” ku “qëndroi për tre ditë sipas tij Edi Rama duke u pyetur nga agjentët e FBI”, sikur ka qënë pas ferrës dhe ka dëgjuar dhe mbajtur shënim gjithçka, sikur ka qënë prezent si hije në të gjitha marrëveshjet e supozuara nga vetë ai, mes Edi Ramës dh ish zyrtarit të FBI që i paskan bërë “puçin” ish kreut të PD për ta shpallur ‘non grata’ dhe për ta evidentuar nga CIA amerikane si filorusin më të madh në Shqipëri, që u financua me gjysmë milioni euro për të destabilizuar vendin.

“Thagma” këto që Berisha i nxjerr pas deklaratave se Rama është takuar kokë më kokë disa herë më të. Hajde merre vesh se si mund të mësohet se çfarë është biseduar në një takim ‘kokë më kokë’ mes dy personave. Vetëm Berisha ia “del mbanë” kësaj gjëje.

Por nga ana tjetër Berisha bën të paditurin për shumë e shumë gjëra. Sidomos për ato kiamete ku ka gisht ai dhe familja e tij, të cilat kanë shkaktuar dhjetra humbje jetësh të pafajshme, miliona eurosh të vjedhura, pronash të tjetërsuara dhe vrasjeve nga shteti i drejtuar prej tij në mes të bulevardit. Për këto nuk ka ‘dijeni” Berisha. Nuk i kupton.

Madje ende shqiptarët kanë dilema, nëse Berisha e ka mësuar se ku bie Gërdeci, fshati që hodhi në erë djali i tij me biznesin e demontimit të municioneve, duke vrarë 26 njerëz të pafajshëm dhe plagosur mbi 300 të tjerë. Berisha asokohe deklaroi se nuk e dinte ku binte Gërdeci, megjithëse e ka marrë me zvarritje gjatë zboreve një jetë të tërë.

Madje nuk dinte as se punonte baxhanaku në këtë punishte, duke i ngatërruar me qëllim dhe emrin, teksa deklaronte emrat e viktimave të këtij shpërthimi të korrupsionit shtetëror të drejtuar nga Shkelzeni, djali i tij, dhe për të cilin ishte angazhuar gjithë shteti, në fillim për ta ngritur dhe më pas për të mbrojtur krimin që ndodhi. Duke shkatërruar dhe drejtësinë shqiptare nga themelet.

Ndaj nuk e besojnë më shqiptarët Berishën. I ka mashtruar aq shumë, sa dhe historinë më të bukur konspirative të tregojë, gjithnjë do t’ju kujtohet se tha se nuk e dinte ku binte Gërdeci, nuk njihte baxhanakun e tij. Pa përmendur këtu bëmat e tjera, që nga korrupsioni madhor, vrasjet e demonstruesve nga shteti i drejtuar prej tij, tjetërsimi i pronave dhe mbi të gjitha shkatërrimi nga themelet i drejtësisë, politikës dhe në veçanti PD-së.

Në fund të herës, Berisha ka arritur në atë derenxhe sa është bërë jo vetëm qesharak, por dhe sikur të thotë ndonjë gjë të vërtetë, askush nuk e beson më. Aq më tepër t’i besojë votën dhe qeverisjen e vendit nesër. Dhe kjo është tragjedia më e madhe, sepse e ka unifikuar veten me grupimin më të madh në PD deri më tani. Shpresojmë të ndryshojnë raportet në PD, pasi do të shpëtohej opozita nga Berisha, i cili e ka marrë peng. Ndryshe opozitarët të lusin Zotin…!

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • labi: 31/01/2023 10:18

    E di sala dhe gerdecin se akoma ai dhe familja e tij i kane duart me gjak per 26 te vraret bashke me camin e shkozetit ME parate e tyre ,qe nuk dihet ku jane,u bene miliardere. GJYKATA E nje fare maloku gjin gjoni dhe nje policie tip kulici i nxorri te pafajshem ndihmoi pak dhe presidenti me karagjos bamir topi UNE JAM LAB DHE I DUA MALESORET,POR MALESORE SI KETA MOS I PAFSHA KURRE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda

Rriten investimet e huaja në vend, rekord në pasuri të patundshme! Kryesojnë Turqia, Italia dhe Holanda