Berisha
Mungesën e kryeministrit, Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ish-kryeministri Berisha e ka quajtur një fshehje për t’u përballur me realitetin kriminal që ka mbërthyer vendin. Duke e konsideruar biznesmenin Artan Santo si një person që i përkiste së majtës, ish-kryeministri ka deklaruar se pas ekzekutimit mafioz të tij fshiheshen shumë prapaskena. Sipas tij, paaftësia e policisë për të zbardhur ngjarjen dhe nxjerrja në dritë e disa pistave të tjera që e lidhnin ngjarjen me trafikun e drogës në Kolumbi, ishin ekzekutimi i dytë që i’u bë biznesmenit Santo.
“E vratë për së dyti dhe e poshtëruat në mënyrën më cinike. Ju për arsyet tuaja e shpallët atë pistë kolumbiane, pista e Mamurrasit. Nga një hero që e kishin tani duhet të poshtërohej për së vdekuri”, deklaroi Berisha. Largimin e pashqetësuar të dy vrasësve me pagesë pas ekzekutimit të biznesmentit Artan Santo, ish-kryeministri e arsyetoi duke hedhur dyshime se eleminimi i tij është bërë ose me urdhër të qeverisë aktuale ose për shkak të mungesës së shtetit. Për Berishën është e pakuptueshme se si një njeri aq i pushtetshëm të vritet në një vend ku ishin 30 policë dhe për tu larguar duhej të kaloje 7 postblloqe policie të cilat atë dinë nuk funksionuan. Sipas Berishës prej kohësh kryeministri teksa kthehet nga vizitat jashtë vendit, kërcënon kreun e Kuvendit Meta se i është kërkuar ta arrestojnë.
Berisha ka sqaruar se ky fakt është i vërtetë dhe ndodh për shkak se vetë Rama gjatë kohës që ka qenë në opozitë i ka dërguar kancelarive të huaja dosjet e Ilir Metës. “Cili është bashkëkryetari?! Bashkëkryetari është një person i cili bashkëkryetari tjetër sa herë që kthehet nga jashtë i thotë, - “më kërkuan të të arrestoj”. Dhe ia kanë kërkuar jua them unë, nuk e gënjen. Jo! Po pse i kërkojnë ta arrestojnë, dhe unë do t’ju them se s’më kanë kërkuar asnjëherë që ta arrestoj. Absolutisht asnjëri”, deklaroi Berisha. Ish-kryeministri deklaroi se nuk ka përdorur kurrë fjalë banale ndaj vartësve të tij dhe se dënimin e mori vetëm se citoi fjalët e kryeministrit. Berisha ka kujtuar se edhe ofendimi që ka bërë në drejtim të ish-kryeprokurores Ina Rama ka qenë i merituar
Debatet
Pjesë e debateve dje në Kuvend janë përfshirë edhe ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe deputeti socialist Besnik Bare. Gjatë diskutimit të tij në lidhje me mbrojtjen e diversitetit deputeti Bare, është ndërprerë nga deputetja Topalli e cila ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës.” S’kam gjë me parafolësin dhe pasionin që ka për biodiversitetin, por në rend të ditës duhet vënë jeta e njeriut para jetës së lepurit”, ka deklaruar Topalli. Ndërkohë deputeti Bare e ka akuzuar deputeten demokrate si njeriun më të dhunshëm në sallën e Kuvendit.
Sherr në seancë në fund deputetet bashkojnë votat
Edhe pse diskutimi për gjendjen e kriminalitetit në vend ngjalli debate të forta mes palëve, opozita në fund votoi pro. Raporti i Prokurorisë për kriminalitetin në 2013 ishte diskutuar dhe miratuar edhe më parë në Kuvend. Por gjatë seancës së djeshme deputetët e djathtë shfrytëzuan vrasjen e biznesmentit Artan Santo për të ngjallur diskutime të forta. Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar përgjatë gjithë fjalës së tij qeverinë për gjendjen në të cilën është krimi sot dhe lidhjet e tij me politikën.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 4 Korrik 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)