BERLIN, 4 janar /ATSH-AFP/ - Gjermania shpreson se Greqia do t'i respektojë angazhimet e marra në kuadër të planit evropian të shpëtimit, theksoi sot një zëdhënës i qeverisë.
"Greqia i ka mbajtur angazhimet në të shkuarën. Qeveria mendon gjithashtu se Greqia do të vazhdojë t'i përmbushë angazhimet konktraktuale kundrejt kreditorëve të vendit", deklaroi Georg Streiter.
Ky i fundit iu përgjigj informacioneve të publikuara dje nga e përjavshmja "Spiegel", sipas të cilave kancelarja gjermane Angela Merkel ishte e gatshme të lejonte Greqinë të dilte nga eurozona, në rast se e majta radikale do të vinte në rrezik politikën shtrënguese buxhetore në këtë vend.
"Qeveria gjermane e gjykon pothuajse të pashmangshme një dalje të Greqisë nga zona euro, nëse kreu i opozitës, Alexis Tsipras (e majta radikale Syriza) drejton qeverinë pas zgjedhjeve legjislative, braktis linjën shtrënguese buxhetore dhe nuk rimburson më borxhet e vendit'', konfirmoi në faqen e saj në internet e përjavshmja duke u mbështetur në burime të afërta me qeverinë gjermane.
"Angela Merkel dhe ministri i Financave, Wolfgang Schauble kanë ndryshuar mendim dhe tashmë e gjykojnë të pranueshme një dalje të vendit nga monedha e përbashkët për shkak të progreseve të bëra nga zona euro që prej samitit të krizës në vitin 2012", vijon e përjavshmja "Spiegel", gjithmonë në bazë të këtyre burimeve.
Lideri i Syrizas, Alexis Tsipras, kishte theksuar se dëshironte t'i jepte fund politikës shtrënguese vendosur vendit nga kreditorët ndërkombëtarë në këmbim të rreth 240 miliardë eurove kredi. Ai u shpreh gjithashtu për një ristrukturim tjetër të borxhit publik që ka zhytur në krizë ekonominë greke./
/ec/