‘BERLIN POLICY JOURNAL’/ AKK: Rusia kërkon të destabilizojë Europën

‘BERLIN POLICY JOURNAL’/ AKK: Rusia kërkon të destabilizojë Europën

Intervista e Kramp-Karrenbauer , për BERLIN POLICY JOURNAL. Kramp-Karrenbauer flet në këtë intervistë për rrezikun rus i cili kërkon sipas saj të destabilizojë Europën.
Më poshtë po ju sjellim të plotë intervistën e Kramp-Karrenbauer të cilën muna ta lexoni edhe nga origjinali në linkun https://berlinpolicyjournal.com/russia-wants-to-destabilize-europe/

AKK: Rusia kërkon të destabilizojë Europën

Zonja Kramp-Karrenbauer, si një saarlandeze (shtet në Gjermani, Saarland), ju jeni shumë e njohur për qëndrimin tuaj të përkushtuar pro europian. Sidoqoftë, ju duhet të krijoni emrin tuaj në arenën e politikës së jashtme – a është kjo një temë që ju intereson?

Politika e jashtme ishte ajo që më shtyu drejt politikës për herë të parë. Po të hedhim vështrimin pas, ishte invazioni sovjetik në Afganistan dhe debatet lidhur me vendimin ambig të NATO-s.

Sot, unë kam zbuluar se ka ende boshte për të cilat ne duhet të shqetësohemi. Le të marrim fillimisht boshtin europian. Ai qëndron në mënyrë të vendosur në interesin gjerman për të siguruar që Europa të ketë fuqinë të veprojë. Boshti i dytë është një bosht funksional transatlantik. Në këtë moment, sidoqoftë, diskutimet mes SHBA dhe Europës, Gjermanisë në veçanti, janë rritur në mënyrë të vrazhdë dhe më të vështira. Një sfidë e madhe për ne është ta ruajmë këtë aleancë dhe këtë miqësi, sepse ajo është më e rëndësishme se kurrë. Është një shenjë e vërtetë paralajmëruese kur një sondazh i qytetarëve gjermanë tregon se ata kanë më shumë besim te presidentët e Rusisë, madje edhe të Kinës, dhe pastaj te presidenti i SHBA-së.

Por, ju vetë keni thënë se edhe Trump edhe Putini janë të dy njësoj të vështirë. A nuk duket se ju i barazoni të dy ata?

Jo, nuk është çështja e barazimit mes tyre. Përsa u takon qëndrimeve, vlerave dhe solidaritetit historik, unë jam më pranë SHBA-së, pavarësisht diskutimeve aktuale politike. Ajo që unë nënkuptoj me këtë është se të dy kombet kanë sfidat e tyre vetjake në klimën aktuale. Për SHBA, sfida është fillimisht në faktin se, për momentin le të themi, ne kemi një administratë politike që është e shkëputur nga disa lidhje nga marrëveshjet ndërkombëtare. Kjo rrugë veprimi ka një efekt të konsiderueshëm në çështjet gjeopolitike.

Në kontrast me këtë, Rusia është një fqinjë më e madhe dhe më e afërt me Gjermaninë, por edhe një fqinjë më problematike. Rusia ka axhendën e saj të vetën. Dhe kjo axhendë në mënyrë të dukshme përfshin një përpjekje për të destabilizuar Europës dhe, për pasojë, Gjermaninë. Ajo kërkon të përdorë fqinjët e saj të dobët për të nxitur forcimin e vet. Kjo bie ndesh me interesat e Europës dhe Gjermanisë.

Meqenëse po flasim për këtë temë, unë dua të përmend edhe sfidën që paraqet Kina. Ajo qeveriset nga një regjim i fuqishëm, vlerat e të cilit ndryshojnë qartësisht nga tonat. Ajo do të zbatojë rregullat e veta në botë për një kohë të gjatë.

Le të hedhim një vështrim më të afërt tek SHBA. A nuk janë gjermanët duke gënjyer veten me skepticizmin e tyre mbi Trump? Në fund të fundit, tendenca amerikane për t’u tërhequr në vetvete ishte e dukshme edhe nën udhëheqjen Barack Obamës – ai vetë nuk arriti të ratifikonte siç duhet Marrëveshjen e Parisit për Klimën. Ka patur gjithmonë një tendencë drejt introversionit kombëtar në politikën amerikane, përfshirë edhe nën drejtimin e Obamës. Gjatë rrjedhës së historisë, ne i shohim të dyja orientimet – angazhimin ndërkombëtar dhe tërheqjen – në luftë me njëri-tjetrin. Ajo që është e re, megjithatë, është se nën politikën ndërkombëtare të Trump kjo gjë shihet si një biznes i madh. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për marrëdhënien me Europën dhe me NATO-n.

A mendoni se është e mundur të zmbrapseni nga kjo? Disa do të thonë, sigurisht, se SHBA-ja është e sigurtë se do të vazhdojë në këtë rrugë. A mendoni se mund të korrigjohet?

Për momentin, unë ende nuk mund të shoh ndonjë debat të zgjeruar në SHBA që mund të flasin për një ndryshim të kursit. Kjo është arsyeja pse Gjermania dhe Europa janë të nevojshme, prandaj duhet të marrim më shumë përgjegjësi. I gjithë debati rrotullohet rreth politikës së sigurisë dhe mbrojtjes. Është një çështje e qëndrimit tonë në një botë që ndryshon. Duhet të pyesim veten nëse jemi të kënaqur që thjesht jemi një nga ekonomitë më të forta në botë ose nëse duam të marrim më shumë përgjegjësi politike. Ajo me të cilën po përballemi është një diskutim shumë i vështirë për politikën e brendshme.

Pra, sipas mendimit tuaj, Gjermania nuk është thjesht një “Zvicër e madhe”?

Jo, Gjermania kurrë nuk mund të jetë një “Zvicër e madhe”. Gjermania duhet të pranojë më shumë përgjegjësi. Ne jemi tani një qendër shumë e fortë në Evropë, kjo është diçka që kam vënë re në Bruksel. Gjermania ka kapacitetin për t’u kujdesur edhe për interesat e ndryshme të partnerëve të saj më të vegjël europianë dhe për të garantuar një ekuilibër – dhe kjo është ajo që pritet nga ne. Por ne duhet të luajmë një rol më të madh në mbrojtje. Debati për dy përqindshin është më shumë se një çështje parash, është gjithashtu një çështje e cilësisë. Ne duhet të diskutojmë sigurinë në internet, infrastrukturën dhe mbrojtjen e saj, si dhe pajisjet dhe fuqinë e mdhe punëtore. Nuk ka aspak kuptim të rrisim trupat e NATO-s kur nuk mund t’i lëvizim ato nëpër Europë në raste urgjente, sepse rrugët dhe urat e saj nuk janë të përshtatshme për këtë punë.

A nuk tingëllon si një taktikë diversionare pjesa e objektivit prej 2% që Gjermania nuk e ka arritur? Veçanërisht pasi qeveria gjermane po synon vetëm 1,5% deri në vitin 2024. Ne duam t’i përmbahemi objektivit prej 2%, por vetëm një pjesë e PBB-së nuk është bindëse në vetvete, pasi në periudhat e recesionit ekonomik ju mund të flisni për rritje të normave pa para shtesë. Me rritjen e qëndrueshme të PBB-së, 1,5% tashmë është një përpjekje e konsiderueshme por e nevojshme. Një qeveri duhet sigurisht të merret me kërkesat e tjera për shpenzime në buxhetin e saj. Por, siç them, ne gjithashtu duhet të kemi një debat për cilësinë. Ju mund të shikoni llogaritjet për kombet e tjera: deri diku kjo do të jetë për forcat bërthamore, dhe pjesërisht për mirëmbajtjen e bazave të shtrenjta jashtë shtetit.

Pse nuk do të jepni ndonjë shifër të saktë – a nuk do të ishte një qasje më e ndershme? Siç duket, 1,5% e buxhetit për forcat e armatosura federale nuk do të ishte e barabartë me rreth 60 miliardë euro?

Unë nuk e kam problem të jap shifra të qarta. Shifrat manifestohen më së voni gjatë planifikimit financiar afatmesëm dhe në buxhet. Megjithatë, në lidhje me këtë, më kujtojnë përgjegjësinë e parlamentit: krahas forcave të armatosura federale, ne gjithashtu kemi një ushtri parlamentare që mund të vihet në punë vetëm pas zgjidhjeve të arritura në Bundestag. Megjithatë, si ligjvënës buxhetor, Bundestagu duhet gjithashtu të sigurojë që forcat e armatosura federale janë të pajisura mjaftueshëm për t’u kthyer nga misionet shëndosh e mirë. Përndryshe, do të duhej të zhvillonit një debat të ndershëm dhe të bënit thirrje për shpërbërjen e forcave të armatosura.

Pse duket të jetë kaq e vështirë në Gjermani që të zhvillosh një debat të hapur mbi politikën dhe sigurinë e jashtme?

Ndoshta kjo ka lidhje me historinë tonë. Por kohët kanë ndryshuar: Europa dhe Gjermania qëndrojnë në një udhëkryq. A duam të luajmë një rol të pavarur në nivel global? Nëse është kështu, ne duhet të bëjmë përpjekje më të mëdha në këtë drejtim – dhe kjo vlen veçanërisht për Gjermaninë. Veçanërisht pasi ne, ndryshe nga pothuajse çdo komb tjetër, mbështetemi shumë në një situatë të qëndrueshme ndërkombëtare për eksportet tona. Siç them, nuk ka më një dallim klasik midis politikës së brendshme në njërën anë dhe politikës së jashtme nga ana tjetër. Siç kemi parë me politikën e migrimit, destabilizimi në zonën përreth Europës do të ndikojë shpejt ose vonë në politikën e brendshme. Kjo është arsyeja pse ajo tenton të rëndohet kur debatet ndjekin modelin e njohur të njërës palë që mbështet armët dhe tjetra që mbështet pensionistët e varfër gjermanë. Ky lloj debati nuk ka lidhje me një politikë të përgjegjshme gjermane.

Ish-ministri i Jashtëm, Sigmar Gabriel ka paralajmëruar për një pasojë tjetër. Mos ndoshta shpenzimet e rritura ushtarake nga ana e Gjermanisë do të trembnin fqinjët e saj të BE-së? Gjë që është e vërtetë, si në paralajmërimin e Gabrielit, ashtu edhe në fjalët e ish-ministrit të Mbrojtjes, Volker Rühe, i cili ka deklaruar që Forcat e Armatosura Federale duhet të jenë ushtria më e fuqishme në Europë.

Mendoj se kemi ende shumë punë për të bëra para se të bëhemi ushtria më e fuqishme e Europës (qesh). Ky madje s’është aspak qëllimi im. Paralajmërimi i Gabrielit është i pavërtetë në dy aspekte, pasi ne nuk po flasim për një garë mes ushtrive kombëtare. Ne po diskutojmë për forcat e armatosura që janë të përfshira në aleanca, si NATO, që, në shumë aspekte, janë të lidhura ngushtësisht me Europën. Dhe qëllimi im i shprehur është që ne të punojmë për krijimin e një ushtrie tjetër europiane në terma afatgjatë. Në këndvështrimin tim, nuk ekziston asnjë rrezik që vetë Gjermania të kthehet në një rrezik.

Mendoni se integrimi i Europës duhet të kërkojë që Franca të zgjerojë mburojën e saj bërthamore në Gjermani dhe BE, siç u sugjerua nga kryetari i Konferencës së Sigurisë së Mynihut, Ëolfgang Ischinger?

Me pezullimin e traktatit të armëve bërthamore me rreze të mesme veprimi, sigurisht që do të përballeshim me një situatë të re. Por të gjitha përpjekjet duhet të synojnë pikësëpari drejt arritjes së një marrëveshjeje në gjashtë muajt e mbetur. Ne në fakt do të kërkonim një traktat që do të përfshinte jo vetëm Rusinë dhe SHBA, por edhe fuqi të tjera si Kina dhe vende të tjera që zotërojnë armë bërthamore. Veç kësaj, unë nuk do të përjashtoj asnjë opsion nga tryeza e diskutimeve dhe nuk do të këmbëngul në një opsion të paracaktuar që në fillim.

Po thoni se nuk do të përjashtoni asnjë opsion. Mos doni të thoni që do të konsideroni mundësinë e pajisjes së Gjermanisë me armë bërthamore?

Jo, kurrë.

Ju e akuzuat Rusinë se po përpiqet të destabilizojë Gjermaninë dhe BE-në. A duhet që qeveria të përcaktojë një qasje tjetër në marrëdhëniet me Moskën?

Para së gjithash, Rusia është një vend shumë i madh dhe i larmishëm me një popull të mrekullueshëm dhe potenciale të jashtëzakonshme. Në të njëjtën kohë, në Rusi është një qeveri që ndërmerr akte drastike dhe të ashpra brenda vetë vendit të saj dhe u mohon të drejtën e vetëvendosjes popujve të tjerë. Konfliktet në Gjeorgji dhe Ukrainën Lindore, si dhe aneksimi i Krimesë e kanë treguar këtë. Duhet të jemi të qartë për këtë. Nëse Rusia ndërmer fushata dizinformimi në Perëndim, apo për të ndikuar në proceset zgjedhore, atëherë s’mund ta fshehim këtë.

Shumë njerëz tani ankohen lidhur me sanksionet ekonomike të BE-së. Por kritikët duhet të tregojnë një alternativë. Ata nuk besojnë se ne duhet t’i pranojmë veprimet e Rusisë, që shkelin ligjet ndërkombëtare, por as nuk ofrojnë ndonjë ide për sanksione të tjera. Meqë ne e kemi përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake, atëherë unë mbështes lënien në fuqi të sanksioneve, derisa të gjendet një zgjidhje tjetër më e mençur.

Por, a nuk bie ndesh me këtë projekti i gazsjellësit “Nord Stream 2”?

Në këndvështrimin tim, gazsjellësi “Nord Stream 2” përbën konflikt interesi. Është një projekt ekonomik, që u iniciua shumë kohë më parë, kur në pushtet ishte një qeveri tjetër në Gjermani. Veç kësaj, ne kemi ruajtur marrëdhënie ekonomike me Rusinë edhe në kulmin e Luftës së Ftohtë, si edhe në çështjet e sigurimit të energjisë. Këto kanë qenë çështje të qëndrueshme. Kështu, në fakt është çështje interesash. Është natyrisht në interes të Gjermanisë, por edhe të Ukrainës dhe të popujve të Europës Lindore. Janë pastaj partnerë të tjerë si SHBA-ja, që po ndjek interesat e saj ekonomike. Është natyrisht e ligjshme të shtrohet pyetja nëse Gjermania po bëhet gjithnjë e më e varur nga gazi rus. Aktualisht ne po ndërtojmë edhe terminale të gazit të lëngshëm natyror, që ndoshta do të shërbejnë për gazin amerikan. Në këtë aspekt, nuk mendoj se varësia përbën ndonjë rrezik serioz.

Sado kontradiktore të jetë çështja e këtij gazsjellësi, duhet të jemi realistë e të pohojmë se kjo është e pashmangshme. Janë kontrata dhe leje për të cilat duhet menduar. Nuk kam kohë për politikë, që bën deklarata të forta se çfarë duhet bërë, në një kohë që është plotësisht e vetëdijshme për situatën kontraktuale.

Por, SHBA është ende duke rritur presionin për të përfunduar gazsjellësin – madje edhe me kërcënimet e sanksioneve. Kërcënimi i njëri-tjetrit me sanksione nuk është mënyra më e mirë për t’u marrë me partnerët dhe miqtë. SHBA ka interesat e veta ekonomike, të cilat janë të ligjshme. Dhe është e shqetësuar se Gjermania, një nga ekonomitë më të forta në botë, është shumë e varur nga Rusia. Por, Uashingtoni duhet të dëgjojë përgjigjen e Gjermanisë: ne jemi në procesin e diversifikimit dhe kemi burime të tjera të furnizimit. Dhe ne kemi përvojën nga historia që na tregon se Rusia ka qenë gjithmonë një furnizues i besueshëm i gazit, madje në kulmin e konfliktit.

Por, a nuk është ”Nord Stream 2” simbol i faktit që ju nuk i përfillni gjithmonë interesat e partnerëve më të vegjël të BE-së?

Për veten dhe shumë të tjerë, ”Nord Stream 2” nuk është një projekt që është sipas dëshirës sonë. Por, vendimet themelore në zemër të projektit u bënë në të kaluarën. Projekti nuk mund të ndryshohet. Ne gjithashtu kemi interesa shumë legjitime ekonomike kur është fjala për furnizimin me energji. Konsultimet në Bruksel kanë treguar se askush nuk është i dëshpëruar për të marrë rrugën e tij ose të saj. Mbetet fakt se mbajtja parasysh e interesave të fqinjëve tanë europianë dhe zbatimi i interesave të lartpërmendura kanë qenë gjithmonë dhe mbeten një konstante në politikën e jashtme gjermane.

A paraqet Kina më shumë një sfidë apo një mundësi?

Ne kemi parë gjithmonë ekonominë e tregut social si një model ekonomik dhe një model për shoqërinë. Ky model dëshmoi epërsinë e tij në konfliktin e sistemit të vjetër me shtetet komuniste. Por, Kina është një nga konkurrentët tanë, një vend që është ekonomikisht i suksesshëm pa ndarë modelin tonë shoqëror. Dhe kjo është një sfidë e madhe.

Unë nuk kam frikë nga Kina. Megjithatë, sigurisht që kemi nevojë për një lloj politike strategjike industriale në këtë konkurrencë midis sistemeve.

Merrni rezolutën e BE-së mbi ”Siemens-Alstom”. Duke pasur parasysh të gjitha ligjet europiane dhe kombëtare të konkurrencës, ju mund të kuptoni pse Komisioneri i BE-së për Konkurrencën arriti në vendimin që mori. Por, është zor te thuhet se Kina nuk do të ngrihet për t’u bërë një konkurrent i rëndësishëm në sektorin hekurudhor në Europë në tetë deri në 10 vitet e ardhshme. Kjo është arsyeja pse mendoj se fjalët e ministrit të Ekonomisë, Peter Altmaier, ofrojnë një mundësi absolutisht të domosdoshme dhe të vonuar për reflektim. Unë jam e bindur se ne kemi nevojë për një pozitë të ndryshme strategjike në politikën industriale në një moment apo në një tjetër. Kjo nuk lidhet aspak me mbështetjen time për zhvillimin e ndërmarrjeve shtetërore. Ky është një diskutim i cili është shumë i tejkaluar.

A shqetësoheni që europianët do të shtypen përfundimisht mes dy superfuqive, SHBA-së dhe Kinës – apo ata do të duhet të zgjedhin një anë?

Ne europianët jemi në udhëkryq. Nëse nuk jemi më në gjendje të pohojmë politikën dhe vlerat tona, ne rrezikojmë të mbetemi peng në lojërat e një kombi apo tjetri. Për të parandaluar këtë, ne kemi nevojë për një Europë të bashkuar, e cila ka fuqinë për të vepruar.

Një pyetje tjetër për ju: Ku i përcaktoni kufijtë gjeografikë të Europës dhe, për më tepër, BE-në?

Kur shihni dy nga kombet themeluese të BE-së, Francën dhe Italinë, duke punuar së bashku tani, e kuptoni se problemi më i ngutshëm rrethon cilësinë e komunitetit tonë sesa çdo çështje e dimensioneve gjeografike. /lexo.al

er.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja