Vllaznia do të luajë të dielën ndeshjen e javës së 4 të Superligës, teksa për shkodranët 3 pikët janë shumë të rëndësishme pasi në 3 javë kanë siguruar 2 barazime dhe 1 humbje. Në prag të sfidës për transfertën në Laç foli Erdenis Gurishta, i cili prej shumë vitesh synon të fitojë titullin me Vllazninë, por deri më tani ka qenë e pamunur.
“Padiskutim që ndaj Laçit është një sfidë shumë e vështirë, duke pasur parasysh që edhe Laçi vjen pas humbjes në shtëpi me Durrësin, ne vijmë pas humbjes në shtëpi ndaj Partizanit. Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë. E dimë që Laçi është një ekip shumë i fortë sidomos në shtëpinë e vetë. Ne do bëjmë çmos që të tentojmë maksimumin.
Dy pikë në 3 ndeshje janë shumë pak për Vllazninë. Duke pasur parasysh se dy ndeshje kemi pasur në shtëpi dhe një jashtë. Po të bëjmë një analizë profesionale, unë mendoj se kemi merituar më tepër,”-u shpreh fillimisht ai.
Erdenis Gurishta nuk mund të mos ndalej në një ndër episodet më të famshme të sezonit të kaluar, kur në ‘final-four’ ai mori një bryll nga lojtarët e Egnatias që e la për shumë kohë të dëmtuar dhe në fund solli një sherr masiv mes lojtarëve. Kjo bëri që ai më pas të pezullohej me 6 ndeshje nga kampionati.
“Jam mirë, në fillim ishte e nevojshme vendosja e maskës, tani jam i gatshëm 100 %. Nuk dua të krijoj polemika, por besoj se e kanë parë të gjithë qartë, një moment i ndeshjes ndryshoj gjithçka. Më vjen mirë që Egnatia është në grupet e Ligës së Konferencës sepse ja rrit vlerat dhe kampionatit shqiptar. Por, nga ai bërryl, mendoj se do të ishte Vllaznia ose Elbasani kampione e Shqipërisë. Ai bërryl ndryshoi gjithçka, ai bërryl na la me pasoja dhe e shpalli Egnatian kampione.
Siç gabojmë ne futbollistat, mendoj se edhe arbitrat gabojnë herë pas herë. Tani që është dhe VAR-i gabimet duhet të jenë më të pakta. Nëse arbitri në fushë gabon, atëhere VAR-i përse shërben? Arbitrat në VAR janë të ulur në karrige, e shikojnë më qartë e shikojnë përsëritje, gabimet duhet të jenë pothuajse 0.
Në qoftë se arbitri në fushë Enea Jorgji, nuk e shikon qartë dhe mund t’i ikë ndonjë bërryl dhe jep karton të verdhë, mendoj se arbitri në VAR duhet ta japi patjetër të kuqe,”-deklaroi Gurishta.
Edhe këtë sezon Vllaznia e nisi me shumë pretendime ndaj arbitrave. Kjo u bë shkak edhe për goditjen me grusht të gjyqtarit të katërt në ndeshjen Elbasani-Vllaznia ku si pasojë presidenti Alban Xhaferri u dënua me 15 ndeshje përjashtim.
“Ashtu ndodhi në Elbasan. Nuk e kuptoj pse arbitri në VAR, mund ta anulojë atë gol. Duhet të jemi më të përgjegjshëm te pjesa e arbitrat, është mundi i gjithë lojtarëve. Gjërat akumulohen, lojtarët nuk janë të qetë, shfaqen problematika të tjera. Ne duhet të jemi të qetë, nuk duhet ta mbajmë mendjen tek ato që kanë kaluar. Gabojmë shumë, do fusim presion te çdo lojtar. Nuk mundtesh të japësh maksimumin ashtu. Duhet të jemi më të përgjegjshëm si ne si arbitrat. Kush ta meritojë ta fitojë. Kur ka ardhur Egnatia në Shkodër ka fituar 4 me 0 gjithë stadiumi e ka duartrokit. Vitin e kaluar mendoj se ekipi më i mirë kemi qenë ne dhe Elbasani.
Erdhi Egnatia rastësisht në “Final 4″, e dorëzuar, u fut në lojë sepse ne gabuam me Dinamon. Ne ishim me një këmbë në greminë, ndeshjen me Egnatian edhe pjesa e arbitrave ne hodhi me 2 këmbë në greminë. Egnatia u fut në luftën për titull. Egnatia vitin e kaluar 4 ndeshje që ka luajtur me ne asnjë nuk ka fituar. Katër ndeshje që ka luajtur me Elbasanin asnjë nuk ka fituar. Egnatia ishte e dorëzuar te pjesa e titullit kampion.
U fut për titullin kampion, sepse ne gabuam me Dinamon, ishte gabimi jonë. Ishte i pafalshëm ai gabim. Pak me gabime tona, pak me pjesën e arbitrave, Egnatia doli kampion. Unë iu uroj më të mirat, ata janë në grupe, e kanë rritur vlerën e kampionatit. Dua të them që një moment ndryshon gjithçka,”-deklaroi ai.
Në fund Gurishta foli edhe për mbrojtësin e kombëtares Elseid Hysaj, i cili prej disa kohësh po stërvitet me klubin shkodran, pasi është pa kontratë. Më herët pati edhe zëra se ai mund të vijojë karrierën në Shqipëri, ndërsa sëfundmi flitet me siguri se mund të vazhdojë karrierën në kampionatin rus.
“Ne jemi në kontakt për ditë me Elseid Hysajn, është një djalë i shkëlqyer. I uroj më të mirën, është duke u stërvitur me ne për një periudhë jo të vogël. Ai po pret disa lëvizje nga jashtë. Me sa kam informacion dhe komunikim, besoj se shumë shpejt do të zyrtarizohet jashtë. Ai ka mundësi që të luajë në nivele të larta. S’besoj se do të jetë diçka për në Shqipëri,”-përfundoi ai.
Laçi-Vllaznia të dielën në Kurbin nis në orën 16:00.











Komente
Komento