TIRANË - Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim njoftoi se do të akordojë një kredi prej 100 milionë eurosh për Agjencinë Shqiptare të Sigurimit të Depozitave.
Kredia është në formën e garancisë dhe mund të përdoret nga Agjencia e Depozitave vetëm nëse do të ketë nevojë në rastet e goditjeve të mundshme në sistemin bankar.

Në njoftimin për shtyp BERZH thotë se qëllimi i kredisë është të parandalojë dështimin e mundshëm të ndonjë banke dhe izolimin e saj për të mos u shndërruar në rrezik sistemik për gjithë sistemin. Sipas BERZH kjo kredi përmirëson treguesin e mbulimit të depozitave nga ana e Agjencisë, duke siguruar mbrojtje më të mirë për depozituesit dhe forcuar besimin në sistemin financiar të vendit.

Sipas ligjit shqiptar, Agjencia e Sigurimit të Depozitave garanton në masën 100 për qind të gjitha kursimet e individëve në banka që janë deri në 2.5 milionë lekë. Për BERZH funksionimi i mirë i skemave siguruese të depozitave konsiderohet si element kritik për sistemin financiar duke ndihmuar në rritjen e besimit të qytetarëve tek bankat. Në Shqipëri depozitat janë burimi kryesor i fondeve për bankat.

Shkrimi u publikua sot (27.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)


Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)