Në qetësinë e thellë të zonës në njësinë administrative Zerqan, në fshatin Strikçan, dhjetëra besimtarë u mblodhën për pelegrinazhin e përvitshëm në teqenë e Baba Rushit Tolles, një vend që prej dekadash mbetet simbol i besimit, përkushtimit dhe traditës shpirtërore.
Që në orët e para të mëngjesit, rrugët drejt teqesë u mbushën me pelegrinë të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, por edhe nga diaspora. Të udhëhequr nga besimi dhe dëshira për paqe shpirtërore, ata iu drejtuan këtij vendi të shenjtë për të kryer ritualet, për t’u lutur dhe për të kërkuar mbarësi në jetën e tyre.
Nga Kryegjyshata Botërore Bektashiane ishte i pranishëm dervish Hasan Carkanji.
Atmosfera në teqe ishte e veçantë: lutjet e përbashkëta krijonin një ndjesi paqeje dhe përulësie.
Besimtarët ndanë mesazhe tolerance, dashurie dhe bashkëjetese – vlera që përbëjnë thelbin e kësaj rruge shpirtërore.
Për shumë prej pjesëmarrësve, pelegrinazhi në teqenë e Baba Rushit Tolles nuk është vetëm një traditë, por një moment reflektimi dhe lidhjeje me rrënjët e tyre. “Vij çdo vit këtu për të gjetur qetësi dhe për të falënderuar për gjithçka kam”, shprehet një prej pelegrinëve.
Fjalën e rastit e mbajti sekretari i teqesë së Bllacës, Bektash Jangulli, ku përshëndeti të pranishmit dhe foli për figurën e Baba Rushit Tolles.
Ky pelegrinazh, tashmë i kthyer në një ngjarje të rëndësishme për komunitetin, jo vetëm që ruan dhe përcjell vlerat shpirtërore, por edhe forcon lidhjet mes njerëzve, duke e bërë Strikçanin një pikë referimi për besimin dhe traditën në këtë zonë.
Komente










