Besimi i humbur, si lulja e këputur.
Ç’duhet bërë më parë?

Kohë të kaluara, latinët shtuan në fjalorët e gjuhës së tyre foljen ‘corrumpire’, që do të thotë të thyesh, të prishësh, të dëmtosh moralin dhe ndërgjegjen e një personi në marrëdhënie me një tjetër që kryen detyrë publike. Gjithashtu, që atëhere, në të drejtën romake zuri vend për herë të parë një ligj i përpiluar posaçërisht kundër këtij fenomeni të vjetër, që me kalimin e shekujve pësoi evolucionin e vet. Për shpjegime të mëtejshme të këtij evolucioni mjafton ta hedhim vështrimin në ditët e sotme, kur 15 vjet më parë (21 janar 1999) u nënshkrua në Strasburg nga Shtetet Anëtare të Këshillit të Europës një dokument i njohur si ‘Konventa Penale për Korrupsionin’.

Nga teksti i saj (kërkuar te Seria e Traktateve Evropiane/173) lexojmë në nenin 2 përkufizimin: “Secila Palë do të miratojë masa të tilla legjislative dhe të tjera, që janë të nevojshme, për përcaktimin si vepra penale, sipas legjislacionit të saj kombëtar, kur kryhen me qëllim premtimin, ofrimin apo dhënien direkt ose indirekt të çfarëdolloj avantazhi, që nuk i takon cilitdo zyrtar publik të asaj Pale, për vete ose për dikë tjetër, ndaj tij/saj, për të vepruar ose mos vepruar në ushtrim të funksioneve të tij/saj”.
Ndërsa, rendësia e obligimeve ndërkombëtare dhe ndër-rajonale e këtij dokumenti theksohet që në Preambul të vetë Konventës, sipas së cilës, “korrupsioni dëmton shtetin ligjor, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, ul nivelin e qeverisjes së mirë, transparencës dhe drejtësisë shoqërore, pengon konkurrencën, zhvillimin ekonomik dhe rrezikon qendrueshmërinë e institucioneve demokratike dhe themeleve morale të shoqërisë”.

     Por si ka reaguar Pala Shqiptare? Ç’është e vërteta, Republika e Shqipërisë pas firmosjes së Konventës më 1999, vetëm dy vjet më pas e ratifikoi atë nëpërmjet ligjit nr. 8778, datë 26.4.2001, ndryshuar me ligjin nr. 9369, datë 14.4.2005. Dhe jo vetëm kaq. Kriminalizimit dhe penalizimit të korrupsionit iu mbushën boshllëqet në Kodin tonë Penal me reformën e vitit 2004. Kurse, në mbështetje të Protokollit Shtesë të Konventës dhe të rekomandimeve të Grupit të shteteve kundër korruspionit (GRECO) u bënë në vitin 2012 ndryshime dhe shtesa të tjera në legjislacionin penal, veçanërisht për veprat e korrupsionit aktiv dhe pasiv. Kanë mbetur ende pa u përfshirë te këto shtesa dhe ndryshime rrethanat rënduese të korrupsionit të kryer nga grupe të strukturuara kriminale, me shtrëngim dhe në përpjestime të mëdha.

     Sidoqoftë gjendja legjislative, deri tani ka munguar në mënyrë të ndjeshme vullneti politik për ta luftuar korrupsionin në të gjitha metastazat e tij. Ishte edhe kjo mungesë që ndikoi jo pak në përmbysjen e pushtetit të vjetëruar të Sali berishës, nëpërmjet votimit më 23 qershorin e kaluar. Por, megjithatë, besimi i publikut se mund të luftohet ndonjëherë korrupsioni ka rënë në nivelet më të ulëta. Një ilustrim shumë mbreslënës për këtë gjendje është anketimi i Transparency International gjatë vitit 2013, ku Shqipëria klasifikohej si vendi më i korruptuar në gjithë Evropën dhe që në shkallë globale zinte vendin e 116, nga 113 që zinte një vit më parë. Ndërkohë që Progres – Raporti i vjetshëm i Komisionit Europian për Shqipërinë vazhdonte ta vinte theksin sidomos te lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për çka është e vështirë të arrihen shumë shpejt kuota të larta, pavarësisht ndërrimit të qeverisjes.

     Një arësye kryesore e skepticizmit në këtë drejtim, pa dyshim që është veprimtaria e pakënaqshme e organeve të drejtësisë, e cila vlerësohet kështu më së shumti nga fakti që korrupsioni ka përfshirë prej kohësh edhe gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e tjerë të drejtësisë. Këtë fakt e mbështet edhe mjë anketim i zhvilluar para disa kohësh nga Qendra për Transparencë dhe Informacion të lirë në bashkëp[unim me Ambasadën e Britanisë së Madhe në Tiranë, ku u përfshinë 68 për qind e gjyqtarëve të shkallës së parë në të gjithë vendin ose 58 për qind e tërë gjyqtarëve të juridiksionit të zakonshëm, që ka gjithsejt vendi. Falë edhe ruajtjes së anonimatit, që është tipar i këtyre lloj anetimesh, pyetjes apo opinionit nëse gjyqësori në Shqipëri është i korruptuar i dhanë përgjigje pohuese më shumë gjyqtarë se sa ata që kundërshtonin, dhe më tepër se sa gjysma e atyre që pohimin e mësipërm e konsideronin vetëm perceptim.

     Sikur të mos mjaftonin të dhënat e anketimeve, mund t’i referohemi një studimi të realizuar në kudër të projektit “Të kontribuojmë në forcimin e zbatimit të ligjit për ndëshkueshmërinë e rasteve të korrupsionit dhe formave të tjera të shpërdorimit të detyrës”, studim ky që ka patur si objekt vetëm vendimet e marra kryesisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Tiranës për pesë vite rresht (2007 – 2012), pa iu futur studimit të dosjeve gjyqësore. Nga ky studim kanë dalë shumë shembuj që shtrojnë probleme tepër kritike, si ai i mosanalizës prej gjyqtarëve i gjithë elementëve të figurës së veprës penale të korrupsionit; zbatime dhe interpretime të ndryshme të dispozitave të Kodit Penal për korrupsionin, sidomos për dallimin e tij nga shpërdorimi i detyrës, çka kanë sjellë ndryshime në cilësimin juridik të veprave penale për dënimin e të pandehurit; moszbatimi i ligjit, posaçërisht mosndëshkueshmëria etj, etj.

     Nga çka u shpreh më lart, ndoshta merret vesh qartë se sa të drejtë ka publiku të humbasë besimin te drejtësia. E gjithë historia ka treguar që legjislacioni ndërhyn, kur është shfaqur një shpërdorim i caktuar, përmes teprimit të të cilit është zgjuar tek e fundit ndjenja publike. Dhe, në ditët e sotme, edhe në Shqipëri legjislacioni penal i ka plotësuar boshllëqet që viheshin re dikur. Madje, për të mbrojtur autoritetin e pushtetit gjyqësor, të gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë të drejtësisë, si edhe moralin dhe interesat e shtetasve, nuk ka mbetur pa u parashikuar edhe kriminalizimi i veprave penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv (nenet 319 e në vijim të Kodit Penal). Megjithatë, deri tani asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar, sikurse asnjë gjyqtar apo prokuror, kur korrupsioni i ka shtrirë këmbët përtej “shtratit të Prokrustit”. Kështu pra, me vështrimin e tretur te drejtësia, besimi i humbur i ngjan asaj lules së këputur, që nuk mund të çelet më.

     Pra, e thënë ndryshe, a mund të shpresohet te reforma në drejtësi, duke pasur për shumë kohë plot njerëz të inkriminuar dhe të fshehur nën togat e zeza? Të njëjtët gjyqtarë dhe prokurorë, që e kanë treguar me vendimet e tyre, se nuk e kanë thithur dhe as nuk dëshirojnë të thithin frymën e ligjit, se nuk janë mbushur me dashuri për gjuhën e tij, që duhet të lexojnë në çdo rast? Në këtë kuptim, Raporti i Komisionerit të Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, publikuar ditëve të fundit çuditërisht pa ndonjë jehonë të gjerë, mbase do t’i bëjë shtetasit e këtij vendi të ndjejnë më shumë keqardhje për veten, ndërsa të ashtuquajturat organizata të shoqërisë civile t’u japin fund buzëqeshjeve plastike, prej të cilave nuk del pothuajse asnjëherë ndonjë zë i lartë dhe revoltues.

Por, më shumë se cilëtdo tjetër janë politikanët ata që mund t’u vënë veshin më mirë rekomandimeve të Nils Muižnieks, që theksojnë zgjidhje të tilla, si zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë me shumicë të cilësuar të votave në Kuvendin e Shqipërisë. Këto janë zgjidhje të shpejta, sepse mund të arrihen me ndryshimet në ligjet organike përkatëse, prej nga mund të fillohet me kontrollin serioz të dosjeve, deri në largim nga detyra, të shumë gjyqtarëve dhe prokurorë, si edhe me zëvendësimin e magjistratëve të rinj. Vetëm kështu, mund të nisë krijimi dhe racionalizimi i një besimi të ri të publikut te drejtësia, pa pritur amendamentet e mundshme në Kushtetutë, të cilat vërtet që do ta formatonin më plotazi edhe reformën në Drejtësi. Por, deri sa  pranë mazhorancës të mblidhen mbi dy të tretat e numrit të të gjithë deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, për të vendosur rishikimin e Ligjit Themelor, koha ndoshta nuk pret, duke i lënë qytetarët e këtij vendi që të vazhdojnë të hedhim sytë me dëshpërim mbi një tablo të deformuar të pasigurisë së të drejtës dhe të diskrecionit të lirë të gjyqtarëve e prokurorëve.                        


Shkrimi u publikua sot (19.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 21:20

    Berisha kundër uljes së çmimit të energjisë elektrike, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Shqiptari hero bën xhiron e mediave në Britaninë e Madhe, shpëton gruan nga përmbytjet në Leicestershire (EMRI)

VIDEO/ Shqiptari hero bën xhiron e mediave në Britaninë e Madhe, shpëton gruan nga përmbytjet në Leicestershire (EMRI)