Sakrifica dhe lutjet përgjatë një muaji të tërë kanë kulmuar sot me festën e Bajramit për besimtarët myslimanë në Shqipëri dhe në të gjithë botën. 30 ditët e Ramazanit që konsistojnë në agjërim, dedikim, solidaritet dhe pastrim shpirtëror kanë përfunduar duke arritur në festën më të rëndësishme të kalendarit të islamit.
Sheshi 'Skënderbej' i ka mirëpritur mijëra prej besimtarëve për të kryer faljen e madhe.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, ndau edhe urimin e tij në përfundim të muajit të shenjtë. Ai e ka fokusuar urimin e tij te luftërat duke u shprehur se lutjet janë për të gjithë ata që vuajnë, fëmijët që rriten mes frikës dhe popujt që duan paqe e drejtësi.
Spahia tha se feja islame predikon paqen e mëshirën për të gjithë besimtarët. Ai shtoi se është përgjegjësi e shoqërisë të kultivojnë këto vlera në çdo kohë e vend.
"Konfliktet, luftërat dhe padrejtësitë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish të pafajshëm ka familje së sot nuk e ndjejnë gëzimin e kësaj lutjeje, e kësaj dite por dhimbjen e humbjes dhe pasigurinë e së nesërmes. Ne këtë ditë të bekuar lutjet tona shkojnë për të gjithë ata që vuajnë, për fëmijët që rriten mes frikës dhe zhurmës së luftës, për nënat që presin me ankth një lajm për bijtë e tyre dhe për popujt që kërkojnë paqe dhe drejtësi.
Mesazhi i fesë islame është i qartë: islami është fe e paqes e mëshirës dhe e drejtësisë dhe solidaritetit. Allahu në kuran e përshkruan të dërguarin e tij mëshirë për botën për tërë botën dhe nuk ka diçka tjetër ndryshe përveç kësaj. Kjo do të thotë se besimtari është thirrur të jetë burim paqeje mëshire dhe drejtësie kudo. Sot, aty ku ndodhet bota kanë nevojë për më shumë drejtësi për më shumë mirëkuptim dhe për më shumë paqe dhe vëllazëri njerëzore dhe kjo paqe fillon nga zemra e njeriut nga familja nga komuniteti ku ne jetojmë ajo ndërtohet me respekt dhe me kujdes për njëri-tjetrin. Ne si shoqëri kemi përgjegjësinë të kultivojnë këto vlera shumë të rëndësishme të patjetërsueshme në të gjitha kohërat dhe vendet", tha ai.
Pas faljes, besimtarët takojnë të dashurit e tyre, dhurojnë sadakanë ose kontributin për nevojtarët dhe më pas mblidhen për drekën me familjarët.
Lajmi në përditësim...

Nga cepi në cep të sheshit “Skënderbej” në Tiranë apo në rrugët që të çojnë drejt tij, besimtarët myslimanë u mblodhën mëngjesin e herët të së premtes për të falur namazin.
Pamjet me dron të Report Tv tregojnë këtë moment solemn që përmbyll agjërimin e muajit të Ramazanit me lutje të cilat u bashkuan njëzëri duke kërkuar paqen ndërsa bota është përfshirë nga luftërat.

Fitër Bajrami shënon përfundimin e muajit të Ramazanit dhe është një moment reflektimi, falënderimi dhe bashkimi për të gjithë besimtarët myslimanë.
Edhe në Durrës, ata u mblodhën në sheshin kryesor për faljen e namazit duke bërë lutjet e tyre për festën më të rëndësishme të kalendarit islam.

Krahas qindra besimtarëve vendas, në faljen e namazit të Fitër Bajramit në Vlorë kanë marrë pjesë edhe shumë qytetarë të huaj, të cilët jetojnë dhe punojnë në këtë qytet.
Të ardhur nga vende si Egjipti, Bangladeshi dhe shtete të tjera, ata kanë përcjellë mesazhe të forta paqeje, harmonie dhe begatie për të gjithë botën në këtë ditë të shenjtë. Në prononcimet e tyre, ata theksuan rëndësinë e bashkëjetesës, respektit dhe solidaritetit mes njerëzve, pavarësisht kombësisë apo besimit.
Të huajt u shprehën të lumtur që festojnë këtë ditë në Vlorë, duke vlerësuar mikpritjen dhe atmosferën e ngrohtë që gjejnë në qytet.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm morën pjesë edhe përfaqësues dhe personalitete të Myftinisë së Vlorës, të cilët përcollën urimet e tyre për besimtarët dhe apeluan për më shumë mirëkuptim, ndihmë ndaj atyre në nevojë dhe ruajtje të vlerave njerëzore.
Fitër Bajrami bashkoi kështu besimtarë vendas dhe të huaj në një mesazh të përbashkët: më shumë paqe, dashuri dhe shpresë për një të ardhme më të mirë.

Qindra besimtarë vlonjatë, por edhe të huaj, janë mbledhur mëngjesin e sotëm pranë Pallatit të Sportit në Vlorë për të falur namazin e Fitër Bajramit. Pas një muaji sakrifice, agjërimi dhe lutjesh gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët kanë festuar këtë ditë të rëndësishme.
Në këtë ceremoni është vënë re edhe pjesëmarrja e lartë e grave dhe të rinjve, të cilët i janë bashkuar faljes në një atmosferë përkushtimi dhe solidariteti.
Ceremonia ka nisur me leximin e Kuranit nga hoxha turk Ismail Çakexhe, për t’u vijuar më pas me faljen e namazit.
Në fjalën e tij, myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhallari, ka uruar të gjithë besimtarët për këtë festë të madhe, duke theksuar rëndësinë e paqes, begatisë dhe solidaritetit në këto kohë të vështira. Ai u bëri thirrje besimtarëve të tregojnë më shumë sinqeritet, të ndihmojnë ata në nevojë dhe të mos harrojnë vlerat e sakrificës dhe humanizmit.

Edhe besimtarët myslimanë të Pukës pas përfundimit të periudhës së agjërimit iu drejtuan xhamive të zonës.
Ceremonia kryesore e faljes së Fitër Bajramit u bë në xhaminë e Kodër Hanit. Falja u drejtua nga myftiu, Gëzim Kopani i cili u ndal tek rëndësia e veprave të mira që duhet vazhduar nga besimtarët ashtu sikurse dhe gjatë muajit të Ramazanit.
Edhe në Pukë besimtarët u lutën për ndalimin e luftërave, për paqe dhe mirësi.
Sheshi kryesor i qytetit të Lushnjes shërbeu këtë mëngjes për faljen e namazit të Fitër Bajramit për besimtarët myslimanë.
Mbyllja e muajit të madhërishëm të Ramazanit ka sjellë në shesh për faljen e namazit të Fitër Bajramit qindra besimtarë.
Faljen e namazit e mbajti Alban Puka, hoxhë i xhamisë Lushnje.
Në fjalën e tij përshëndetëse, myftiu i Lushnjes Gramoz Blliku u përcolli mesazhe bashkimi e vëllazërimi besimtarëve në shesh.
Që në orët e para të mëngjesit edhe besimtarët në Fier kanë falur namazin në sheshin qendror të qytetit ndërsa krerët myslimanë të myftinisë kanë përcjellë urimet për paqe e harmoni mes njerëzve. Ceremonia e faljes së Fitër Bajramit filloi në orën 06:30 ku dhjetëra besimtarë të grupmoshave të ndryshme kryen ritet e faljes së madhe, ndërsa kanë shkëmbyer mesazhe paqeje mes njëri-tjetrit.
Në ligjëratën e tij, myftiu Mikel Hazizolli ka uruar e përshëndetur gjithë besimtarët myslimanë duke i ftuar të kontribuojnë shumë më tepër për të ndërtuar një shoqëri sa më dinjitoze, sa më të paqtë, sa më solidare.
Falja e Fitër Bajramit vijon më pas në çdo familje fierake besimtarësh me drekat familjare, si shpërblim për sakrificën nëpërmjet agjërimit gjatë 30 ditëve të Ramazanit.
Komente









