Të ftuar në lidhje direkte në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, deputetja e PS-së, Romina Kuko dhe analisti Alban Daci kanë debatuar mbi profilin që duhet të ketë kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, në prag të zgjedhjeve vendore.
Kuko u shpreh se kryeqyteti ka nevojë për një drejtues me aftësi menaxheriale, njohuri në urbanistikë dhe kapacitet për të zgjidhur problematikat e trafikut dhe menaxhimit të mbetjeve.
“Ne kemi nevojë për një menaxher, jo thjesht për një kryetar bashkie. Një person që kupton çfarë do të thotë karriera në këtë drejtim, kupton urbanistikën, si punohet me pjesën e klimës në pushtet, si arrihet që qyteti të ketë trafik të menaxhuar dhe mbetjet të jenë të menaxhuara.”- u shpreh Kuko.
E pyetur nëse në Partinë Socialiste ka nisur një proces përjashtimesh apo largimesh, Kuko mohoi se bëhet fjalë për një luftë të brendshme, duke theksuar se Asambleja ka vendosur angazhimin e strukturave politike në terren.
“Nuk ka luftë në parti. Asambleja vendosi forcat politike në terren për zgjedhjet vendore. Një politikan nuk përjashtohet që të jetë edhe menaxher. Ne duhet t'i kthehemi dikujt që ka potencial politik, por nga ana tjetër ka edhe përfaqësinë qytetare dhe e di se çfarë do të thotë të ndërtosh një qytet me standarde.”-vijoi ajo.
Kuko komentoi edhe zhvillimin e mbledhjeve të Asamblesë me dyer të mbyllura, duke e konsideruar një praktikë normale. Ajo u ndal gjithashtu te procesi i integrimit europian, duke pranuar se vendi ka ende nevojë për përmirësime.
“Ne nuk mund t'ia imponojmë deri në fund mendimin tonë. Unë kam mendimin tim kritik, por nga ana tjetër e di që ka shumë gjëra që ne duhet t'i përmirësojmë, që ne duhet të jemi të përkushtuar deri në momentin që bëhemi anëtarë të BE-së, sepse atëherë loja do të ndryshojë. Edhe metodologjia e integrimit ka ndryshuar. Tani do të ketë një periudhë prove dhe e di që ka nevojë për shumë përmirësim.”- u shpreh Kuko.
Nga ana tjetër, analisti Alban Daci mbajti një qëndrim të ndryshëm për profilin e kandidatit, duke argumentuar se një politikan i mirë nuk është domosdoshmërisht edhe menaxher i mirë. Sipas tij, PS duhet të zgjedhë një kandidat me profil politik, që të ketë lidhje me territorin dhe të afrojë socialistët e thjeshtë.
“Politikani i mirë dhe menaxheri janë dy gjëra që në disa raste nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. PS është një parti që ka kaluar në disa faza, por unë mendoj se mbetet një parti masash, që ka lidhje të forta me territorin dhe me anëtarësimin. Duhet të dalë me kandidatë politikë.Situata aktuale në Tiranë është një situatë që demonstron dy partitë kryesore që kanë dominuar tranzicionin. Duhet një figurë që nuk mban peshën e qeverisjes dhe që afron socialistët e thjeshtë, të cilët nuk e gjejnë më veten.”-tha Daci.









Komente
Komento