TIRANE - Besimtarët Ortodoksë në të gjithë vendin kanë festuar sot festën pagane të ujit të bekuar. Ky rit fetar i ortodoksëve është shënuar si dita e Shën Trinisë, kur Krishti pasi mbushi 33 vjet u pagëzua nga ujërat e lumit Jordan nga Gjon Pagzori Kthano.

BERAT
Festa pagane e ujit të bekuar, 6 Janari, ashtu si çdo vit ka mbledhur në qytetin e Beratit mijëra besimtarë nga i gjithë vëndi. Ceremonitë fetare nisën sot në Katedralen e Shën Dhimitrit në qendër të qytetit. Më pas Ignati, Peshkopi i Beratit ka hedhur kryqin nga ura e Gjoricës në lumin Osum. 34-vjeçari, Edmond Gjenci i cili i përket besimit mysliman për të disatën herë ia doli të ishte i pari që nxjerr e bekuar nga uji.

FIER
Në praninë të qindra besimtareve ortodokësë fierakë, hedhja e kryqit është kryer nga kreu i kishës ortodokse, At Ilia Bita, ndërsa fati këtë vit i ka buzëqeshur 14-vjeçarit Vangjel Gjonaj, i cili arriti të gjente kryqin dhe të merrte shpërblimin prej 10 mijë lekësh të reja.

KORÇE
Edhe besimtarët ortodoksë në qytetin e Korçës kanë festuar mesditën e 6-të janarit “Ditën e Ujit të Bekuar”. Qindra qytetarë kanë sfiduar të ftohtin duke kremtuar këtë ditë të rëndësishme. Hedhja e kryqit është bërë nga hirësia e tij,Imzot Jonai në shatërvanin tek lulishtja ”Vangjush Mio”, ndërkaq ka qenë i riu Marjus Vincani, i cili gjeti kryqin e hedhur në shatërvan dhe më pas e dorëzoi atë tek drejtuesit e këtij kremtimi.

VLORE

Me mijëra besimtarë ortodoksë në qytetin bregdetar të Vlorës kanë kryer ritualin e “Ujit të Bekuar”. Rreth orës 11 në molin e plazhit të qytetit u krye rituali i përvitshëm i hedhjes se kryqit në uji, ku At Konstadini pasi kreu meshën hodhi kryqin në det, ndërsa plot djem të rinj duke sfiduar temperaturat e ulëta u hodhën në ujë dhe vetëm njeri prej tyre arriti të gjente kryqin. Në të gjitha kishat e qarkut të Vlorës u krye rituali i hedhjes së kryqit në ujë, ndërsa në kishat katolike u kryen meshat në këtë ditë të shënuar.

ELBASAN
6 janari, dita “Ujit të Bekuar” është kremtuar sot edhe në qytetin e Elbasanit. Besimtarët kanë ndjekur meshën e pagëzimit të kryqit në kishën e Shënkollit dhe më pas ceremonia e hedhjes së tij është kryer në një nga komplekset e pishinave të qytetit. Me një mot të bukur, por me temperatura të ulëta peshkop udhëhoqi ceremoninë e hedhjes së Kryqit, ndërkohë që 18-vjecari Marvin Shëngjergji ishte ai qe sfidoi ujin e ftohtë dhe arriti të nxjerrë kryqin e bekuar.

GJIROKASTER
Uji i Bekuar ka populluar kishat ortodokse në rrethin e Gjirokastrës, kryesisht në zonën minoritare në qytetin e gurtë ku përqendrohet më shumë popullsia e besimit ortodoks. Mëngjesin e të dielës, me dhjetëra-qindra besimtarë ortodoksë gjirokastritë, janë grumbulluar në meshën e mbajtur në dy kishat e qytetit në Kishën e Mitropolisë në lagjen Pazari i Vjetër dhe në kishën e Shën Mihajllos, në lagjen Varrosh. Më shumë besimtarë, janë grumbulluar në kishën e Shën Mihallos, ku tradicionalisht mblidhen dhe më shumë besimtarë. Pas ceremonisë kishtare për këtë ditë të shënuar, vargu i besimtarëve të kryesuar nga prifti At Theodhori dhe At Dhionizi, kanë përshkuar gati 1 km rrugë deri në lumin Drino për të organizuar ceremoninë e hedhjes së kryqit.

Redaksia online
(eç/eb/shqiptarja.com)