Deputeti socialist, Besnik Bare, duke folur nga foltorja e Kuvendit është shprehur i sigurt se Teatri i ri Kombëtar që do të ndërtohet do jetë një godinë e denjë për vet emrin që mban, por edhe që i shkon për shtat një qyteti që po ndryshon dhe modernizohet çdo ditë e më shumë. Sipas tij opozitës nuk i intereson teatri, as artistët, por në mënyrë të qëllimshme kërkon të krijojë kakofoni për të përfituar politikisht. Por, sipas tij, ashtu si çdo projekt tjetër që opozita ka kundërshtuar në Tiranë, edhe ai i Teatrit të ri Kombëtar do jetë një sukses më vete.
“Jam i bindur se çfarëdo alternative të paraqesë Veliaj, opozita do ta kundërshtojë, sikurse me sheshin, ose me Pazarin që Veliaj ndoshta ka ndërmend ta zgjerojë, sikurse bëtë me Parkun e Lodrave, të cilat ishin projekte të suksesshme dhe të mirëpritura nga qytetarët. Personalisht kam vënë re që Kryetari i Bashkisë kërkon një dialog të tillë, por refuzohet, ku kulmi arrin kur refuzohet të flasë në Komisionin e Medias, pra duket qartë se arsyeja që PD përfshihet në këtë proces është që të krijojë tension dhe konfuzion, mjegull dhe të mos lejojë atë pjesë që kërkon të dialogojë. Lëreni publikun të marrë informacionin e duhur dhe jo keqinformimin”, tha Bare.
Ndaj theksoi ai, për shkak të kësaj sjellje të opozitës për të kundërshtuar çdo gjë, pavarësisht nëse ajo mirëpritet ose jo nga qytetarët, Veliaj do të fitojë bindshëm edhe në zgjedhjet e ardhshme, sepse ka përballë këto lloj alternativash. “Votat që ka marrë Veliaj dhe do i marrë më bindshëm vitin që vjen, janë ekuivalente me duartrokitjet që populli i Tiranës do i bëjë atij në teatrin e madh politik, dhe të spektatorëve të gjeneratës së ardhshme, që do të frekuentojnë teatrin e ri modern dhe do të duartrokasin artistët shqiptarë në të, por edhe ata që e bënë të mundur ndërtimin e tij”, shtoi Bare.