Beteja e talibanëve për mbajtjen e pushtetit në Afganistan

Beteja e talibanëve për mbajtjen e pushtetit në Afganistan

Talibanët tronditën botën kur morën shpejt kontrollin ushtarak të Afganistanit në gusht, teksa trupat e fundit të huaj po largoheshin nga vendi i shkatërruar nga lufta. Por, vëzhguesit thonë se grupi militant islamik përballet me betejën e mbajtjes së pushtetit, teksa talibanët po kanë vështirësi që të transformohen nga kryengritës guerilë në një qeveri funksionale. Militantët po përballen me një sërë krizash politike, sociale dhe ekonomike, që po sfidojnë drejtpërdrejt sundimin e këtij grupi të linjës së ashpër. Afganistani po përballet me një ekonomi në rënie të lirë dhe me një krizë humanitare. Përfaqësuesit e militantëve, po ashtu, po përballen me përçarje të brendshme në rritje, me izolim ndërkombëtar dhe me grupin rival ekstremist, Shteti Islamik-Khorasan (IS-K).

Sami Yousafzai, një gazetar veteran afgan që ka raportuar për talibanët që prej shfaqjes së parë të tyre në vitet ’90, thotë se militantët po mbështeten në fitoren e tyre në vend se të tentojnë që të qeverisin me vendin.

“Ata kanë ngecur brenda një flluske”, thotë Yousafzai për Radion Evropa e Lirë.

“Lufta ishte një kapitull. Menaxhimi i ekonomisë, mbajtja e afganëve të bashkuar dhe fitimi i njohjes ndërkombëtare, janë gjëra të tjera”, shton ai.

Ekspertët paralajmërojnë se talibanët me gjasë do të përballen me një rezistencë në rritje ndaj sundimit të tyre. Që prej se rimorën pushtetin, militantët kanë kufizuar shumë të drejta, kanë bërë shkelje të të drejtave të njeriut dhe kanë lënë mënjanë shumë grupe etnike dhe fetare të Afganistanit. Një skenar i tillë do të mund të nxiste një luftë të re civile në Afganistan, paralajmërojnë vëzhguesit, duke e bërë shtetin sërish një tokë pjellore për grupet terroriste transnacionale.

‘Qeverisja minimale’

Popullsia e Afganistanit, që vlerësohet se është prej 38 milionë banorësh, ka paguar çmim të lartë qysh kur talibanët rimorën pushtetin. Ekonomia e Afganistanit, që varet nga ndihmat, gjerësisht ka kolapsuar pasi shumë donatorë të huaj pezulluan ndihmën. Grupi militant ka marrë ndihmë direkte, përfshirë para kesh dhe produkte bazike ushqimore, nga disa shtete.

Talibanët në vazhdimësi i kanë bërë thirrje Uashingtonit që të zhbllokojë rreth 9.4 miliardë dollarë që gjenden në rezervën e Bankës Qendrore afgane, mjete këto që ruhen në Shtetet e Bashkuara. Por, zyrtarët amerikanë kanë shprehur rezervat e tyre për zhbllokimin e këtyre fondeve për grupin militant, që ka ende lidhje me rrjetin terrorist, Al-Kaida dhe udhëheqësit e të cilit janë ende nën sanksione ndërkombëtare. Kjo ka bërë që Afganistani të ketë mungesë të parave të gatshme dhe po ashtu disa banka janë mbyllur dhe janë pezulluar transferet e parave në vend nga jashtë, duke nxitur rritjen e inflacionit dhe rritjen e kostove të produkteve ushqimore. Marrja nën kontroll e Afganistanit nga talibanët ka përkeqësuar, po ashtu, edhe krizën humanitare, teksa organizatat ndërkombëtare kanë paralajmëruar se shteti është afër një katastrofe.

Kombet e Bashkuara kanë thënë se më shumë se 23 milionë afganë gjatë këtij dimri do të mund të varen nga ndihmat ushqimore.

“Talibanët edhe për një kohë do të përballen me një ekonomi të rrënuar dhe me një krizë humanitare, që do të shtyjë qeverinë që të veprojë”, thotë Marvin Weinbaum, drejtor për studime të Afganistanit dhe Pakistanit në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington.

“Me të gjitha gjasat, talibanët do të mjaftohen me një qeverisje minimale, edhe pse ata do të vazhdojnë të sundojnë”, thotë ai.

Asnjë shtet nuk e ka njohur qeverinë talibane në Afganistan dhe qeveritë e huaja, si dhe organizatat kanë qenë shumë të kujdesshme sa i përket ndihmës së drejtpërdrejtë për regjimin. Weinbaum thotë se mosnjohja e talibanëve është i vetmi mjet ndikimi që ka komuniteti ndërkombëtar mbi talibanët.

“Të gjitha këto shtete kanë preferuar një qeveri në Kabul ku talibanët nuk do ta monopolizonin pushtetin dhe thirrja e tyre e hershme për talibanët që të formojnë një regjim gjithëpërfshirës dhe të kenë politika të moderuara sociale, testoi ndikimin e tyre”, thotë ai.

“Por, duke i sfiduar në masë të madhe ata (komunitetin ndërkombëtar), talibanët e bënë edhe më të vështirë që të ecet përpara me njohjen formale, të paktën për momentin”, shton Weinbaum.

Rritja e ‘pakënaqësisë’

Që prej se rimorën pushtetin, talibanët kanë tentuar që ta paraqesin veten si më të moderuar, duke tentuar që ta bindin komunitetin ndërkombëtar se ata kanë ndryshuar. Por, grupi militant ka rivendosur disa prej ligjeve të njëjta represive, që kishin definuar sundimin e tyre në vitet 1996-2001. Talibanët kanë përjashtuar gratë nga qeveria e tyre e re kalimtare. Po ashtu, kanë ndaluar shkollimin e mesëm për shumë vajza dhe shumica e grave nuk janë lejuar që të kthehen në punë.

Qeveria ‘Mullahkratike’ e talibanëve

Gratë afgane kanë protestuar duke kërkuar të drejta. Protesta janë mbajtur edhe në kryeqytetin afgan, Kabul. Por, talibanët i kanë shtypur me forcë brutale këto protesta, shpesh duke rrahur dhe ndaluar protestues. Grupet e të drejtave të njeriut i kanë akuzuar talibanët për shkelje të gjera të të drejtave të njeriut, përfshirë edhe vrasjet pa gjyq, arrestimet arbitrare dhe për torturë. Pavarësisht premtimeve për amnisti, militantët janë akuzuar se kanë targetuar ish-zyrtarët qeveritarë, ish-pjesëtarët e forcave të armatosura dhe civilët që i kanë kritikuar ata publikisht. Talibanët, një grup kryesisht i përbërë nga pashtunët, po ashtu kanë përjashtuar shumë grupe etnike të vendit, përfshirë edhe talibanët që nuk janë pashtunë. Ky grup, gjithashtu, është akuzuar se ka larguar me forcë nga shtëpitë dhe tokat e tyre qindra uzbekë etnikë, turkmenë dhe anëtarë të minoritetit shiitë hazara. Militantët, po ashtu, kanë monopolizuar pushtetin dhe të gjitha postet qeveritare u janë besuar veteranëve talibanë dhe besnikëve të militantëve.

“Pakënaqësia në mesin e taxhikëve dhe uzbekëve, edhe në mesin e atyre që janë në grupin taliban, po rritet dita-ditës”, thotë Yousafzai.

“Të përballur me uri dhe me kolapsimin e ekonomisë, disa persona nga rajonet jopashtune po presin që t’i bashkohen çdo rezistence të armatosur anti-talibane, apo edhe IS-it”, shton ai, duke iu referuar grupit ekstremist, Shteti Islamik-Khorasan (IS-K).

Shtetet myslimane kërkojnë krijimin e një fondi humanitar për Afganistanin

Barnett Rubin, profesor dhe ish-këshilltar për Afganistanin në Departamentin amerikan të Shtetit, thotë se lodhja nga lufta e gjatë në Afganistan do të parandalojë që në një të ardhme të parashikueshme fqinjët e këtij shteti dhe fuqitë rajonale të furnizojnë me armë çdo grup opozitar.

“Ata nuk duan një vazhdim të konfliktit të armatosur”, thotë ai.

Rubin argumenton se disiplina dhe shkathtësia e talibanëve do të bëjë që regjimi i tyre të qëndrojë, duke shtuar se Emirati Islamik i talibanëve “gradualisht mund të ndryshojë”. Por, Weinbaum thotë se ka gjasa që pakënaqësia të rritet në terma afatgjatë.

“Xhepat e rezistencës do të dalin në sipërfaqe dhe më e rëndësishmja, pakënaqësia pritet të rritet në mesin e zyrtarëve talibanë”, thotë ai.

Sipas tij, rimarrja e pushtetit dhe mbajtja e kohezionit të brendshëm ka qenë “prioriteti numër një” i talibanëve. Por, përçarjet e brendshme në udhëheqjen e talibanëve po dalin në sipërfaqe, në kohën kur ky grup militant duhet të fokusohet në trajtimin e krizave të shumëfishta. Analistët thonë se mundësia duket se është edhe më e madhe se kurrë që uniteti i talibanëve të prishet. Ata besojnë se përçarjet në rritje ndërmjet rrjetit Haqqani – fraksion i talibanëve me bazë në lindje të vendit – dhe fraksionit me bazë në jug, në Kandahar, të bashkëthemeluesve të talibanëve. Kërcënimi nga shpërthimi i një lufte të re civile është serioz, vlerësojnë ekspertët.

“Kjo do të ofronte një lloj hapësire të paqeverisur që SHBA-ja dhe Perëndimi besojnë se është e favorshme për forcimin e organizatave botërore terroriste”, thotë Weinbaum.

Lufta nga IS-K

Talibanët kanë ndërmarrë një shtypje vdekjeprurëse ndaj komunitetit të vogël salafist të Afganistanit, që është një sekt ultraradikal i myslimanëve sunitë. Salafistët i akuzojnë talibanët se kanë burgosur dhe vrarë anëtarët e këtij komuniteti. Ata, po ashtu, pretendojnë se talibanët kanë bastisur dhe mbyllur dhjetëra xhami dhe medrese të tyre.

A mund ta shtypin talibanët kërcënimin e IS-it?

Shtypja e talibanëve ka përkuar edhe me përshkallëzimin e luftës së tyre ndaj militantëve të IS-K. Shumë nga pjesëtarët e kësaj organizate terroriste janë salafistë. Besohet se në Afganistan jetojnë qindra mijëra salafistë, kryesisht në provincat lindore të Nangarharit, Kunarit dhe Nuristanit.

“IS-K drejtpërdrejt sfidon legjitimitetin e talibanëve”, thotë Rubin.

“Ata po përballen në mënyrë të pamëshirshme me IS-K dhe me salafistët në përgjithësi, duke kryer brutalitete që mund të shkaktonin dënim nga e mbarë bota, sikur të mos të bëhej fjalë për IS-K”, shton ai./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja