Pakistani tha të dielën se kreu sulme ajrore ndaj kampeve të militantëve përtej kufirit në Afganistan. Ministria e Informacionit e Pakistanit tha se ushtria e saj kreu "operacione selektive të bazuara në inteligjencë" kundër shtatë kampeve që u përkisnin militantëve që i fajëson për një seri sulmesh vdekjeprurëse të kohëve të fundit në tokën e saj.

Sulmet kishin në shënjestër talebanët pakistanezë të njohur edhe si Tehrik-e-Taliban Pakistan (TTP) dhe bashkëpunëtorët e tyre, si dhe një grup të lidhur me Shtetin Islamik.

Ministria e Mbrojtjes e Afganistanit konfirmoi sulmet në një deklaratë, duke i quajtur ato një “shkelje flagrante të sovranitetit kombëtar të Afganistanit” dhe një “shkelje të qartë” të ligjit ndërkombëtar.

Sulmet ajrore u zhvilluan në zona civile në provincat lindore afgane të Nangarhar dhe Paktika, duke synuar edhe shtëpi civilësh, tha ministria.

Gra dhe fëmijë ishin midis 18 personave të vrarë, tha Sayed Tayeb Hamad, një zyrtar i lartë i policisë në Nangarhar, në televizionin shtetëror afgan. Trupat e viktimave ende po nxirreshin nga rrënojat të dielën në mëngjes, sipas raporteve të medias shtetërore.

Sulmet ajrore erdhën pas një muaji sulmesh vdekjeprurëse brenda Pakistanit, më i fundit prej të cilëve ishte vrasja e dy ushtarëve, përfshirë një nënkolonel, nga militantët në veriperëndim të vendit të shtunën, thanë zyrtarët.

Më herët dhjetëra njerëz u vranë nga një shpërthim vetëvrasës në një xhami shiite në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad.

Ministria e Informacionit e Pakistanit tha të dielën se vendi kishte "prova bindëse" se sulmet e shkurtit u kryen nga militantët me "urdhrin e udhëheqjes dhe drejtuesve të tyre me bazë në Afganistan".

Ky përshkallëzim i ri do të vërë në provë armëpushimin delikat që ka qenë në fuqi midis vendeve fqinje që nga tetori i kaluar, pasi ato shkëmbyen zjarret më vdekjeprurëse në vite.

Dhjetëra civilë u vranë dhe u plagosën në përleshjet që shpërthyen përgjatë kufirit të tyre të diskutueshëm prej 2.600 kilometrash. Kjo kulmoi me nisjen e sulmeve hakmarrëse nga Afganistani pasi Pakistani kreu sulme ajrore në kryeqytetin e tij, Kabul. Islamabadi e ka akuzuar prej kohësh Kabulin për strehimin e TTP-së, gjë që Kabuli e mohon.

Në një intervistë në nëntor me CNN, Ministri i Mbrojtjes i Pakistanit, Khawaja Asif, tha se Pakistani donte të “rrëzonte” udhëheqjen e TTP-së në Afganistan, duke deklaruar se do të përdorte “çdo mjet që ka në dispozicion”./CNN