Beteja kundër kanabisit, 96 mijë rrënjë të asgjësuara në 6 muajt e parë të 2023! Problematike Mirdita, Kurbini, Kruja, Vau Dejës

Ky është momenti kur droni i policisë zbulon 6 minisera me kanabis sativa në fshatin Baks të Velipojës. 2 persona u pikasën teksa heqin plastmasën e serave që dielli i mëngjesit t’i kapte mirë, por kultivuesit nuk e kishin llogaritur mirë. Efektivëve të policisë, për të mbërritur tek miniserat iu desh të përdornin varkën dhe kapi në flagrancë 2 të rinjtë. Aty u gjetën 270 rrënjë, të cilat u dogjën. Por, këto janë vetëm disa nga mijëra rrënjë të asgjësuara këto muaj nga policia.

Kultivimi i kanabis sativa në territore të vështira për t’u kapur vijon të mbetet shqetësim për Policinë e Shtetit dhe sfidë po ashtu për t’u kapërcyer. Kur jemi gati në sezonin e korrjes, ritmi për të asgjësuar rrënjë kanabis është shtuar, ndërsa skuadrat policore në terren prej kohësh janë shpërndarë maleve, në kërkim të paligjshmërisë. Që në fund të muajit prill, avion të Guardia di Finanza kanë monitoruar nga ajri të gjithë territorin e vendit, nga veriu në jug, teksa kanë pikasur parcela të tëra me dhjetëra apo qindra rrënjë. Policia e Shtetit, e ndihmuar edhe nga teknologjia e dronëve dhe informatorëve në terren ka bërë të mundur asgjësimin e më shumë se 96 mijë rrënjë kanabis, një pjesë e të cilëve në kubik, akoma pa u mbjell nga kultivuesit.

Këto rezultate janë të këtij gjashtë mujori të parë të mbyllur, por normalisht të përqendruara kryesisht gjatë kontrolleve të muajve prill, maj dhe qershor, fiks periudha e kultivimit, sezonit tipik i rritjes. Rezultatet e kontrolleve nga ajri e dërguan policinë kryesisht në disa qarqe që edhe në vitet e fundit kanë qenë problematike, ndërsa operacione të një pas njëshme janë zhvilluar. Qarku me numrin më të lartë të asgjësimit të rrënjëve kanabis sativa është ai i Lezhës me rreth 30 mijë të tilla, të cilat u gjetën dhe u dogjën në kuadër të operacionit “Imazhi” në 21 faza të ndryshme.

Bimë narkotike u konstatuan kryesisht në bjeshkët e Mirditës, në Kurbin, Fushë Kuqe apo edhe në fshatra të tjerë rreth e qark qytetit të Lezhës. I dyti është qarku Shkodër, me rreth 17.000 rrënjë kanabis sativa të asgjësuara, kryesisht në Vau Dejës, Fushë Arrëz dhe Dukagjin, në njësitë Pult dhe Shosh, të gjetur në faza të operacionit “Alpe të Pastra”, “Baks” apo “Mnela”. Në qarkun e Durrësit u asgjësuan rreth 12.500 rrënjë, në 22 faza të operacionit “Territor i Pastër”, dhe epiqendra e kultivimit janë Kruja dhe Malësia e Krujës. Kontrolle të dedikuara anti-kanabis janë kryer edhe në Dibër, Elbasan dhe Kukës, por me një numër më modest asgjësimesh, në një total prej rreth 1300 rrënjë.

Kanabis sativa është konstatuar këtë vit kryesisht në qarqet e veriut, ndërsa në ato të jugut, përfshirë Vlorën, Korçën, Gjirokastrën apo Beratin, raportohen asgjësime sporadike. Në dhjetëra operacione të zhvilluara, policia ka mundur të identifikoj një pjesë të autorëve të kultivimit të kanabisit, të cilët janë arrestuar, por një pjesë shumë e madhe e tyre janë akoma të paidentifikuar.

KANABIS SATIVA I ASGJËSUAR
Totali – rreth 96 mijë rrënjë
Lezhë – rreth 30 mijë rrënjë
Shkodër – rreth 17 mijë rrënjë
Durrës – rreth 12.5 mijë rrënjë

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb