Betohen deputetë të tjerë serbë! Lista Serbe: Ishte vendim strategjik për ta parandaluar Kurtin

Betohen deputetë të tjerë serbë! Lista Serbe: Ishte vendim strategjik për ta parandaluar Kurtin

Deputetët e rinj të Listës Serbe

Lista Serbe tha të mërkurën se nëntë deputetët e rinj të kësaj partie u betuan sot në Kuvendin e Kosovës për të "verifikuar teknikisht mandatet e tyre" dhe "për t'i mbajtur ato në duar të sigurta".

"Theksojmë se ky vendim strategjik dhe politik në asnjë mënyrë nuk do ta ndalë procesin e largimit nga institucionet e Kosovës në veri të Kosovës dhe Metohisë, me të cilat janë shuar të gjitha institucionet e Kosovës", thuhet në komunikatën e Listës Serbe.

Rikujtojmë se deputetët që u betuan sot po zëvendësojnë mandatet e dhjetë deputetëve të mëhershëm, të gjithë nga Lista Serbe, që dhanë dorëheqje ditë më parë. Në Kuvendin e Kosovës sot u betuan: Millan Kostiq, Zoran Maksimoviq, Svetislav Gjokiq, Ksenija Bozhoviq, Radosh Mihajlloviq, Bilana Makshiq, Milan Joksimoviq, Nenad Radenkoviq, Olivera Zdravkoviq dhe Cvetko Velkoviq nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Menjëherë pas betimit, këta deputetë u larguan nga salla e Kuvendit. Dorëheqjet e deputetëve, si dhe shumë zyrtarëve të tjerë serbë në institucionet e Kosovës, kanë nisur në fillim të nëntorit, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar planin prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Deputeti i sapo zgjedhur, Cvetko Velkoviq nga partia Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë konfirmoi se ai planifikon ta mbajë mandatin e tij, "pa marrë parasysh veprimet e Listës Serbe".

Rada Trajkoviq nga Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë ka reaguar pas betimit të deputetëve.

Ajo në rrjetin social, Twitter, ka thënë se Lista Serbe ka marrë nëntë mandatet "në mënyrë që të pengojë hyrjen time në Kuvend dhe që të pamundësojë që komuniteti serb në Kosovë më në fund të ketë përfaqësuesit e tyre të vërtetë".

Në reagimin e Listës Serbe thuhet se me marrjen e mandateve është parandaluar "plani i (kryeministrit të Kosovës)Albin Kurtit dhe serbëve të përshtatshëm ndaj tij për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore". Sipas Listës Serbe, plani synon "marrjen e pasurisë nga Kisha Ortodokse, shuarjen e komunave serbe, gjuhës serbe dhe të drejtën (e serbëve) për përfaqësim në institucione".

Ata kanë përmendur Rada Trajkoviqin si një njeri që punon në atë që Lista Serbe po e quan plan. Plani për të cilën Lista Serbe pretendon që ekziston nuk është i njohur për publikun kosovar. Trajkoviq më 10 nëntor i tha Radios Evropa e Lirë se prania në institucionet qendrore është me rëndësi shumë të madhe.

“Jo vetëm për shkak të veriut, por edhe për shkak të jugut – po mendoj për serbët në jug të lumit Ibër, të cilët, ndonëse kanë qenë tërësisht të lënë pas dore dhe të përfaqësuar në mënyrë joadekuate – sot duhet të përpiqemi që sërish të punojmë në projektet e përbashkëta me deputetët shqiptarë. Ne nuk mund të ikim nga njëri-tjetri, cilado qoftë zgjidhja që do të zgjedhim”, tha Trajkoviq.

Komuniteti serb, si më i madhi në mesin e komuniteteve pakicë në Kosovë, i ka të garantuara me Kushtetutë dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, i cili ka gjithsej 120.

Deri më 7 nëntor, dhjetë deputetët përfaqësues të komunitetit serb në Kosovë ishin: Sllavko Simiq, Igor Simiq, Millana Nikolliq, Zoran Mojsilloviq, Verica Qeraniq, Branisllav Nikolliq, Millosh Peroviq, Lubinko Karaxhiq, Jasmina Deçiq dhe Dragana Antonijeviq.

Këta deputetë ishin të gjithë nga Lista Serbe, që konsiderohet partia më e madhe e serbëve të Kosovës. Aktualisht, Qeveria e Kosovës është duke e zbatuar planin për riregjistrimin e makinave me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Nga 21 nëntori pritet të shqiptohen gjoba për të gjithë qytetarët që përdorin targa me akronime qytetesh si PR, KM e të tjera që Kosova i konsideron të jashtëligjshme.

Beogradi zyrtar insiston në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës, por Prishtina zyrtare deri më tani ka insistuar se nuk heq dorë nga vendimi i saj. Bashkimi Evropian, në anën tjetër, është në pritje të përgjigjes së Kosovës për një propozim të ri lidhur me çështjen e targave të paligjshme serbe. I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ia ka prezantuar këtë propozim kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, gjatë takimit të tyre të martën në Bruksel.

Bislimi tha të mërkurën se “ka elemente që i kemi diskutuar për mundësinë për dalje nga kriza, por nuk ka dakordim”. SHBA-ja dhe BE-ja i kanë kërkuar Qeverisë që të mos nisë zbatimin e fazës së dytë nga 21 nëntori. Udhëheqësit e Listës Serbe në protestën e 6 nëntorit në Mitrovicën e Veriut/ REL

K.T./G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin

Mbledhja e qeverisë, 275 mijë familje dhe individë përfitojnë nga 15 mijë lekë shpërblim për fundvitin