Partitë politike dhe përfaqësuesit institucionalë në Kosovë po hartojnë një strategji për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së, të dënuar në shkallë të parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Megjithëse janë ndërmarrë hapa konkretë, palët kanë vendosur që përmbajtja e strategjisë dhe veprimet e tyre të mbeten konfidenciale.
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila është pjesë e Këshillit Strategjik, tha se anëtarët kanë nënshkruar një deklaratë për ruajtjen e konfidencialitetit.
Sipas saj, ka koordinim dhe seriozitet nga të gjitha palët, ndërsa puna e grupit duhet të vlerësohet nga veprimet konkrete dhe jo nga deklaratat publike.
Edhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Avni Arifi, konfirmoi se partitë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, por pa dhënë detaje. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me ekipet mbrojtëse për të siguruar mbështetjen logjistike dhe financiare të ish-krerëve të UÇK-së.
Ndërkohë, ish-ambasadori Sylë Ukshini vlerëson se strategjia duhet të përqendrohet edhe te diplomacia, përmes lobimit në kryeqytetet europiane dhe ngritjes së çështjeve që lidhen me funksionimin e Gjykatës Speciale.
Grupi punues drejtohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe deri tani ka zhvilluar dy takime. Paralelisht, në Kuvendin e Kosovës mbetet pezull votimi i ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara. Ligji u miratua më 6 tetor, por u kthye për rishqyrtim më 22 tetor nga presidentja Justina Shiroka-Pula, pas kërkesës së PDK-së.
Edhe pse u përfshi në rendin e ditës të seancës së 12 dhe 13 nëntorit, ai nuk u hodh në votim për shkak të mungesës së kuorumit.







Komente
Komento