450 kadetë të Akademisë së Forcave të Armatosura u betuan sot si efektivë të rinj të Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në një ceremoni ku Presidenti i Republikës paralajmëroi për sfida të shtuara të sigurisë, ndërsa Ministri i Mbrojtjes theksoi se forca reale e ushtrisë mbetet karakteri dhe përgatitja njerëzore.

Presidenti Bajram Begaj deklaroi se brezi i ri i efektivëve përfaqëson vazhdimësinë dhe forcën morale të institucionit të mbrojtjes, në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më të paqëndrueshëm.
“Paqja dhe siguria nuk janë të mirëqena. Ato kërkojnë përkushtim, vigjilencë dhe sakrificë çdo ditë,” tha Begaj, duke vënë në dukje angazhimin e Shqipërisë në misionet e NATO, Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara.
Ai theksoi se Tirana do të vijojë rritjen e buxhetit të mbrojtjes, por nënvizoi se investimet materiale nuk mjaftojnë pa përgatitjen e njerëzve.
“Fuqia e një ushtrie nuk matet vetëm me pajisje apo numra, por mbi të gjitha me njerëzit që e përbëjnë. Matet me ju,” u shpreh Presidenti.
Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu vuri theksin te fakti që efektivët e rinj i janë bashkuar ushtrisë vullnetarisht, në një kohë kur disa vende evropiane po rikthejnë shërbimin e detyrueshëm.
“Ju nuk jeni këtu sepse ju është kërkuar, por sepse keni zgjedhur të jeni. Dhe kjo zgjedhje ka peshë strategjike,” tha Vengu.

Ai theksoi se modernizimi i ushtrisë nuk mund të mbështetet vetëm te teknologjia dhe infrastruktura.
“Asnjë teknologji dhe asnjë buxhet nuk zëvendëson karakterin. Oficeri dhe ushtari formohen në disiplinë dhe presion,” deklaroi ministri, duke e lidhur këtë qasje me programin strategjik “Mbrojtja 2030”.
“Investimet në Akademinë e Forcave të Armatosura, në qendrat stërvitore, laboratorët, poligonet dhe sistemet moderne të trajnimit nuk janë luks. Ato janë domosdoshmëri për një ushtri moderne, të besueshme dhe të ndërveprueshme me aleatët tanë”, shtoi ai.
Vengu vlerësoi gjithashtu edukimin e përbashkët të kadetëve nga Shqipëria dhe Kosova si element kyç për ndërveprueshmërinë dhe sigurinë rajonale.
“Në radhët tuaja ka edhe 19 kadetë dhe studentë nga Kosova, që po formohen me të njëjtat standarde dhe vlera. Ky edukim i përbashkët nuk është retorikë. Është ndërtim real besimi, ndërveprueshmërie dhe sigurie rajonale”, tha ai.

Ceremonia shënoi përfundimin e fazës së parë të formimit ushtarak për efektivët e rinj, të cilët pritet të vijojnë trajnimet dhe përgatitjen për misione dhe role drejtuese brenda dhe jashtë vendit.
Komente









