ANKARA -Presidenti i ri i Turqisë Rexhep Tajip Erdogan kreu ditën e sotme betimin para Parlamentit në kryeqytet, gjatë një ceremonie që u shmang qëllimisht nga anëtarët e partisë kryesore të opozitës .

I zgjedhur më 10 gusht për një mandat me periudhë prej pesë vitesh , Erdogan , 60 vjeç , pason Abdullah Gul.

Presidenti i ri turk premtoi gjatë ceremonisë se do të mbetet besnik ndaj "Kushtetutës , shtetit të së drejtës , demokracisë , parimeve dhe reformave të Ataturkut dhe parimeve të republikës laike”.

Erdogan, i cili shërbeu në 3 mandate si Kryeministër i Turqisë, është shprehur se do t’i japë më shumë pushtet postit të presidentit. Kritikët janë shprehur se masat e mara do ta bëjnë atë gjithnjë e më autoritarë.

Ministri i Jashtëm, Ahmet Davutoglu do të jetë Kryeministri i ri i vendit. Erdogan, i cili dorëzoi të gjitha funksionet e tij në partinë AK, mbajti fjalimin e tij të fundit në kongresin e partisë, duke thënë: Ajo që ndryshon sot është forma, jo thelbi i misionit që partia jonë ka marrë përsipër, qëllimet dhe idealet e saj nuk ndryshojnë.

Ahmet Davutoglu ishte i vetmi kandidat për të zëvendësuar Erdogan, në fjalën e tij ai tha se Turqia kishte nevojë për një kushtetutë të re.



Redaksia Online
(e.n/shqiptarja.com)