Presidenti në ikje Karolos Papulias zyrtarizoi qeverinë e formuar nga koalicioni mes SYRIZA dhe Grekëve të Pavarur të partisë së djathtë ANEL, duke arritur maxhorancën e nevojshme.
“Betohem se do të mbështes Kushtetutën dhe ligjet dhe do t’u shërbej interesave të popullit grek”. Ky ishte betimi politik i kryeministrit më të ri në moshë në historinë e Greqisë. Ai vizitoi në shenjë respekti personalisht kryepeshkopin Jeronimos ku e njoftoi se nuk do të jetë i pranishëm në betimin e qeverisë së re, pasi sipas deklaratave të tij kërkon të jetë kryeministër politik, jo fetar. Kreu i SYRIZA theu kështu një zakon të vjetër në shtetin helen, ku Kisha Ortodokse ka një rol shumë të madh.
Por si u arrit deri në marrëveshjen e koalicionit midis dy partive të spektrave të ndryshme?
Pavarësisht triumfit të thellë të partisë së Aleksis Tsipras në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës në Greqi, SYRIZA nuk arriti të sigurojë shumicën absolute, ku ishte vetëm 2 deputetë larg qeverisjes e së vendit e vetme. Në këto kushte, bisedimet e këtij mëngjesi në më pak se një orë mes liderëve Tsipras dhe Kamenos përfunduan me marrëveshjen në parim të koalicionit qeverisës, duke i dhënë “zgjidhje vendimit të popullit grek”, siç lideri i “Grekëve të Pavarur” u shpreh.
Qeveria e re ka 162 deputetë (149 të SYRIZA dhe 13 të ANEL). Mazhoranca absolute kërkonte 151 deputetë nga 300 vende në total që ka parlamenti grek, numër të cilin SYRIZA nuk e arriti dot. Qëllimi i Tsipras është të përfundojë sot krijimin e qeverisë së re me marrëveshjet e koalicionit në mënyrë që puna e qeverisë të marrë udhë sa më parë.
Si u ndane perqindjet e votave mes partive te tjera?
Aleanca e Radikalëve të Majtë siguroi 36 % të votave, duke u ndjekur nga “Demokracia e Re” e kryeministrit në largim Antonis Samaras me mbi 27 % dhe 76 vende. Forca e tretë doli “Agimi i Artë” i neonazistëve me mbi 6 % të votave duke siguruar 17 vende në Parlamentin grek, njëjtë me numrin e deputetëve të siguruar nga partia e re POTAMI. Komunistët kanë marrë 15 vende në parlamentin e ri ndërsa Grekët e Pavarur të ANEL dhe PASOK i Venizellos kanë siguruar 13 mandate. Surprizë e këtyre zgjedhjeve ishte Jorgos Papandreu, i cili nuk arriti të sigurojë pragun elektoral prej 3 % duke mbetur jashtë parlamentit.
Ndërkohë fitorja e Tsipras ka rritur frikën mbi të ardhmen e Greqisë në Eurozonë.
Liderët e TROIKA që nxorrën Greqinë nga kriza - Bashkimi Europian, Banka Qëndrore Europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar – vendosën masa të ashpra në shkurtimet buxhetore dhe ristrukturime për kthimin e borxhit masiv. Por Tsipras ka deklaruar se “Troika për Greqinë është diçka e së shkuarës”. “Vota e popullit grek kundër masave shtrënguese të borxhit të madh ishte e fortë dhe e qartë. Unë do t’i jap fund poshtërimit kombëtar dhe vuajtjes së pesë viteve të fundit në Greqi”, u shpreh Tsipras. Ai u zotua se do të rinegociojë borxhin masiv të shpëtimit.
Syriza dhe ANL, partitë e spektreve të ndryshme që bashkohen në koalicion
Ora 20:41 Pirro Dhima mbetet jashtë Parlamentit Grek
Pirro Dhima nuk arrit te rizgjidhej deputet në Greqi. Kandidoi në zonën B në Athinë me PASOK-un dhe u rendit i 4 me 2.215 vota, duke mos arritur të futej në parlamentin grek. Ndërkohë që pjesë e listës së SYRIZA që bëhen pjesë e parlamentit grek janë edhe tre minoritarë turq.
Ora 18:30 Ja cila do jetë përbërja e mundshme e qeverisë Greke
Koalicioni i sapoformuar Grek mes Syrizas-Anel ka marrë zyrtarisht detyrën për të qeverisur Greqinë në katër vitet e ardhshme. Ende nuk është shpallur një listë zyrtare e kabinetit qeveritar me ndarjet e posteve drejtuese dhe ministrive, por në mediat greke qarkullojnë emra të ndryshëm. Kabineti i ri qeveritar, mendohet se do të jetë i reduktuar me 10 ministri dhe mes emrave drejtues të posteve më të rëndësishme aludohet si më poshtë:
Kryeministër – Aleksis Cipras
Zv/kryeministër - Janis Dragasaqis
Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë – Spiros Sajias
Ministria e Ekonomisë – Janis Varufaqis
Ministria e Jashtme – Nadia Valavanis
Ministria e Zhvillimit (shkrihen Marinës dhe e Turizmit) – Jiorgos Stathaqis
Ministria e Brendshme – Panos Skurletis
Ministria e Mbrojtjes – Panos Kamenos (ANEL)
Ministria e Drejtësisë – Zoi Konstandinopulu
Ministria e Punës – Rania Antonopulu
Ministria e Kulturës – Konstandino Çukalas
Ministria e Shëndetësisë – Panajotis Kurumblis
Ministria e Arsimit - Aristidhis Baltas
Ora 17:30 Samaras justifikon mospraninë në ceremoninë e betimit të Tsipras
Gjatë ceremonisë së betimit të qeverisë së re ka ndodhur një sjellje e pazakontë, ku ish-kryeministri Antonis Samaras apo përfaqësues të kabinetit të tij qeveritar nuk kanë marrë pjesë në dorëzimin e postit të kryeministrit të ri Aleksis Tsipras. Kjo është parë me habi dhe si mungesë e kulturës politike, pasi ceremonia e dorëzimit të qeverisë është procedurë institucionale. Megjithatë përfaqësues të afërm të Samaras e kanë justifikuar me faktin se kjo “nuk parashikohej me Kushtetutë”.
Ora 15:40 Tsipras lule në varrezat e ushtarëve të vrarë nga nazistët, akti i parë si Kryeministër
Kryeministri i ri grek, Aleksis Tsipras ka vendosur lule në varrezat e 200 ushtarëve grekë të vrarë nga nazistët në 1 Maj të vitit 1944.
Ky ka qenë akti i parë që ka bërë Aleksis Tsipras pasi ka dalë nga selia e Presidentit Karolos Papulias ku është betuar për marrjen e detyrës së tij si kryeministër
Betohet Tsipras
Ora 15:00 Kryeministri i ri i Greqisë është betuar te presidenti Papulias. Tsipras është i pari kryeministër në Greqi i cili bën vetëm betimin politik, dhe jo atë fetar në Kishë, një traditë kjo për popullin helen.
“Betohem se do të mbështes Kushtetutën dhe ligjet dhe do t’u shërbej interesave të popullit grek”. Ky ishte betimi politik që dha Aleksis Tsipras para Presidentit të Republikës. Ai është kryeministri me i ri në moshë në historinë e Greqisë.
(Momente nga betimi i Tsipras, në ambientet e pallatit presidencial)
Ora 14:50 - Rezultatet zyrtare: Syriza mbi 36 % te votave dhe 149 vende ne Kuvend
Ne oren 14:50 perfundoi plotesisht numerimi i votave te rreth 10 milione grekeve qe u bene pjese e zgjedhjeve te se dieles.
Rezultatet zyrtare
SYRIZA - 36,34% të votave – 149 vende në Kuvend
Demokracia e Re - 27,81% të votave – 76 vende në Kuvend
Agimi i Artë - 6,28 të votave – 17 vende në Kuvend
Potami - 6,05 % të votave – 17 vende në Kuvend
ANEL - 4.75 % të votave - 13 vende në Kuvend
PASOK - 4,68 % të votave – 13 vende në Kuvend
Lëvizja e Socialistëve Demokratë - 2.44 % të votave - nuk siguron vend ne Kuvend
Ora 13:47 Juncker: Komisioni do të punojë me çdo qeveri
“Nuk jemi ende në kontakt me autoritetet greke, sepse nuk janë ende në funksion dhe do të jenë më vonë gjatë ditës. Por është standard i zakonshëm dhe një sens i përbashkët që Komisioni të punojë me çdo qeveri. Kjo është ajo që do të bëjmë me Greqinë”. Kështu u shpreh Jean Claude Juncker gjatë arritjes në Këshill për mbledhjen e Eurogrupit.
Ora 13:10 Tsipras thyen traditën: Nuk do të bëjë betimin fetar në Kishë..vetëm betim politik
Aleksis Cipra do të jetë kryeministri i parë i Greqisë që nuk do të bëjë betimin fetar. Sipas mediave greke Cipras do të shkojë në shenjë respekti personalisht tek kryepeshkopi Jeronimos në orën 14.30 (13:30 me orën në Shqipëri) për ta njoftuar se ai nuk ka për të jetë i pranishëm në betimin e qeverisë së re.
Kreu i SYRIZA po thyen kështu një zakon shumë të vjetër në shtetin helen, ku Kisha Ortodokse ka një rol shumë të madh. Qeveria e re, që pritet të shpallet brenda ditës do të bëjë një betim politik, pram bi kushtettutën dhe jo mbi Bilbën e me bekimin e klerikëve.
Ora 12:48 Mundësia e Berlinit: Zgjatje e afateve të skandencës për ndihmat
Pas triumfimit të të majtëve radikalë të Syriza, qeveria gjermane është shprehur se do të jetë e hapur për të zgjatur afatin e skadencave lidhur me programet e shpëtimit. “Ky mund të jetë një opsion”, - është shprehur zëdhënësi i ministrisë së financës këtë mëngjes në Berlin.
Ora 12:11 Merkel pret nga qeveria e re që të respektojë angazhimet
Kancelarja gjermane Angela Merkel pret që qeveria e re greke të realizojë angazhimet e marra nga paraardhësit e tyre. Kjo është deklaruar nga zëdhënësi i saj, të nesërmen e fitores së zgjedhjeve nga partia e Syrizës.
Ora 11:15 Putin uron Tsipras për fitoren: Besoj se do vazhdojmë bashkëpunimin
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin uroi kryetarin e SYRIZA-s, Alexis Tsiparas për fitoren e partisë së tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
“Udhëheqësi i shtetit rus shprehu besimin se Rusia dhe Greqia do të vazhdojë të forcojnë bashkëpunimin tradicional në të gjitha fushat dhe për të zgjidhur në mënyrë efektive problemet aktuale në Evropë dhe në botë. Putin gjithashtu thekson se fitorja e partisë së Tsipras ndodhi në një kohë jo të shumë të lehtë për Greqinë”, shkruhet në deklaratën e Kremlinit.
Ora 11:10 Kamenos: I japim besimin tonë kryeministrit Tsipras
Pas takimit me liderin e SYRIZA, kreu i ANEL Kamenos ishte i pari që zyrtarizoi marrëveshjen e arritur për të qeverisur vendin në koalicion me partinë e të majtëve radikalë që triumfoi në zgjedhjet e së dielës.
“Tashmë ka një qeveri në vend. Kemi një marrëveshje në parim. Ne i japim besimin tonë Kryeministrit Alexis Tsipras. Ne i dhamë zgjidhje vendimit të popullit grek”, u shpreh Kamenos pas takimit me Tsipras.
Ora 10: 26 Formohet qeveria e re greke, koalicion SYRIZA ANEL
Formohet në parim qeveria e re greke, me kryeministër liderin e së majtës radikale Syriza, Alexis Tsipras, në koalicion me Grekët e Pavarur të ANEL të kryesuar nga Kamenos. Gjatë takimit të sotëm dy liderët i dhanë “zgjidhje vendimit të popullit grek”, siç ata u shprehën, duke formuar koalicionin qeveritar me 162 deputetë në kuvend.
Ora 09:45 Tsipras nis negociatat me ANEL
kreu i partisë ANEL, apo “Grekët e Pavarur” Panos Kammenos, ka mbërritur në selinë Syriza. Pritet që Tsipras t’i kërkojë Kammenos, i cili ka marrë 13 vende në parlament, koalicion për të qeverisur.
Ora 09:00 Hollande: Urime SYRIZAS, do ruajmë marrëdhëniet e mira që kemi pasur mes dy vendeve
Presidenti i Francës Francois Hollande nëpërmjet një deklarate zyrtare ka uruar Aleksis Tsipras për fitoren e SYRIZA-s në zgjedhje.
Hollande rikujton në deklaratën e tij “miqësinë që lidh Francën dhe Greqinë” dhe shpreh gatishmërinë e saj për të vazhduar marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve", për zhvillimin dhe stabilitetin e eurozonës, në frymën e progresit, solidaritetit dhe përgjegjësisë, si dhe vlerat evropiane fondamentale që dy vendet ndajnë.
Marine Le Pen: Shuplakë monstruoze demokratike për BE
Presidenti i Frontit Kombëtar Francez Marine Le Pen, përshëndeti "hapjen e procesit të kursimit paraprak të euros" me fitoren e SYRIZA dhe përsëriti bindjen e tij në mundësinë që ka Franca për të dalë nga Bashkimin Evropian dhe nga zona Shengen: "Unë jam i kënaqur për shuplakën monstruoze demokratike që populli grek i dha Bashkimit Europian për shkurtimet e mundshme”.
Shtëpia e bardhë: Do mbajmë kontakte të ngushta me qeverinë e ardhshme
Shtëpia e Bardhë ka shprehur dëshirën për të qenë në gjendje që të punojë "në kontakt të ngushtë" me qeverinë e ardhshme në Athinë.
Ora 08:45 - Kryeministri britanik: Do rritet pasiguria ekonomike në Europë
Kryemistri i Britarisë David Cameron: Zgjedhjet në Greqi do të shtojnë paqartësinë ekonomike në Evropë. Ja përse Mbretëria e Bashkuar duhet të vijojë me planin e saj dhe kujdeset për sigurinë në planin e brendshëm. “Zgjedhjet në Greqi do të rrisin Pasigurinë ekonomike në Evropë. Ja përse Britania duhet të qëndrojë me planin tonë, duke rritur sigurinë në shtëpi,”-është shprehur Cameron.
Ora 07:00 - Kryetari i SYRIZA, Tsipras në orën 09:30 takohet me kreun e ANEL, Kamenos
Alexis Tsipras dhe kryetari i ANEL, Kamenos pritet të formojnë qeverinë e re me 162 deputetë në Parlament. Partia ANEL ka marrë 4.75% të votave, duke siguruar 13 vende në Parlament.
(Foto: Majtas, kreu i SYRIZA, Tsipras; djathtas kreu i ANEL, Kamenos)
Zhvillimet e oreve te vona te mbremjes se 25 Janarit
Ora 22:25 Fjalimi i fitores, Tsipras: Populli grek bëri histori
Në fjalimin e fitores para mbështetësve që u mblodhën në selinë qendrore të partisë SYRIZA në Athinë, deklaroi se populli grek me votën e së dielës bëri histori.
“Greqia lë pas 5 vite poshtërim dhe vuajtje, Greqia tashmë merr frymë me dinjitet drejt BE-së, por e ndryshuar. Vota juaj është shembulli i Evropës që po ndryshon, Greqia sot ka bërë që historia të ecë përpara. Për të gjithë popujt e Evropës sot është një festë.
Do të fillojmë me punë të madhe pas këtij vendimi të popullit grek. Mbyllet një kapitull i varfërisë së vendit tonë, duke lënë pas kujtimet e varfërisë dhe katastrofës. Trojka për Greqinë tashmë është një e kaluar. Jemi mëse të vetëdijshëm që populli grek nuk pranon urdhra nga të tjerët, por kemi shpresë për brezat e ardhshëm dhe unitetin e vendit tonë. Do ta përdorim besimin tuaj dhe do të krijojmë një qeveri greke për të gjithë grekët. Do të përfaqësojmë të gjithë grekët pavarësisht nëse votuan apo jo për ne. Do të luftojmë të gjithë sëbashku për të ringritur vendin bazuar në themelet e reja. Sot po i adresohem çdo burri e gruaje greke që po na ndjek në këto momente. Nuk ka fitues dhe humbës por sot kemi mposhtur oligarkinë. Ishte vota e popullit që na solli drejtësinë, ë këtij populli të ditur, punëtor, Greqisë së civilizimit. Është Greqia që lufton, që shpreson dhe që ka kërkuar për vendin e saj të krijojë një të ardhshme të re me dinjitet. Dua t’ju falenderoj përmzemërsisht, por mbi të gjitha ju mijëra grekë që keni ardhur nga mbarë Europa për të treguar këtë solidaritet. Kjo fitore e jona është fitore për të gjithë popujt në Evropë.
Të dashur miq qeveria e re greke nuk do të hapë konflikte të njëanshme, por sot përballë kemi një mundësi të jashtëzakonshme për një forum të ri, edhe për Europën, një politike të re për Evropën, për marrëdhënie të reja bazuar në respektimin e gjithsecilit por edhe në solidaritet.
Pikësynimi ynë i parë do të jetë të menaxhojmë dhe të përballemi me themelet e kësaj krizë. Do të luftojmë korrupsionin për të future kudo principet e reja demokratike.
Prioriteti ynë mbi të gjitha do të jetë që grekët të rifitojnë sërish dinjitetin e tyre dhe ky është mesazhi të fitojmë buzëqeshjen dhe dinjitetin e humbur të popullit tonë.
Falenderoj nga thellësia e zemrës këdo që më dhatë këtë fitore me pasion duke i dhënë shpresë popullit tonë, dhe ju i sollët sërish buzëqeshjen çdo gruaje dhe nënë greke. Ky është një moment historik për Greqinë. Do të luftojmë dhe përpiqemi me të njëjtin pasion drejt kësaj beteje të vështirë dhe të bukur. Le ta ngremë diellin e demokracisë, të dinjitetit dhe së bashku do ia dalim mbanë”.
Ora 22:20 Presidenti i PE, Schulz telefonon Tsipras: Fitore historike, do vij t’ju takoj
Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz telefonoi kryetarin e SYRIZA, Tsipras. “Kjo është një fitore historike, një sukses i madh. Unë do të bëj gjithçka që kam në dorë për të ndihmuar dhe për gjetur një zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme. Kam ndërmend të vij në Athinë në mes të javës për t’ju takuar dhe të premten do të takohem me Kancelaren gjermane, Merkel”, tha Schulz.
Samaras pranon humbjen: E nxora vendin nga kriza e thellë
Ora 21:45 Kryeministri në detyrë i Greqisë Antonis Samaras, ka pranuar publikisht humbjen, edhe para shpalljes së rezultateve zyrtare, duke marrë parasysh diferencën e thellë me partinë e kundërshtatit të tij politik Aleksis Tsipras.
Kreu i Demokracisë së Re, partisë së dytë pas SYRIZES, në një deklaratë nga selia e partisë së tij, tha se ndihej krenar për ndryshimet pozitive që i solli vendit, që siç theksoi ai e mori udhëheqjen e Greqisë në prag katastrofe dhe e nxorri vendin nga kriza.
Ai tha se shpreson që partia e re që do të marrë drejtimin e Greqisë të mos hedhë poshtë arritjet që kolaicioni i Demokracisë së Re me PASOK solli për vendin. Pavarësisht humbjes, Samaras tha partia e tij do të vazhdojë të rualë rol të rëndësishëm për reformat.
“Kur mora qeverisjen e mora vendin në prag katastrofe dhe u përpoqa ta zgjidh situatën. Arritëm të evitojmë më të keqen dhe e nxorëm Greqinë nga kriza e thellë. Një koalicion partiak i panjohur për Greqinë, ishim të detyruar të ndërmerrnim hapa të vështirë megjithatë arritëm të evitojmë më të keqen. Pra sot dorëzoj vendin në një situatë më të mirë ekonomike, një vend që ka dalë nga kriza dhe mbi të gjitha dorëzoj një vend që është anëtar i BE dhe për të mirën e këtij vendi shpresoj që qeveria e re të mos i hedhë poshtë këto arritje. Unë ndihem krenar që i kam thënë të vërtetën popullit grek, shpresoj qe edhe qeveria e ardhshme të jetë e tillë. Rezultatet nuk janë të kënaqshme për ne, por tregojnë që Demokracia e Re qëndron ende pavarësisht vështirësive që ka përjetuar. Dhe pavarësisht këtij rezultati kemi një humbje të vogël në krahasim me zgjedhjet e mëparshme. Demokracia e Re do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm për reformat, kemi nevojë që të ecim përpara. Do të vazhdojmë të luajmë plotësisht rolin tonë”, u shpreh Antonis Samaras, kryeministri ende ne detyre ne fjalimin e pare menjehere pas shpalljes se rezultateve paraprake.
Ora 21:40 Samaras pranon humbjen: Kjo është kulturë politike
Kryeministri aktual i Greqisë, njëherësh kreu i Demokracisë së Re Antonis Samaras ka telefonuar kundërshtatin e tij politik Aleksis Tsipras ku e ka përgëzuar për fitoren. Sipas mediave greke Tsipras e ka vlerësuar telefonatën, ndërsa Samaras është shprehur: Kjo është kulturë politike. Kjo telefonatë vjen pak çaste para se Samaras të dalë para qytetarëve në deklaratën që do të pranojë publikisht humbjen e zgjedhjeve në Greqi.
Ora 21:30 – Venizellos uron fitoren e SYRIZES
Ministri aktual i Jashtëm i Greqisë, Venizellos, kreu i PASOK, partise ne koalicionin qeverises, ka pranuar publikisht fitoren e partisë SYRIZA, duke uruar sukses për të mirën e vendit. Në një deklaratë për mediat ai tha se tashmë SYRIZA ka një përgjegjësi të madhe pasi është zgjedhur nga populli.
“Kemi detyrim që të respektojmë zgjedhjen e popullit. S’kemi kohë për të humbur, duam që gjërat të shkojnë mirë”, tha Venizellos.
Venizellos tha se neonazistët e Agimit të Artë nuk duhej të ishin në vendin e tretë, por se PASOK duket të kishte atë vend. Kjo, shtoi Venizellos, do të kishte ndodhur nësë Papandreu nuk do të ndante partinë.