Kreu i sapozgjedhur i shtetit Italian Sergio Mattarella u betua në Parlament për besnikëri ndaj Republikës Italiane për 7 vitet e ardhshme.
“Betohem se do të jem besnik ndaj Republikës e se do të ndjek me ndershmëri Kushtetutën”.
Presidenti mbajti fjalimin përballë deputetëve të parlamentit, para ceremonisë tradicionale të marrjes së postit. Në fjalën e tij ai theksoi se do të “ishte arbitër i paanshëm” teksa kërkoi bashkëpunimin e të gjithë ‘lojtarëve’ dhe bëri thirrje për “zhdukjen e pengesave që limitojnë lirinë e barazinë”.
“Jemi të gjithë të vendosur para përgjegjësisë për afrimin e italianëve pranë institucioneve. Politika duhet të kuptohet si një e mirë e përbashkët, trashëgimi e secilit prej nesh”, tha kreu i ri i shtetit italian.

Mattarella theksoi luftën kundër akteve të dhunshme dhe terrorizmit si një kërcënim ndërkombëtar, ashtu si dhe ndaj Mafias si një ‘kancer i përhapur në vend”. Teksa dënoi dhunën në emër të fesë, ai theksoi se është e rëndësishme të garantohet paqja dhe të mos ketë luftë.
“Terrorizmi është një kërcënim ndërkombëtar që rrezikon bashkëjetesën tonë me sfidën e saj të përgjakshme, duke shkaktuar tragjedi në çdo pjesë të botës. Alarmante është dhe përhapja e mafias, si një kancer që shkatërron shpresat, imponon frikë dhe shtypje, duke shkelur të drejtat e njeriut. Ne do të kemi si prioritet dhe do të inkurajojmë luftën e vendosur të gjykatave dhe forcave të rendit për zhdukjen e mafias, ashtu si dhe të korrupsionit”, u shpreh Mattarella.
Lidhur me emigracionin presidenti Mattarella tha se është një emergjencë humanitare në përmasa të mëdha dhe e dhimbshme, që kërkon vëmendjen dhe bashkimin e BE-së për një zgjidhje urgjente.
Fjalimi i Mattarellas u vlerësua si i njëanshëm dhe tepër fisnik, e vërejtur kjo dhe nga duartrokitja e gjatë prej 3 minutash dhe nga ngritja në këmbë e të gjithë pjesëmarrësve në parlament, bashkë me deputetët e partisë “Lëvizja e 5 Yjeve”, të cilët megjithatë nuk e duartrokitën.

VIDEO








