ORA 20:55 - PRESIDENTI TOPI FESTON TE ‘LION PARK’
Ndërkohë që Presidenti Nishani vazhdon të marë urimet nga të ftuarit e tij në Presidencë, paraardhësi i tij Bamir Topi është gjithashtu duke festuar. Topi ka mbledhur të gjithë miqtë e tij në ambientet e “Lion Park” me të cilët po feston përfundimin mandatit të tij presidencial.
ORA 20:00 - NISHANI TROKET GOTAT
Ceremonia në ambientet e Presidencës vazhdon me trokitjen e gotave me të ftuarit. Presidenti Nishani, shoqëruar nga bashkëshortja e tij, po marrin urimet e të gjithë të ftuarve që morën pjesë në këtë ceremoni.
ORA 19:48 - TOPI PERQAFON NISHANIN DHE DEL NGA PRESIDENCA
Në përfundim të fjalimit të Presidentit Nishani, Presidenti Topi i ka shtrënguar atij dorën dhe e ka përqafuar duke e uruar për detyrën e re. Pas këtij shtrëngimi duarsh, që u shoqërua edhe nga ai me zonjat e para, Presidenti Topi ka zbritur shkallët e Presidencës i shoqëruar nga bashkëshortja Teuta, ku dhe u ngjit në makinën e eskortës presidenciale që e shoqëroi jashtë ambienteve të Presidencës.
ORA 19:40 - NISHANIT I DOREZOHET KUSHTETUTA: PERGJEGJESIA ME E MADHE
Në vijim, kreu i Gjykatës Kushtetuese i dorëzoi Presidentit Nishani Kushtetutën e Republikës, duke simbolizuar kështu kalimin e përgjegjësisë së ruajtjes së saj. Më pas Nishani, gjatë fjalës së tij tha se ndjehet “më i privilegjuari, më i nderuari. Që nga ky çast mbaj mbi vete përgjegjësinë më të madhe të mundshme që mund të ketë një individ në lidhje me shoqërinë dhe vendin”.
ORA 19:33 - TOPI PRET NISHANIN ME HIMNIN KOMBETAR
Presidenti Bamir Topi, i shoqëruar nga familja e tij, ka pritur Presidentin e ri, Bujar Nishani. Dy presidentët kanë dalë përpara të pranishmëve në shkallët e Presidencës ndërsa është dëgjuar Himni Kombëtar. Më pas janë dëgjuar të shtënat e topave.
ORA 19:10 - TE GJITHE DREJT PRESIDENCES
Pas fjalës së Kreut të Shtetit, ceremonia spostohet nga Kuvendi te Presidenca. Distanca e afërt mes dy institucioneve ka bërë që shumë prej të ftuarve të spostohen në këmbë. Presidenti Nishani pritet të mbërrijë rreth orës 19:15.
ORA 19:00 - NISHANI: I HAPUR PËR BASHKËPUNIM ME OPOZITËN
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Nishani u shpreh gjithashtu i hapur për të bashkëpunuar me të gjitha palët, përfshi këtu opozitën. Ai gjithashtu e theksoi si shumë të rëndësishëm rolin e Shqipërisë në rajonin e Ballkanit.
“Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Nishani në përfundim të fjalës së tij.
ORA 18:50 - NISHANI: DO MBROJ QYTETARET, STATUSIN DO TA MARRIM
“Me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë kam besim se do të marrim statusin”, tha Nishani gjatë fjalës së tij përballë deputetëve, menjëherë pas betimit si President i Republikës. “Shqipëria është përballë sfidave të mëdha”, shtoi Kreu i ri i Shtetit. Nishani përsëriti se prioriteti i tij do të jetë sistemi i drejtësisë ndërsa shtoi se Shqipëria ka bërë hapa përpara drejt Europës. “Do të mbroj interesat e qytetarëve të vendit”, tha Nishani në sallën e Kuvendit.
ORA 18:40 - NISHANI: BETOHEM!
Kryetarja e Parlamentit ka recituar formulën e betimit e cila më pas është ndjekur nga vetë Presidenti i Republikës, Bujar Nishani: “Betohem”! Më pas kanë vijuar notat e Himnit Kombëtar.
ORA 18:38 - NISHANI PRITET ME DUARTROKITJE
Në ambientet e Kuvendit ka mbërritur edhe vetë Presidenti Bujar Nishani i cili është pritur me duartrokitje nga deputetët.
ORA 18:34 - MBERRIN BERISHA DHE INA RAMA
Në sallën e Parlamentit kanë mbërritur tashmë edhe Kryeministri Sali Berisha si dhe kryeprokurorja Ina Rama.
ORA 18:20 - MBERRIJNE NE KUVEND AMBASADORET E DEPUTETET
Kanë mbërritur në Parlament disa prej diplomatëve të huaj në vend, si ambasadori i OSBE, ai Bashkimit Europian dhe ai i Shteteve të Bashkuara, që do të ndjekin ceremoninë e Presidentit të ri të Republikës, Bujar Nishanit. Gjithashtu, kanë mbërritur edhe një pjesë e mirë e deputetëve.
ORA 18:00 - NISHANI: DREJTESIA PRIORITET
“Sistemi i drejtësisë do të jetë prioriteti im. Do të angazhohem plotësisht në favor të një reformë në sistemin ligjor, e cila mbetet faktori kyç në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, tha Nishani për AFP.
“Presidenti mund të kontribuojë drejtpërdrejtë [në reformat e Drejtësisë] për të garantuar opinionin publik si edhe partnerët ndërkombëtare se ne mund të arrijmë standardet e kërkuara”, shtoi Nishani.
Ai premtoi se “do të jem plotësisht i pavarur nga çdo influencë që vjen nga forcat politike”, ndonëse bashkëpunimi “me shumicën qeverisëse dhe opozitën është shumë e rëndësishme për mua”.
Nishani foli edhe në lidhje me integrimin e vendit. Në këtë kuadër, ai nënvizoi se “jam optimist që Shqipëria do të marrë statusin në vjeshtë”.
SOT BETIMI, NE CEREMONI EDHE RAMA
Nga sot Bujar Nishani merr zyrtarisht detyrën e Presidentit të vendit. Ditën e sotme, ceremonia e ndërrimit të “stafetës” së krerëve të shtetit do të jetë e veçantë dhe do të jetë konform ndryshimeve të reja në ceremonialin e Shtetit.
Ndërkohë janë evituar disa elementë thelbësorë të ceremonisë, si zhvillimi i saj në Pallatin e Brigadave duke zbritur në qendër të kryeqytetit pikërisht në Presidencë. Si dhe nuk do te ketë fjala e lamtumirës e Presidentit në largim Topi që e shkurton goxha kohën në ceremoni.
Pas betimit në Kuvend, ora 18:00, në 19:30 Presidenti Nishani i shoqëruar nga truprojat e nderit dhe katër motoçikleta do ti drejtohet presidencës, ku në prani të Presidentit Topi do të marrë dosjen e Presidencës. Gjatë kësaj kohe do të ketë të shtëna topi dhe fishekzjarre. Në 19.50 zoti Nishani do të betohet para Kushtetutës.
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama dhe deputetët e PS do të jenë të pranishëm në ceremoninë e Presidencës. Lajmi konfirmohet nga selia rozë.
NE CEREMONI 580 TE FTUAR
Pavarësisht vendit të ngushtë, mësohet se janë ftuar rreth 580 personalitete vendase dhe të huaja. Janë ftuar të gjithë ambasadorët e e huaj të akredituar në Shqipëri, janë ftuar krerët e të gjitha partive politike, mes të cilëve dhe kryetari i opozitës shqiptare Edi Rama, i cili pavarësisht se e ka konfirmuar se ka marrë ftesën, ka nënvizuar se gjithsecili është i lirë të shkojë. Mësohet se Rama është në dilemë dhe pritet vendimi i sotëm i mbledhjes së grupit të PS për të vendosur mbi paraqitjen. Kreu i grupit Ruçi mësohet se do të jetë prezent. Kuptohet kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Topalli si dhe krerët e grupeve parlamentare, si dhe deputetët do të jenë në listën e të ftuarve.
Ndërkohë që në ceremoni janë të ftuar dhe dy kandidatët që u propozuan për president dhe që refuzuan, Xhezair Zaganjori dhe Artan Hoxha. Pritet që në radhët e të ftuarve të jenë krerët e institucioneve të pavarura e kushtetuese në vend si kryeprokurorja Rama, kreu i SHISH, Shaqiri, kreu i Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj etj. Nuk kanë si të mungojnë dhe dy ish-presidentët Rexhep Meidani, Alfred Moisiu për dhe Kastriot Islami.
(im/sg/shqiptarja.com) Pavarësisht vendit të ngushtë, mësohet se janë ftuar rreth 580 personalitete vendase dhe të huaja. Janë ftuar të gjithë ambasadorët e e huaj të akredituar në Shqipëri, janë ftuar krerët e të gjitha partive politike, mes të cilëve dhe kryetari i opozitës shqiptare Edi Rama, i cili pavarësisht se e ka konfirmuar se ka marrë ftesën, ka nënvizuar se gjithsecili është i lirë të shkojë. Mësohet se Rama është në dilemë dhe pritet vendimi i sotëm i mbledhjes së grupit të PS për të vendosur mbi paraqitjen. Kreu i grupit Ruçi mësohet se do të jetë prezent. Kuptohet kryeministri Berisha dhe kryetarja e Kuvendit Topalli si dhe krerët e grupeve parlamentare, si dhe deputetët do të jenë në listën e të ftuarve.
Ndërkohë që në ceremoni janë të ftuar dhe dy kandidatët që u propozuan për president dhe që refuzuan, Xhezair Zaganjori dhe Artan Hoxha. Pritet që në radhët e të ftuarve të jenë krerët e institucioneve të pavarura e kushtetuese në vend si kryeprokurorja Rama, kreu i SHISH, Shaqiri, kreu i Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj etj. Nuk kanë si të mungojnë dhe dy ish-presidentët Rexhep Meidani, Alfred Moisiu për dhe Kastriot Islami.