TIRANË - Ish-nënkryetari i FRD, Aleksandër Biberaj i ka propozuar sot Presidentit të Republikës, Bujar Nishani të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për shkak të shtrirjes së krimit në vend. Ai ka propozuar që në këtë mbledhje, ku merr pjesë Kryeministri, ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe drejtues të institucioneve të tjera përgjegjëse, mund të ftohej edhe lideri i opozitës z.Rama (me statusin e kryeministrit të ardhshëm), në mënyrë që secili të merrte përgjegjësitë e veta dhe të ushtronte këto përgjegjësi deri në afatet, që përcakton Kushtetuta.

KOMENTI I ALEKSANDËR BIBERAJ NË FACEBOOK:
Të nderuar miq! Në situatën e krijuar gjatë ditëve dhe javëve të fundit pas zgjedhjeve të 23 qershorit, ku krimi po godet çdo ditë jetë të pafajshme qytetarësh, me shumë dashamirësi dhe larg çdo sfondi politik do t'i sugjeroja Presidentit të Republikës, Nishani, si komandant i Forcave të Armatosura, por edhe si përfaqësues i unitetit kombëtar, që të thërriste një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Në këtë mbledhje, ku merr pjesë Kryeministri, ministri i Brendshëm, ministri i Mbrojtjes, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe drejtues të institucioneve të tjera përgjegjëse, mund të ftohej edhe lideri i opozitës z.Rama (me statusin e kryeministrit të ardhshëm), në mënyrë që secili të merrte përgjegjësitë e veta dhe të ushtronte këto përgjegjësi deri në afatet, që përcakton Kushtetuta. Dihet që në rastet e rrotacioneve politike, por edhe në kushtet, kur ka një proces të tejzgjatur tranzitor 2-3 mujor për ndërrimin e qeverive, ka tendenca për shtrirjen e shtetit dhe krimi gjen terren të favorshëm.

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)