TIRANE- Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për zgjedhjet e 23 qershorit, dhe deklaratat nacionaliste dhe këtë nënkryetari i Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj, pohon se e ka vënë re në të gjitha takimet që zhvilloi gjatë vizitës së fundit në Washington. Pasi mori pjesë në ceremoninë e betimit të Presidentit Obama, si i vetmi politikan i ftuar nga Tirana, Biberaj i kërkoi Kryeministrit Berisha që të heqë dorë nga manipulimi i zgjedhjeve përndryshe do të mbajë përgjegjësi jo vetëm politike por edhe ligjore.

"Te të gjitha takimet, shqetësimi kryesor i partnerëve amerikanë, ishin zgjedhjet e 23 qershorit, të cilat duhet të jenë të lira dhe të ndershme, si kusht i nevojshëm dhe i domosdoshëm për konsolidimin e demokracisë, të shtetit ligjor si dhe të integrimit të vendit. Partnerët amerikanë u shprehën se do të monitorojnë nga afër zhvillimet politike në Shqipëri si dhe gjithë procesin zgjedhor. Qëndrimi ynë si FRD është thirrja për kryeministrin dhe maxhorancën për të hequr dorë nga praktikat dhe skenarët e manipulimit të zgjedhjeve, pasi në rast të kundërt, do të mbajnë përgjegjësi para kombit, përgjegjësi që do të jenë jo vetëm politike, por edhe administrative dhe ligjore. Praktikat e manipulimit të zgjedhjeve na largojnë nga partnerët tanë strategjikë perëndimorë dhe na çojnë drejt lindjes."- tha Biberaj

Retorika nacionaliste e muajve të fundit që ka përfshirë politikën shqiptare përbën një tjetër shqetësim për Washingtonin, tha Biberaj, ndërsa shtoi se Berisha e ka të kotë pasi tashmë i ka humbur votat e patriotëve të djathtë.

"Partnerët amerikanë nuk mund të pajtohen me retorikën nacionaliste dhe motivojnë dialogun politik për zgjidhjen e cështjeve. FRD dënon retorikat nacionaliste që bëhen për të fshehur dështimet e qeverisjes. Berisha të heqë dorë nga retorikat që nuk i shërbejnë interesit kombëtar as fitimit të votave, sepse votat patriotëve të djathtë shqiptarë i ka humbur dhe s’ka për t’i fituar asnjëherë”

Nevoja për një rrotacion politik dhe të elitave ka qenë një tjetër temë e rëndësishme e takimeve të Biberajt në SHBA. Sipas numrit 2 të FRD, nga Dhjetori ’90 deri më sot Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar 4 presidentë, ndërsa në Shqipëri vazhdojmë të kemi – sic u shpreh ai – të njëjtin sundimtar prej 22 vitesh.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)