Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka telefonuar lojtarët dhe trajnerin e kombëtares amerikane, për t’iu uruar fat në kampionatin botëror “Katar 2022”.
Në videon e shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë në rrjetet sociale, shikohet presidenti Biden, duke biseduar me trajnerin Berhalter, i cili e ka hapur me zë telefonatën që ta dëgjonte i gjithë ekipi.
Trajneri Gregg Berhalter i udhëhoqi Shtetet e Bashkuara kundër Uellsit në ndeshjen e tyre hapëse të Grupit B, para testit të madh kundër Anglisë dhe pastaj Iranit që do të vendosë nëse do të arrijnë në fazën e eliminimit direkt.
Dhe për t’i dhënë zemër skuadrës, nuk munguan as batutat e Presidentit të SHBA-së, Joe Biden, teksa i tha trajnerit Berhalter që ta fuste në lojë, pasi ndihej gati.
“Trajner më fut në lojë, jam gati të luaj. Ju djem, unë e di që nuk jeni favoritë, por do t’ju them se keni disa nga lojtarët më të mirë në botë në ekipin tuaj dhe po përfaqësoni këtë vend dhe unë e di që do të luani me zemër, kështu që le të shkojmë t’i tronditim të gjithë. Vazhdoni t’i besoni njëri-tjetrit, luani sa më fort që të mundeni dhe për ju dhe familjet tuaja, bashkëlojtarët dhe i gjithë vendi është duke ju mbështetur juve", ka thënë ndër të tjera Biden.
Berhalter padyshim që ishte i prekur nga ky gjest dhe ia ktheu duke e falënderuar për mesazhin dhe duke ia bërë me dije që e gjithë skuadra po e dëgjonte dhe se e vlerësojnë shumë mbështetjen e tij.
SHBA zhvilloi ndeshjen e parë mbrëmjen e së hënës, ku nuk arriti më shumë se një barazim me rezultatin 1-1 kundër Uellsit.